MILOSAO

Pas Guttenbergut, një filxhan çaj me kamomil

15:30 - 11.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kujtim Dashi – Gjyshe, të lutem, – ngriti zërin masterxhiku. Veçse nuk i tha “Mjaft më, i njëjti avaz tash sa vjet! S’të mjaftojnë punët e shtëpisë?”
– Mama, si thua, të rrinte im bir pa punë? – e mbrojti i ati.




– I ka hyrë në hak keq tjetrit, sa s’ka ku të vejë më. Kap njërin e kap tjetrin deri sa ia gjetët rrëfanën me vëllanë e presidentit, edhe do lekë dhatë…Po ne rrogë e kokë ishim, ai po me një rrogë mësueseje e me dy fëmijë që i studionin jashtë, studionin e punonin për të fituar jetën me djersën e ballit; ky po i ri që edhe mund të gjente punë ndokund më kollaj se ai në atë moshë…Më vjen turp, kur e çoj nëpërmend të shkretin. Kur patët nevojë për të e nxirrnit prej kreje të dy, babë e bir, s’ka si ai, do ta ftonit edhe në dasmë po të bëhej, pastaj i futët stërkëmbsen…Unë ty të kam nip, po kam qenë gjithmonë me të drejtën dhe atë e dalloi lehtë, mos kini merak, paçka se po i bëj tetëdhjetë vjeç…Me ndërrue dollapi, të parët do t’i përqalleni atij si macja, sikur s’ka ndodhë asgjë…

Gjyshja ishte ndër të vetmet në familje, që e kishte ndjerë heret ndryshimin e madh të të nipit, fill pas largimit të ish-kolegut më të vjetër të tij dhe nuk ngurronte ta vinte në spikamë, madje e quante si një fatkeqësi ndarjen me të në atë mënyrë tinzare e të pabesë, pasi nipi e ndjente, se do të mbeste si peshku në zall. E kishte patur prindin e virtytshëm në zyrë; e kishte patur mësuesin e urtë, të ditur e të duruar, që i rrëfente vetëm rrugën e drejtë e të ndershme, po s’ia diti kimetin, se e shihte pa perspektivë udhën parimore që ndiqte ai; e kishte patur specialistin e zotë e të kulturuar ballëpërballë në tryezë e në sa shërbime të përbashkëta, po nuk e deshi zotëria jonë, i ra të mirës me shqelm; donte soj tjetër, që t’ia shtronin rrugën e karrierës apo dhe t’i vinin purteka, ta përdornin si të mundnin; se nuk qe mësuar të vështronte lart, po poshtë, i donte gjërat t’ia bënin hazër të tjerët e ai të ishte i pranishëm në prerjen e shiritit, t’u merrte meritat dhe paratë, kur u bë për ta; i donte gjërat, në mos të gatshme, të paktën, pa shumë mund e strapacim, thuajse gjysmë të gatshme dhe i dukej vetja shumë i zoti dhe i prerë për shefllëk; ndihmoi me ç’pati në dorë, bëri gjithçka mundte, që ta flaknin fisnikun fjalëpak në rrugë të madhe, ta kthenin në atë moshë në gjeometër.

