KULTURË

“Ditari i Ana Frank”, në skenë me paralelet shqiptare

16:20 - 14.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Unë i mbaj për vete idealet, sepse pavarësisht gjithçkaje, vazhdoj të besoj se njerëzit janë të mirë në zemër” Ana Frank. “Ditari i Ana Frank” është premiera e re në Teatrin “Metropol”, e cila do të ngjitet në skenë në datë 15 nëntor. Vepra, duke marrë shkas nga historia e vajzës hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkruar nga Frances Goodrich dhe Albert Hackett ka fituar çmimin “Pulitzer”. Në skenën e në Teatrit Metropol ajo i sjell publikut një copëz reflektive nga jeta e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore jo si një qasje klasike, historike, por e ndërthurur edhe me realizimin magjik, me atë se çfarë ndodh realisht me hebrenjtë.




“Ditari i Ana Frank” është një vepër universale, pavarësisht se ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore, 60 vjet më parë. Po të shohësh në Shqipëri histori paralele e njëjtë ka ndodhur me çamët gjatë fillimit të shekullit të kaluar. Është duke ndodhur aktualisht në Lindjen e Mesme, kështu që historia e Ana Frank dhe familjes së saj është një histori që përsëritet”, tha regjisorja Armela Demaj. Sipas saj, për këtë arsye, “kemi zgjedhur që në shfaqjen tonë të mos flitet specifikisht çfarë u ndodhi hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por të trajtohet ajo që i ndodhi njeriut si qenie, atë çfarë njeriu i bëri njeriut dhe vazhdon t’i bëjë për shkak të ngjyrës, besimit, për shkak të bindjeve politike, preferencave sociale etj.”. sipas Demajt, zëri përfaqësues i të gjithë këtyre njerëzve, atyre që kanë ikur dhe atyre që do vijnë është pikërisht “Ditari i Ana Frank”, një vajzë në fillim të 13-tave dhe më pas 15-vjeçare, që është trashëgimi historike materiale e një lufte të çmendur dhe një çmendurie kolektive. “Ne njerëzit, aq sa jemi qenie të mrekullueshme, kemi njëkohësisht potencialin për të qenë mizorë. Zëri i Ana Frank është zëri i ndërgjegjes sonë”, – tha Armela Demaj. Ajo ka punuar për këtë premierë me asistentregjisorin Edvin Mustafa, koreografin Enio Shehi, kostumografen Jonida Beqo dhe interpretimin e një trupe të madhe që sjell gjithë mozaikun e trishtë të kohës: Vanesa Guri, Myzafer Zifla, Klea Konomi, Ketjona Pecnikaj, Bruno Shllaku, Marjana Kondi, Roerd Toçe, Marius Dhrami, Edvin Mustafa, Paola Xhafa, Sara Koçi, Sedmir Memia, Stivi Osmanaj, Mario Bali, Dinorah Beqiraj, Ezra Vogli, Valdano Bajram. Premiera është më 15 nëntor(deri 9 dhjetor) dhe shfaqja vjen në netët në vijim në orën 19:00.

Familja Frank
Më 1940-ën, Gjermania pushtoi Holandën dhe filloi menjëherë zbatimi i ligjeve antihebreje. Babai i Ana Frankut, i frikësuar për familjen e tij me prejardhje hebreje, ra në ujdi me bashkëpunëtorët e biznesit të tij për ta vazhduar punën në një vend të fshehtë, ku edhe do të fshiheshin derisa lufta të përfundonte. Disa muaj përpara se familja Frank të fillonte të fshihej, Anës i dhuruan për ditëlindje një ditar. Ajo e quajti ditarin e saj “Kiti” dhe shkruante në të gjithçka i ndodhte asaj dhe familjes. Askush nuk e di saktësisht se si ndodhi që pas dy vjet e gjysmë strehimi, dikush u tregoi nazistëve për vendndodhjen e familjes Frank. Nazistët shkuan në vendin ku gjendeshin Frankët, i morën dhe i dërguan në një kamp përqendrimi. Miep Gies, mikesha e familjes Frank, e gjeti ditarin e Anës dhe e fshehu në një vend të sigurt, pasi shpresonte që Ana të kthehej pas përfundimit të luftës. Por kjo gjë nuk ndodhi. Nga familja Frank mbijetoi vetëm babai i saj, Otoja. Gruaja e tij u vra në Aushvic. Ana dhe motra e saj më e madhe humbën jetën në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, vetëm disa ditë përpara se kampi të lirohej. Oto Franku, me sugjerimin e disa miqve të tij, lejoi që ditari i vajzës së tij të botohej. Kështu, Ditari i Ana Frankut u bë një ndër librat më të lexuar në botë dhe u përkthye në dhjetëra gjuhë. Shtëpia ku ishte fshehur familja Frank në Amsterdam, sot është e hapur për vizitorët. Aty gjendet edhe ditari që shkroi Ana, i cili ka vlerën e një dokumenti unik njerëzor.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.