KULTURË

Kumbaro braktis parlamentin për “Sfidat e leximit”, Petrit Ymeri: Bibliotekat janë bosh

13:10 - 16.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bibliotekat janë bosh! Ka qenë ky alarmi që dha dje kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, në konferencën e mbajtur lidhur me “Sfidat e leximit sot! Çfarë lexojnë të rinjtë në Shqipëri?”. Në një panel diskutimi me botues, shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve të kulturës dhe arsimit, mësues, punonjës të bibliotekave, përkthyes etj., mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro për të shkëmbyer mendime rreth promovimit të leximit dhe edukimit të lexuesve, fëmijë dhe të rinj. Duke falënderuar Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, që iu bashkua takimit, Z. Ymeri tha:




“Po të vësh re bibliotekat e shkollave sidomos, përballesh me një situatë jo të gëzuar. Mendoj që është e domosdoshme që të bëhen ndryshime rrënjësore. Është edhe një problem të cilit Ministria e Kulturës i ka kushtuar vëmendje, sidomos muajve të fundit, me projekte të ndryshme si ‘Takohemi për një libër’. Kemi bërë një tur me një grup të Shoqatës së Botuesve vjet në disa qytete të jugut të Shqipërisë, në shkolla të qyteteve dhe fshatrave dhe ishte një trishtim i vërtetë”. Sipas Ymerit, duhet një lëvizje dhe një bashkëpunim shumë i mirë për të pasuruar bibliotekat. “Në fund të fundit është detyrë e të gjithëve, por është detyrë e shtetit në radhë të parë  që të ushtrojë një detyrim kushtetues për t’i dhënë kulturë rinisë, fëmijëve. Duhet të kemi ide të qarta, duhen buxhete, dhe duhet organizim, një bashkëpunim”, theksoi ai. Ndërsa ministrja Kumbaro, me të mbërritur nga e enjtja parlamentare në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve ku mbahet Panairi i Librit, vërejti se la parlamentin për librin, sepse për të sfida e leximit ka më tepër rëndësi. “Kemi katër vjet që e vëmë theksin te leximi dhe lexuesi, kur flasim për librin.

U referohemi disa shifrave të cilat dolën nga INSTAT, por që nuk janë befasuese edhe pse tronditëse. Këto shifra nuk u shoqëruan me një analizë më tej, që nuk është vetëm Ministria e Kulturës apo Shoqata e Botuesve, që duhet ta bëjë, por leximi si një mënyrë, si një instrument, si një rrugë emancipimi i shoqërisë duhet të jetë një çështje që shoqëron të gjithë aktorët shtetërorë, publik, privat por edhe ata social”, u shpreh Kumbaro.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.