Tashmë që na ka dalë të gjithëve prej duarsh e nuk e rrokim më, nuk e ndalojmë dot theqafjen s’bën para më meraku ynë; s’e ndalon vetë i ati që e mori përdore në këto rrugë, që s’besoj kurrësesi, se ka dashtë të bëhej i tillë, as e ëma, le më unë, që më ka shpërfillur gjithmonë, thuajse vinte zotëria nga ndonjë derë princërore apo mua të më kishin gjetur në rrugë e të më kishin marrë në këtë shtëpi për sevap. Ky është tre herë i humbur; jo vetëm, se s’po punon për faqen e vet, po as të të atit, le më për pasardhësin e tij, kur të bëhet me të.
– Gjyshe, vërtet s’të marrë vesh ty, a më ke mua nip, apo atë që s’e ke parë kurrë në jetën tënde?
– Vërtet, mirë e ke ti, s’e kam takuar kurrë, po ama e kam parë fytyrën e shpirtin e tij te ti atëherë kur kishe më nevojë se asnjë herë tjetër, kur të mbrojti nga rreziqet dhe atëherë, me sa mbaj mend, i ishe mirënjohës, – i ke harruar? – e të mori përdore si të birin e të drejtoj në punë, të gdhendi me shembullin e jetën e tij qelibar, duke ndrequr edhe ndonjë gabim tonin që kishim bërë me ty, – as na ke thënë vetë sa herë si është e mundur që të ketë ende në botë njerëz si ai ekzemplar, që të mos i ketë prekur fare e keqja?! – …se njeriu kohën më të gjatë e kalon në punë dhe me andrrallat e saj, apo jo?
– Ou, me ty gjyshe nuk flitet, – ia bëri masterxhiku dhe u mat të shkonte në dhomën e vet për t’u shtrirë.
– Jo, jo, qëndro, – i tha i ati prerë, si ta kishte marrë urdhërin nga e shoqja. – Dhe, ule pak grykën me nënën, se e ke marrë shumë yrysh e përpjetë, se t’i thotë troç gjërat. Me të thënë të drejtën, herë-herë as unë kam nisur mos të të njoh më se kush je?
– Më pyete, baba se ç’më mundon? Pse nuk flas? Tani që u tregova, kaloni fill e në gjyq, sikur jam ende nxënës shkolle, që kam marrë katër. As më qani hallin se si e tek t’ia bëjmë.

– E, mirë, dakort. Deri sa të vijë ky Guttenbergu e presidenti hungarez këtu tek ne, ehë ka për t’u dashtë një kohë e gjatë, sa ujë do të rrjedhë deri atëherë…Shih, kaluan njëzet vjet pas shkrepjes së demokracisë e, ku jemi, sikur rrethrrotullohemi në një vend, po hyjmë sot e po hyjmë nesër në Evropë, si të ishim majë vaporit a ta hedhim a mos ta hedhim spirancën…
– Vjen, baba, vjen, Karl-Theodor Maria Nikolaus Johann Jacob Philipp Franz Joseph Sylvester freiherr von und zu…, me njërin gjysh princ e me tjetrin kont; me gjyshe stërmbesë perandorësh…

– Kush mo? Ç’na ngatërron tani me gjithfarë emrash e ofiqesh, me kontër e princër, nga i psonise, ç’po na duhen? I pari, ai është?
– Për atë e kisha fjalën, baba, po Karl zu Guttenberg i thonë shkurt, vjen kur duan të të bëjnë keq, eh, sa shpejt që vjen, ke për ta parë…Më keq se ministrit të mbërtheckave do të ma bëjnë, edhe se ministrit gjerman…Këtij hungarezit po i bëjnë presion përditë që të japë dorëheqjen…
– Je trembur keq, mbaje veten!
– E di ç’ka propozuar njëri nga ato të frontit kundërshtues, që zumë në gojë pak më parë dhe që ti the, se nuk vijnë dot kaq shpejt në vendin tonë? Siç deklarohet pasuria e fituar, kanë propozuar, të deklarojmë vullnetarisht se kemi respektuar kriteret shkencore dhe etike, bie fjala, unë për marrjen e masterit, tjetri për mbrojtjen e gradës shkencore të doktorit të shkencave e, kështu me radhë?!
– Kur e ka botuar? Pardje? Ja, nesër, mbaron dita e tretë e çudisë dhe shuhet kjo punë!…Këtu do të jemi. Do të rifillojë, kushedi më vonë, po do të nisë sërish nga e para.Tre ditë të tjera sërish…Që të marrë zjarr diçka duhet të ketë një interes publik, a më kupton? Njerëzit këtu po marrin bukën me listë dhe as që iu bie ndërmend për masterat tuaj, hajde mendje, hajde!

