OPINION

Duhet ministri funksionale, po a duhet edhe Gjykatë Kushtetuese funksionale?

13:11 - 14.11.18 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Keni dëgjuar të flitet më për korrupsionin në Shqipëri? Po për luftë ndaj korrupsionit, për pandëshkueshmëri, për gjykim dhe dënim të zyrtarëve të lartë?
Raportet ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë si një ndër vendet më të korruptuara në Europë. Ahere lind pyetja, kush e bën korrupsionin në këtë vend: opozita, kazani mediatik, protestuesit e Unazës së re?
Për definicion, korrupsioni udhëhiqet nga pushteti dhe të gjitha pushtetet sot janë të përqëndruara në një dorë.
Ahere lind pyetja, pse nuk po bëhet drejtësi mbi korrupsionin? Duket sikur në këtë vend askush nuk ka më interes për drejtësi; të gjithë janë të zënë me hatanë: me “reformën në drejtësi”.
Paradoksalisht, jemi në një situatë ku duket se “drejtësia” është futur në frigorifer, përsa kohë po zhvillohet “reforma në drejtësi”. Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara të Europës, por partnerët tanë nuk flasin më për dënimin e këtyre të korruptuarve.
Siç e thotë Lubonja: ne jetojmë në një stabilokraci. Një kohë, ku për hir të stabilitetit politik, vepra apo kryevepra penale, korrupsioni është amnistuar apo më keq, ka marrë imunitet diplomatik.
Vëreni bilancin e deritanishëm të “reformës në drejtësi”. Dy vite e gjysëm pas miratimit të Kushtetutës së re: s’ka KLGJ, s’ka KLP, s’ka Byro Kombëtare Hetimi, s’ka prokurori Antikorrupsion. Prokurorja e Përgjithshme është e përkohshme, Gjykata Kushtetuese nuk ekziston, Gjykata e Lartë është e gjymtuar. Dhe kryesorja, vetingu: vetëm 60-70 vetë nga trupa e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë i janë nënshtruar procesit. Me këtë ritëm, vetingu do të kërkojë së paku edhe 5 vite të tjera.
Pak ditë më parë, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë artikuluan një qëndrim të unifikuar: vendi ka nevojë për një ministri të Brendshme funksionale. Kjo është po aq e vërtetë, sa dhe pohimi se vendi ka nevojë për një Prokurori të Përgjithshme funksionale dhe mbi të gjitha një Gjykatë Kushtetuese funksionale.
Jo më kot Kushtetuta quhet “ligji themeltar i shtetit”, sepse ky kryeligj mban në këmbë themelet e shtetit. Gjykata Kushtetuese kujdeset për mirëmbajtjen e këtyre themeleve. Vlera e saj merr rëndësi kombëtare, në prag të nënshkrimit të “Paktit Detar 2” me fqinjin jugor, Greqinë.
Tjetër, nëse kjo gjykatë nuk do të ishte ekzekutuar në altarin e “reformës në drejtësi”, atëherë edhe kriza politike e zëvendësimit të Fatmir Xhafajt nuk do të ishte kaq dramatike. Do të mjaftonte një interpretim i thjeshtë nga gjykata për të kuptuar ku mbarojnë kompetencat e kryeministrit dhe ku fillojnë ato të presidentit.
Ndaj do të ishte e udhës që partnerët ndërkombëtarë, para se të kërkojnë korrigjimin e pasojave, duhet të merren me ndreqjen e shkaqeve.
Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është më e rëndë nga sa mendohet dhe mosfunksionimi i saj mund të sjellë kriza edhe më të rënda politike në të ardhmen.
Pak ditë më parë, ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani tha në një intervistë për “GSH” se problemet e kaluara kryeministër-president zgjidheshin me konsulta paraprake mes dy autoriteteve.
Problemi me kokat e nxehta të politikës në këtë vend, është se mendojnë se pushteti politik u jep të drejtë t’u imponohen të gjitha institucioneve të tjera.
Rrallëherë ky vend ka parë politikanë që ta shohin pushtetin si nder që i bën populli, si dhënie privilegji e mundësie për të shërbyer. Dhe mbi të gjitha: për të shërbyer përkohësisht.
Problemi me politikanë si kryeministri i sotëm është se në mënyrë arrogante mendojnë se kanë atribute “perandorake” e “mbretërore”, duke vënë nën thundër gjithkënd e gjithçka, që nga zhdukja e fotos së presidentit nga zyrat e shtetit e deri tek direktivat se si duhet të sillet shtypi, prokuroria, gjykata, opozita, presidenti, e kështu me rradhë.
Shtetin nuk e mban në këmbë vullneti politik, maxhorancat që e hanë tepsinë të gjithën vetë, protektoratet diplomatike, etj. Shtetin e mbajnë në këmbë institucionet dhe konfliktet i zgjidh gjykata. Në rastin “Lleshi”, konfliktin kushtetues e zgjidh Gjykata Kushtetuese. Të gjithë ata që bëjnë sikur harrojnë se kemi një Gjykatë Kushtetuese jofunksionale, nuk mund të derdhin lotë krokodili se paskemi një ministri të Brendshme jofunksionale.





Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nje analize e shkelqyer.

    Te lumte Erli, ke qelluar ne shenje, e ke kapur demin prej brirresh.

    Ju shqiptare dhe nderkombetar keto jane problemet jetike te shoqerise sone, mos beni teater.

    Te lumte pena

    Përgjigju ↓
  2. Kjo Analizë nuk na surprizon, kur mban emrin Erl Murati. Erli është ndër shumë pak gazetarët e këtij vendi, të cilët e shikojnë gazetarinë si Mision, por edhe e lëvrojnë atë si të tillë.
    E mbas kaq vitesh përvojë, autori tanimë e ka edhe tagrin një burri shtetbërës.

    Përgjigju ↓