OPINION

Garanci për sigurinë evropiane

07:20 - 16.11.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është fjala për demarshet mbi krijimin e ushtrisë së përbashkët evropiane, që u propozua në fillim të muajit nga Presidenti francez, Macron. Këtij diskutimi i dha më shumë “zjarr” Presidenti amerikan, Donald Trump, që e konsideroi “fyes” propozimin në fjalë, më 10 nëntor, pikërisht ditën që nisej për në Paris në festimet zyrtare të 100-vjetorit të mbarimit të Luftës së I Botërore.




Nuk vonoi reagimi i Kancelares gjermane, Angela Merkel, që e mbështeti këtë propozim në fjalën e saj mbi vizionin e Evropës së re në Parlamentin Evropian, në Strasburg, më 13 nëntor. Madje, ajo ritheksoi se “ka ikur koha kur mund të besonim verbërisht në mbështetjen e të tjerëve dhe nëse duam ta forcojmë komunitetin tonë, duhet të marrim më shumë përgjegjësi për fatet tona”. Ndonëse nuk përmendi ndonjë emër, nisur nga zhvillimet më të fundit, ajo la të nënkuptohet SHBA-të, pa përjashtuar edhe ndonjë vend tjetër të mundshëm aleat.

Në fakt, ideja e një ushtrie të përbashkët evropiane nuk është e re, ajo u lançua për herë të parë gati 20 vite më parë mes debatesh dhe polemikash të shumta, pasi shihej si dublim apo dhe karshillëk ndaj NATO-s. Më vonë ajo u spostua nga axhenda politike e BE-së për shkak të ndërhyrjeve ushtarake në Afganistan, Irak, Libi dhe Siri dhe të krizave të rënda financiare, të azilit dhe terrorizmit ndërkombëtar; siç dihet në ato vite u kërkua dhe u shfaqën me të drejtë uniteti dhe solidariteti i komunitetit ndërkombëtar, i OKB-së, BE-së, NATO-s dhe të tjerëve, përfshirë edhe vendin tonë.

Ndërkohë, në 2-3 vitet e fundit janë krijuar kushte dhe rrethana cilësisht të reja dhe tejet sfiduese për sigurinë ndërkombëtare në përgjithësi dhe atë evropiane në veçanti. Veprimet e njëanshme amerikane në dëm të multilaterizmit, denoncimi i dy traktateve ndërkombëtare në fushën e sigurisë nga armët bërthamore, krisjet në marrëdhëniet transatlantike, rishfaqja e Rusisë, Kinës, Japonisë etj., me pretendime si fuqi të mëdha po çojnë drejt një arkitekture multipolare shumë më të pasigurt për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, për pasojë krijimi i kësaj ushtrie është bërë jo vetëm “MUST” ose i domosdoshëm, por edhe imperativ.

Në këtë frymë, vitin e kaluar Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Spanja, Portugalia, Danimarka, Belgjika, Holanda dhe Estonia lançuan “Nisën e Ndërhyrjes Evropiane (EII). Veç kësaj, 25 vende anëtare nënshkruan Marrëveshjen mbi Bashkëpunimin e Përhershëm të Strukturuar (PESCO). Këto janë forume tejet të rëndësishme në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë evropiane, që merren me përpunimin e doktrinave ushtarake, harmonizimin e veprimeve në raste konfliktesh të armatosura, krizash humanitare, fatkeqësish natyrore etj.

Objektiv tejet i rëndësishëm mbetet përafrimi dhe njehsimi i sistemeve të armatimit, me qëllim që nga 180 sisteme në BE, të ketë vetëm 30 të tilla, çka ndikon ndjeshëm në rritjen e shkallës së operacionalitetit luftarak.

Megjithatë, ushtria evropiane është ende larg konturimit të saj dhe do të duhen ende shumë punë dhe përpjekje, që ajo të kthehet në realitet të prekshëm.