– Ee, kështu thua ti, po e di, të parin mua do të më denoncojnë, nuk heqin dorë, jo. Ka programe tani që t’i nxjerrin të palarat në shesh kollaj fare. Kur ia nxorën gjermanit, princit e tani presidentit hungarez, jo mua, e ç’jam unë para tyre?!…
– Mos e merr me kaq frikë, mos u bëj merak. Çdo gjë do të shkojë në vend të vet. Ka thënë gjyshi yt, sa më e vështirë ta marrësh në fillim, aq më lehtë del në fund. Si për të tjerët, do të bëhet edhe për ty. Nuk je i vetmi. E keqja është, se nuk mund ta korrigjosh më temën, ajo është e depozituar, vajte dhe e bëre dhe libër, të dhënat e tua tashmë janë në sistem…
– Të pata thënë, baba.
– Ti vërtet je i çuditshëm, për nder. Se mos e mbrojta për vete masterin! Duhet, baba, për të mbrojtur vendin e punës, më the. Në fakt, më the duhet çimentuar vendi i punës. Urdhëro paratë, të thashë. T’i gjeta dhe shokët e miqtë e mi, të ndihmuan me çfarë mundën, çmos bënë, më fute në borxh tek ata. Atëherë s’pate ndonjë pretendim, apo jo? Ç’mund të bëja më tepër unë?! Të kishe këllqe vetë s’merrje pak aty e pak këtu, pa ja ditur për nder askujt. Këtë e dije mirë edhe pa dalë ky shembulli gjerman, mos m’i shit mua ato dëngla, sikur për ty kur nuk të shkojnë punët fjollë siç dhe i do, unë jam fatkeqësia vetë dhe jo e kundërta. Ou, ky me bllok faturimi po i shkon jeta. Ç’janë të mira ia tërheq saora kërraba për vete, ç’i dalin për ibret ua kanë fajin të tjerët…Nuk më thua pak si mund t’i zbulojnë lëndën e huaj në një master?
– Me softuere, baba, me softuere.
– Softuere?!
– Janë programe kompjuterike, të cilët bëjnë të mundur konfirmimin, shqyrtimin e punimeve nëpërmjet fjalëve kyçe, pothuajse njësoj si kërkimi që bëhet në Google…
– Të pyeta shqeto, ma thuaj troç lëndën e huaj, lëndën e huaj si e gjejnë?
As i ati dhe as i biri s’e kishin vënë re që nëna ishte ngritur, kishte marrë në bufe shishen e rakisë dhe dy putira dhe ua kishte vënë përpara. Po pijeni një gotë, shyqyr që po iu shoh të kuvendoni përsëmbari babë e bir, u tha dhe ua mbushi putirat me raki.

– Softueri ia lehtëson punën si komisionit, ashtu edhe për vlerësimin e saktë të punimit të kandidatëve, bie fjala, për master, për doktoraturë…
– Shih ky, unë të pyes ku është ujku, ti thua ja ku janë gjurmët…Si i gjejnë, po të pyes, si?

– Është një procedurë e tërë, baba, por po i bie shkurt: sipas ligjit, çdokush që përgatit një tezë masteri apo doktorature, si dhe të gjithë ata që përgatitin punime shkencore me karakter kërkimor në formën e një libri me disa kopje, – ja, siç bëra unë, që më hëngri bytha dhe shkova edhe e botova, hajde tërhiqe tani tërë tirazhin nga tregu dhe prapëseprap s’më shpëton dot, se janë kopjet e detyruara në bibliotekën kombëtare. Atje pajisen me një numër specifik.

– E përse shërben? – pyeti i ati për t’i shkuar deri në fund zhbirilimit të këtij halli, që i kishte rënë papritur e pakujtuar të birit si rrufeja në mot të kthjellët, po në radhë të parë atij vetë. Ai ndërkohë kishte zënë të mendonte se si mund të shpëtonte pjesën e vet të përgjegjësisë, që pa ia vënë emrin kështu e dinte se do t’i rëndonte vetvetiu mbi shpinë, siç kishte ngjarë dhe në plot raste të tjera. Më parë do të mblidhte e mblidhte informacion, pastaj do të ofronte zgjidhjen e vet me një prakticitet e qetësi olimpike, që të çudiste.
– Ky numri shërben për të ruajtur të drejtën e autorit, – fjala është, se kush pyet këtu, o aman, për të drejtën e autorit, – dhe për t’u mbrojtur në raste abuzimesh, si mund ta trajtojnë nesër rastin tim, në të njëjtën kohë jep edhe garanci për autenticitetin e kërkimit dhe personin, që e ka dorëzuar atje, vitin dhe plot gjëra jo më pak të rëndësishme për të drejtën e autorit. Unë këto i di mirë, po ç’e do më hëngri bytha dhe tema më doli si një aliazh, që, po të dojnë, të gjallë e të vdekur, do të më kërkojnë secili pjesën e vet…
– Domethënë nuk do të thërrasin më rrugëve “duam paratë tona”, si atëherë kur ranë piramidat financiare, por duam tezat, duam punimin tonë…
– I fortë je, baba! Sa i qetë je, mor burrë? Mua po më zien koka, ty të shkon mendja tani të bësh edhe humor!

