Show-Bizz

Nerilda Meda: Më pëlqejnë sfidat, me “Telesport” guxova

17:50 - 14.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Pasioni për gazetarinë dhe jo vetëm i çon njerëzit të zgjedhin se cila është rruga e duhur për ta. Por shumë prej nesh nuk kanë vetëm një ëndërr apo një pasion. E tillë është dhe gazetarja simpatike e “Telesport”, Nerilda Meda, e cila nëpërmjet një interviste për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare” na rrëfen të pathënat e punës së saj në këtë televizion. “Kam shumë ëndrra – thotë Nerilda – dhe po punoj shumë për t’i realizuar. Unë besoj se vajzat, me punë dhe vullnet mund të bëjnë gjithçka që meshkujt mendojnë se e bëjnë më mirë”. Pra, kur pasioni që ke përbën dhe punën e përditshme, atëherë nuk ke për të punuar asnjë ditë të jetës tënde. Për më tepër në intervistën e mëposhtme.




Prej pak kohësh jeni pjesë e një stafi të një televizioni sportiv. Pse zgjodhët pikërisht të bënit rolin e një gazetareje sportive?
Unë besoj se vajzat, me punë dhe vullnet mund të bëjnë gjithçka që meshkujt mendojnë se e bëjnë më mirë. Jo vetëm që zgjodha gazetarinë sportive, por guxova duke pranuar ofertën e ardhur nga televizioni i parë sportiv në vend, sepse më pëlqejnë sfidat. “Telesport” është media nga kanë dalë shumica e gazetarëve sportivë në Shqipëri dhe ta nisësh gazetarinë sportive nga ky ekran është privilegj. Aktualisht lajmet e shkruara nga unë në “telesport.al” lexohen nga të paktën 100.000 lexues në ditë, pra përveç ekranit, kam edhe këtë “peshë mbi supe”.

Nëse do t’ju jepej mundësia të moderonit të një tjetër formati, çfarë do të zgjidhnit?
Eksperiencat e mëparshme në televizion gjatë këtyre viteve apo edhe pas kamerave, më kanë dhënë mundësinë ta njoh më mirë veten. Sociale, kulturë apo sport? Sport, sepse i përshtatet pak natyrës sime sportive. E kam gjetur veten mirë në këtë fushë, më pëlqen dhe po mësoj shumë. Nuk kam ndërmend t’i ndahem sportit aktualisht.

Sa e vështirë dhe e bukur është gazetaria sportive për Nerildën?
Po t’ju them që edhe unë e kam paragjykuar gazetarinë sportive më parë, do të më besoni? Kam menduar se është e thjeshtë, por jo, është shumë e vështirë. Ka gjithmonë gjëra të reja që mund të mësosh, shumë sporte, shumë rregulla dhe kur punon me njerëz që kanë një jetë në këtë fushë, pret që të kërkojnë perfeksionin. Sa më shumë mësoj, aq më shumë zgjerohet hendeku i gjërave që nuk di. Por siç e thash më parë, kushdo mundet, por puna dhe vullneti duhet të jenë aty. Ama është sa e vështirë, aq edhe e bukur. Imagjinoni një punë nëpër stadiume, pallate sporti, përcjell diçka që disa njerëz e kanë profesion, të tjerë pasion e disa e ndjekin për t’u argëtuar, është padyshim bukur të punosh mes këtyre emocioneve.

A e ndjeni që i përkisni 100% këtij profili?
Mendoj se dua edhe pak kohë që të them, “po, unë kam lindur për këtë punë”. Por, e bëj me pasion, shkoj në punë me dëshirë, marr kënaqësi nga çdo punë, sado e vogël. Edhe kjo intervistë me ju më jep grimca lumturie dhe është padyshim fryt i produkteve të realizuara me dashuri në “Telesport”.

Keni pasur propozime për të tjera programe? Nëse po, pse i keni refuzuar?
Kam pasur oferta nga media të tjera dhe u jam shumë mirënjohëse që më kanë vlerësuar, veçanërisht ftesa e një mikes sime së fundmi për t’iu bashkuar një ekrani të madh. Por, aktualisht ndihem mirë në familjen “Telesport”. Kam hapësirën time për të bërë gjëra të bukura dhe po përfitoj shumë profesionalisht, duke punuar me gazetarë të këtij niveli dhe me një markë të vlerësuar.

Si është rutina që ndiqni në një dite pune?
Në gazetari asnjë ditë nuk është e njëlloj, nuk ka monotoni në punën tonë. Një ditë mund të ndodhë të qëndrosh gjithë ditën në terren, ditën tjetër gjithë kohës në zyrë. Por fatmirësisht unë jam pjesë edhe e departamentit të marketingut, pra ndërthur dy nga profesionet më pak monotonë së bashku.

Më mirë gazetare apo në marketing? Cilën do të preferonit më tepër?
Ja, pse ndihem mirë në median ku punoj: kam mundësinë t’i bëj të dyja. “Telesport” është një markë me peshë në tregun shqiptar dhe ka transmetuar vlerë tek dashamirësitë e sportit që në konceptimin e saj, para 18 vitesh. Duke qenë se kam mbaruar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, Universitetin e Tiranës, nuk doja t’i largohesha profesionit për të cilin kam investuar kaq shumë, por doja të mbaja gjallë edhe pasionin, që është gazetaria. Për më tepër që masterin shkencor në marketing e zgjodha pasi punova në botën e medias dhe pash sesa shumë mund të ndihmonin njëra-tjetrën dy fushat.

Cili është sporti juaj i preferuar? A e praktikoni?
E vogël kam qenë pjesë e një ekipi basketbolli, por duke u rritur, duke u distancuar nga çdo sport i mundshëm. Natyrshëm është sporti im i preferuar se e njoh që fëmijë, por më pëlqen edhe volejbolli. Këto janë sporte që në “Telesport” i mbuloj unë dhe kolegia ime Brunilda Kazani, ndërsa në “telesport.al”, i mbulon një gazetar me një përvojë të gjatë, Gentian Spiri, nga i cili kam mësuar shumë për shumësportëshin. Futbolli më pëlqen shumë ta ndjek, për më tepër tani që po bëj “shkollë me profesorë shumë të rreptë”, nëse do më pyesësh a di të luaj? Jam një katastrofë e vërtetë, shkaktoj shumë faulle. (Qesh)

A e shihni të ardhmen në Shqipëri apo jashtë saj? Pse?
Të ardhmes nuk i dihet, e kam menduar të largohem nga Shqipëria një ditë, ku i dihet “Sky Sports” mund t’i hedh sytë nga ne. Shaka (qesh). Besoj shumë të rinj e mendojnë largimin për një të ardhme më të sigurt në një vend me më shumë stabilitet, mua më pëlqen shumë Gjermania (jo vetëm sepse jam tifoze e ekipit të tyre kombëtar), por sepse adhuroj mënyrën e strukturimit dhe e organizimit të këtij shteti.

Së fundmi, cila është ëndrra më e madhe e juaja dhe a jeni duke punuar për ta realizuar atë?
Ëndrra ime më e madhe? Unë kam shumë ëndrra, por po punoj për të bërë realitet ëndrrën e fëmijërisë, të bëhem një gazetare e suksesshme (jo kukull), që do t’i përcjell vlerë audiencës. Dhe së dyti, po punoj për të realizuar ëndrrën e 5 viteve të fakultetit, të qenurit një marketiere që nuk do të shesë, por të kujdeset për imazhin e një marke serioze.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.