Aq më tepër, që veç rezervave dhe kundërshtimeve të mundshme nga vende të tjera, lidhur me këtë ushtri ka dallime jo të vogla dhe ndërmjet Gjermanisë dhe Francës  që rrokin fushat politike, legjislative, ekonomike, diplomatike etj.

Dallimi i parë qëndron në fushën dhe rrezen e veprimit ushtarak. Sipas Presidentit Macron, ushtria e përbashkët evropiane mund të dislokohet edhe në vende të tjera jashtë BE-së deri në Afrikë. Ndërsa sipas Gjermanisë, kjo ushtri do të veprojë vetëm brenda kufijve të BE-së. Kancelarja Merkel e qartësoi këtë ide edhe në fjalën e lartpërmendur në Strasburg, duke nënvizuar se “me këtë ushtri ne do t’i tregojmë botës se brenda BE-së nuk do të ketë luftëra”.

Në këtë qëndrim gjeopolitik, Gjermania mban parasysh tre shkaqe/faktorë thelbësorë: së pari, se pa SHBA-të, Britaninë e Madhe apo dhe Turqinë, BE-ja nuk ka “këllqe” për ndërhyrje ushtarake jashtë saj; së dyti, ndërhyrja jashtë BE-së do të duhet t’i nënshtrohet miratimit nga OKB-ja, ku dihet roli minues i vetos në Këshillin e Sigurimit. Së treti dhe tejet e rëndësishme, sipas ligjeve dhe traditës gjermane, asnjë ndërhyrje ushtarake jashtë vendit, sidomos tej BE-së nuk mund të bëhet pa miratimin e Bundestagut, sfidë kjo tejet e vështirë, sidomos tani që shumica parlamentare është fragmentarizuar si asnjëherë më parë dhe kur kancelari po humbet fuqinë e dikurshme.

Mirëpo debatet dhe procedurat përkatëse në Bundestag dhe në vende të tjera do të vononin dhe kompromentonin çdo lloj ndërhyrjeje ushtarake mbrojtëse.

Kësisoj, objekt madhor i procedurave të ardhshme do të jetë edhe harmonizimi sa më i mirë i sovranitetit të parlamenteve të vendeve anëtare dhe vendimit nga ana e organeve drejtuese të BE-së.

Në përgjigje të shqetësimit të Presidentit amerikan dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut, në fjalën e vet në Strasburg, Kancelarja Merkel pohoi se “ushtria evropiane nuk do t’i kundërvihet dhe as do të paralizojë NATO-n, por vetëm do ta plotësojë atë në raste dhe konflikte të caktuara”. Ndërkohë, vendet anëtare do të vijojnë të japin kontributin e tyre, përfshirë edhe realizimin e objektivit prej 2 për qind të GDP-së dhe detyrimet e tjera.

Vetëkuptohet se ushtria e përbashkët do ta bëjë BE-në më të pavarur, më elastike dhe më të aftë në fushën e sigurisë e të mbrojtjes, në përballimin e krizave dhe konflikteve të ndryshme, duke përfshirë pse jo edhe një refuzim të mundshëm të zbatimit të Nenit 5 të Traktatit të NATO-s, që detyron vendet anëtare të ndërhyjnë dhe të mbrojnë një vend tjetër kur ai sulmohet ushtarakisht. Ndonëse nuk ka pasur dhe nuk ka ndonjë sinjal të hapur, garantimi i mbrojtjes dhe sigurisë evropiane tani e në të ardhmen do të duhet të ecë sipas parimit “shpreso për më të mirën, por përgatitu për më të keqen”.

Së fundi, në vijim të masave dhe reformave të tjera të brendshme dhe të jashtme, krahas garantimit të mbrojtjes dhe sigurisë, ushtria e ardhshme do të ndihmojë BE-në që të kthehet nga një “global payer” në një “global player”, ose nga “një donator global”, në një “lojtar politik global” në të gjitha fushat.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.