Sociale

Këshilli bashkiak miraton bonusin e strehimit për 85 familje në nevojë

14:45 - 16.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ditën e djeshme, në një kohë që banorët e Astirit po protestonin, është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Tiranës, çka është shoqëruar me bojkotim nga ana e opozitës. Kjo e fundit iu bashkua qytetarëve që po protestonin jashtë bashkisë, e kanë kërkuar dëmshpërblime për çdo banesë që do shembet. “Këshilli është pranë qytetarëve! Dëmshpërblim për çdo banesë! Grupi i këshilltarëve të LSI dhe opozita e bashkuar në Bashkinë e Tiranës bojkotuan mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe iu bashkuan qytetarëve të zonës së ‘Astirit’, banesat e të cilëve do të shemben nga projekti i Unazës së Madhe. Grupi i LSI në vizionin e tij beson se institucioni i këshillit është pranë qytetarëve dhe jo në salla! Këshilltarët janë votuar dhe mandatuar për të zgjidhur çdo problem dhe shqetësim të komunitetit të qytetit tonë”, – thuhet në deklaratën e grupit të këshilltarëve të LSI-së. Ky i fundit thekson se kërkon me vendosmëri që të dëmshpërblehet çdo sakrificë dhe shpenzim ekonomik për çdo banesë, duke respektuar të drejtat e qytetarëve dhe të pronës të garantuara nga Kushtetuta, ligjet dhe Konventat Europiane, si edhe të bëhen transparente dhe publike për qytetarët detajet e projektit të Unazës së Madhe. “Mundi dhe djersa e çdo shqiptari të ndershëm që kanë ndërtuar shtëpitë për familjet dhe fëmijët e tyre, meriton të dëmshpërblehet drejtësisht, pasi të gjithë qytetarët që kanë ndërtuar në këto 28 vjet duhet të trajtohen dhe të ndihen të barabartë përpara ligjit dhe shtetit të së drejtës. Grupi i LSI si në të kaluarën, edhe në këtë rast, garanton opinionin, se do të jetë pranë interesave të qytetarëve, duke mbështetur kërkesat e drejta të banorëve të ‘Astirit’ dhe do bëhet mburojë e interesit publik, duke penguar çdo veprim në interes të oligarkëve”, – theksohet më tej në deklaratë.




Miratimi i vendimeve
Pavarësisht bojkotit të opozitës, në mbledhjen e djeshme janë miratuar plot 20 vendime, ndër to edhe ndihma ekonomike për familjet në nevojë si dhe pagesa për personat me aftësi të kufizuara. Në mungesë të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, në mbledhje ka qenë i pranishëm nënkryetari Andi Seferi. E vetmja pikë që pati diskutime ishte ajo që lidhej me miratimin e marrëveshjes paraprake midis Bashkisë së Tiranës dhe subjektit “Alis-ndërtim” sh.p.k, për ndërtimin e një godine disakatëshe në funksion dhe favor të Bashkisë së Tiranës, që është rikthyer për rishqyrtim. Gjithashtu, anëtarët e Këshillit Bashkiak miratuan edhe vendimin për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike për kategoritë përfituese, gjatë periudhës 1-31 tetor 2018, si dhe atë për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind.

Bonusi i strehimit
Ndërkohë, 85 familje të kryeqyteti do të kenë mundësi që me vendimin e djeshëm të mund të marrin një bonus për përballimin e qerasë së shtëpive, ndërsa disa familje të tjera morën ndihmë financiare për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi të ndryshme.

Vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit Bashkiak:

1. Vendim “Për propozim për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1- 30.11.2018”.
2. Vendim “Për miratimin e pagesës për PAK e invalidët e punës për periudhën 1-30 nëntor 2018”.
3. Vendim “Për miratimin e kompensimit të çmimit të energjisë elektrike, për kategoritë përfituese, gjatë periudhës 1-31 tetor 2018”.
4. Vendim “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind, nga fondi i kushtëzuar dhe nga buxheti i bashkisë Tiranë, për periudhën 1-31 tetor 2018”.
5. Vendim “Për miratimin e sistemimit të fëmijës, E.S, pranë Qendrës së Zhvillimit Pëllumbat, Tiranë”.
6. Vendim “Për dhënien e ndihmës financiare për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi të ndryshme, për disa familje që banojnë në territorin administrativ të Bashkisë Tiranë”.
7. Vendim “Për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”.
8. Vendim “Për miratimin e kompensimit ushqimor për fëmijët e familjeve në nevojë në shkollat ku po implementohet projekti pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë” nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë”.
9. Vendim “Për mbylljen e përkohshme të Qendrës Sociale “Shtëpia e Përbashkët”.
10. Vendim “Për disa ndryshime në vendimin nr.132, datë 21.12.2017 të Këshillit Bashkiak “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2018- 2020 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2018, i ndryshuar”.
11. Vendim “Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe rregullat e zënies së hapësirës publike në Bashkinë e Tiranës”.
12. Vendim “Për shqyrtimin dhe miratimin e listës së sipërfaqeve të tokave bujqësore të pandara në Njësitë Administrative Zall- Herr, Pezë dhe Shëngjergj të gatshme për t’u dhënë me qira”.
13. Vendim “Për disa ndryshime në vendimin nr.39, datë 23.05.2016 e Këshillit Bashkiak “Për përcaktimin e linjave të transportit qytetës dhe rrethqytetës të udhëtarëve në Bashkinë e Tiranës, mënyrën e organizimit të shërbimit dhe përcaktimin e stacioneve të qëndrimit të autobusëve të shërbimit në këto linja (i ndryshuar)”.
14. Vendim “Për miratimin e kërkesës për transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të disa pronave të paluajtshme shtetërore, që do të përdoren për ushtrimin e detyrave të saj funksionale në fushën e infrastrukturës”.
15. Vendim “Për miratimin e procedurës së vlerësimit, nxjerrjen jashtë përdorimit dhe asgjësimit të teknikës së transportit në inventar të Bashkisë Tiranë”.
16. Vendim “Për dhënien e miratimit për vendosjen e memorialit të Holokaustit në Parkun e Madh të Liqenit Artificial, Tiranë”.
17. Vendim “Për emërtimin e rrugës “Alqi Boshnjaku””.
18. Vendim “Për emërtimin e Rrugës “Kujtim Hysi”.
19. Vendim “Për vendosjen e një pllake përkujtimore në Njësinë Administrative Baldushk”.
20. Vendim “Për disa ndryshime në vendimin nr.31, datë 31.05.2004 të Këshillit Bashkiak Tiranë “Për Rregulloren e funksionimit të Këshillit të Bashkisë Tiranë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.