– Ç’të bëj, nga halli e kemi. Merre shtruar. Mos e merr me kaq frikë, mos u bëj merak, se s’të ka trokitur kush ende në derë për këtë punë. E ke erën ende me vete. Ke për të parë, çdo gjë do të shkojë në vend të vet, mblidhe veten. Dukesh se pas pak do të trokasë porta dhe do të thërrasin në hetuesi. Ka hetuesi shkencore? Akademike? Po më dukesh si ata tregtarët e pasluftës së fundit, që prisnin me ankth partizanin me pushkë gjermane, për t’ua dorëzuar pasurinë, florinjtë…

– Mirë, po thua, tamam si ata tregtarët, që ia kishin frikën gjyshit të tij si morten për tatimet e jashtëzakonshme të luftës. Ka bërë detyrën, ka qenë i rreptë, po edhe i drejtë. Ia zen kush në gojë emrin për të keq atij tani në demokraci? Kurrkush. S’ia zë se ka qenë i ndershëm. Ashtu ishte koha. Nga do të merrte pushteti i ri për rimëkëmbjen nga lufta? Hej dreq, është bërë djali sa një grusht, sikur ç’e ka gjetë, i ka hyrë frika në palcë. Dhe jepi gotës. Po me të ra ndonjë qamet më të i madh në kokë, ç’bënke ti?! Po i ngritke duart përpjetë. Thirri mendjes, në qoftë se s’iu ke bërë ndonjë gjë të mbrapsht këtyre, në qoftë se s’ke marrë në qafë kënd s’ke përse me pasë frikë…
– Nuk ma merr mendja që tek ne të ketë statistika të qarta dhe konkrete për plagjiaturat, – se nëse ndokush do t’i hyjë temës tënde, besoj kështu do ta trajtojë, apo jo, – për rastet e kapura në flagrancë me vjedhje, përvetësime dhe abuzime të të drejtës së autorit…, – tha i ati duke shmangur e nxjerrë me marifet nga biseda të ëmën, së cilës i kishte mbetur pikë në zemër se mos nipi ishte përzierë në ndonjë punë të keqe, siç thoshte ajo dhe, pas kësaj, do t’i vinte medoemos shpagimi i të dëmtuarve. S’mund të bënte përjashtim. Kur e kishte patur me atë kolegun e vjetër s’ia kishte merakun fare. Tanimë orë e çast. Ishte dhënë fort pas lekut, pas karriges.
– Ka si nuk paska. Njërit që kopjoj mot à mot një fjalor dygjuhësh, e gjobiten rëndë, dhjetë milionë lekë, natyrisht të vjetra. E kujton, po e ke nga ana jote, dhe s’do t’ia zësh emrin në gojë, se iu ka turpëruar…Tashti ai prap profesor mbeti, më duket se është bërë edhe doktor para disa kohësh, po ama u ngrit një tufan i tillë kundër tij, sa u duk se do të bëhej nami në këtë vend; dhe gjobën e pagoi deri më një si vasja, si i thonë llafit…Ka të dhëna për penalizime në raste plagjiaturash në punime kërkimore, teza masteri apo doktoraturash, po ka dhe një heshtje nga të gjithë, sipas parimit mos më ngacmo, që të mos ngacmoj. Askush nuk e kruan kokën e vet, megjithëse e kanë mizën nën kësulë. Dhe, kur në shtet kështu, le më ç’bëhet në universitet jopublike. Katrahurë…Unë, të paktën, kam shkuar dhe e kam marrë me këmbët e mia, ndërsa atyre ua çojnë në shtëpi dhe u vënë notën, që u duhet, që u thonë…Dhjetë e do? Urdhëro dhjetën!…

– Mos kij merak se askush s’e ngre dorën për të kruar kokën e vet, siç the.
– Prap s’ka gjë që ma rehaton shpirtin tim!…Po kush më siguron mua se ai, ish-kolegu, – e ka një mendje ai, që Zot na ruaj, derr maloku është, – do të heshtë, do të mjaftohet me atë shkrim te ajo gazeta e përditshme, që s’po mundet me ia mbyllë gojën as vetë Njeriu i Shpresës së Bjerrun, nuk do t’i shkojë deri në fund, për të më hequr masterin, për të më turpëruar në fillim faqe botës, pastaj dhe për të më flakur me ceremoni nga puna. E kujt do t’i dhëmbë më për mua? Kush do të më dalë për zot?
– Kushtojnë ato softueret, kushtojnë? Si thua do të hyjnë shpejt ato tek ne?

– Natyrisht, për blerjen e tyre duhen fonde, po kur është puna për të keq, si rasti im, eh, si gjenden paratë, menjëherë, turravrap…Ish-kolegu tani s’ka kurrëfarë pushteti, por po erdhi një ditë, po u rikthye, siç dhe pretendon me të vetët, – dikur besa dhe ne ishim me ta, po iu lamë shëndenë, duam të hamë, duam të jetojmë, s’bëjnë para principet, s’na i zgjidhin hallet ato, – pra të majtët e djathtë, qindin më punon, mua të parit. Fillon me masterin tim. Mirë thashë, i imi është paçka se kam marrë ndonjë gjë herë te njëri e herë te tjetri. Ama, i kam bluar në mullirin tim. Sidoqoftë, iu rikthye përgjigjes së pyetjes, për vendosjen e një teknologjie të tillë nevojitet ngritja e një grupi shqyrtimi, i cili duhet të diskutojë për modalitetet dhe bazën e të dhënave, se ku do të bazohet e si do të zhvillohet projekti.

– Gjithmonë ka dhe do të ketë një fillim…Pak a shumë këto softueret, qenkan si një linjë ekstraksioni, që punon me kapacitet të plotë dhe nxjerr mënjanë lëndën e huaj, si të thashë, ndërsa lejon të kalojë e sakta, e vërteta…Si skaner dogane, ti kalo, ti prit pak se do të verifikojmë diçka…
– Eh, baba, ty të bie ndërmend edhe të bësh shaka, mor burrë, mua po më vlon truri si rallë herë…S’doja t’iu mërzisja më shumë që parë…
– Pse?
– Për efektin domino që po ngjet, pra, ja përse; Gjermani, Hungari…Lexova në internet, kur isha në punë, se drejtuesit e Universitetit të Semmelëeis kishin vendosur t’ia hiqnin doktoraturën…Kujt thua ti? Vetë Presidentit të Hungarisë, Pal Schmitt…Përflitet tani edhe për ministrin gjerman të kulturës, e pashë qëparë në facebook, madje për dhjetëra faqe të kopjuara për dokturaturën e tij, jo thjesht pasazhe a fragmente…
– Dhe?…
– Kjo konfirmon se testet e doktoraturës të paraqitura plot njëzet vite më parë, fjalën e kam për këtë presidentin hungarez, ishin të kopjuara pothuajse plotësisht nga një punë e tjetërkujt. Kush të fal sot, babi?! Dhe, vendimin e ka marrë senati i universitetit.
– Senati i universitetit mbi presidentin e vendit?!

– Pashë nderin kujton se atje është si tek ne? Më ka çudit edhe votimi i tyre, sa të pavarur që janë: tridhjetë e tre vota pro heqjes së doktoraturës e katër kundër. Kush të fal sot, babi?! Unë e di nga do të më vijë, kush do ta trazojë…Ai…Nuk më fal ai mua, jo, kurrë!…
– Je bërë ves-vese, me fiksime. Mbaje veten! E, çka për të bërë ish-kolegu yt, kur është thjesht një punëkërkues i rëndomtë, që ia mbyllin derën ngado ku troket për ndonjë punë? Kush ia fërshëllen?!
– Në fakt, më kishte paralajmëruar që atëherë, kur punonim bashkë. Mos u ngut më tha, ripunoje, po unë e nuhata, se ai kishte vërejtur plagjiaturën e s’ma tha troç, që të mos më binte në erz. Që atë ditë s’ia dhashë më për ta parë. E po, në qoftë se më nxjerrin lëndën e huaj nga masteri im, qysh po i thua ti, atëherë do gjëmojnë mediat, ke për të parë: i biri i ish-komunistit, i nipi i komunistit të orëve të para, – dhe gjyshin do ta ma përmendin, do t’ia luajnë kockat, si i thonë një fjale, ja këtu do të jemi; ish-fresshisti, që u hodh në prehrin e të djathëve të majtë për bythën e vet, të gjitha do t’i thonë biografistët e zellshëm…
E kishin harruar nënën, por ajo jo. Të zhytur në bisedë at e bir, ata s’u kishin vënë vesh lajmeve në televizion. Plaka kishte marrë pultin dhe, befas, ngriti zërin e televizorit. Në dhomë zotëroi zëri i spikeres, e cila lexoi lajmin, i cili porsa kishte mbërritur në studio dhe ndërpreu rrjedhën e lajmeve të parapërgatitura:
“…Presidenti i Hungarisë Pal Schmitt jep dorëheqjen…”
– Mama, ngrije pak, të lutem, zërin e televizorit!- u dëgjua zëri i nuses së djalit nga dhoma e gjumit. Dukej sikur ishte ngritur nga shtrati dhe po vishej për të ardhur në kuzhinë, ku luhej drama.

– Ou, – ia bëri babai dhe iu afrua më tepër televizorit për t’i vënë vesh më mirë.
– Më dëgjo mua tani, se di më shumë unë, – hajde gëzuar, ti rrofsh nëna, që na solle këtë raki, e mos ma merr më me të keq djalin e vetëm, dëgjove? – merre më shtruar, je më i qetë. Mos e merr me kaq frikë, mos u bëj merak. Dhe po ndodhi ajo që ti e parashikon obobujshëm fije e për pe, hidhja fajin moshës, mungesës së përvojës, kaq dita, kështu e bëra, e kisha parë dhe te tjerët, kaq kohë kisha në dispozicion, sajoje, po të gjen gjë? Gjithçka do të shkojë në vend të vet, ke për të parë, mblidhe veten. Deri sa të mbërrijë tek ne princ Guttenbergu, president Schmitti dhe ai më fundit, ministri gjerman i kulturës s’numërohen dot hallet që kemi për të kryer; pa kemi pronat, – ne veç letrat kemi në rregull, se gjë s’na kanë dhënë akoma, ti do t’i trashëgosh po munde me marrë gjë një ditë, – pa ndërtimet e paligjshme; pa papunësinë, pa korrupsionin, pa…Do bëjnë ndonjë ditë zhurmë, pastaj gjithçka do të rreshtë. Në vend tonë nuk plugohet, po veç sa u hiqen pluhrat, si i bëjnë punët në shtëpi nuset e reja…Kush po pyet për masterat e doktoraturat, o masterxhiku i gjyshes?! Këtu po vidhen gjëra të tjera me të rëndësishme, deti, nafta, pyjet, minierat… Aa, sa për kuadrin ligjor, ke për të parë sa shpejt do ta bëjnë, – për të qenë në rregull me ndërkombëtarët, – natyrisht do të përpiqen të ruajnë bythën e tyre, pa për t’u zbatuar, ehu, rradha do t’i vijë, kur të qethen viçat…E kthejnë në çështje të brendshme ustallarët…, ç’kini me ne?…

Pse ke dëgjuar ti të vetëdorëzohet në polici ndonjë hajdut? Atëherë të parët që duhet të dorëzohen duhet të jenë deputetët, gratë e tyre dhe pastaj dashnoret, bijtë dhe bijat; nipërit dhe mbesat…Ehu, kur të vijë rradha jote, mbase i je afruar pensionit, ose, ose ndërkohë ke mbrojtur edhe doktoraturën dhe, në faqen e parë te temës, në frontespic të librit, qëndis një ndjesë të bukur publike. Dhe, ke për ta parë po nuk të falen për çamorllëkun tënd të dikurshëm, po dhe për aktin fisnik të distancimit…Bile s’do t’i bjerë ndërmend askujt as për lekët që ke përfituar për vite e vite të tëra nga masteri yt…
2012


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.