KULTURË

Koncert i kuintetit të Universitetit të Arteve në qytetin e Korçës

15:10 - 17.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Eno Koço – U ndodha në Korçë në vjeshtën e 2018-ës dhe mbrëmja e një dite e solli të ndiqja një koncert tepër tërheqës të kuintetit me piano të Universitetit të Arteve të Tiranës. Teatri i dramës në Korçë kishte një sallë me një akustikë mjaft të mirë edhe për muzikë dhome, sallë që kishte marrë vlera të reja e shkëlqim pas restaurimit. Organizatorët e këtyre koncerteve, në mënyrë të veçantë Zamira Kita dhe Pandi Bello, i kanë dhënë një emër të mirë qytetit duke ftuar herë pas here grupe muzikore të nivelit të admirueshëm. I tillë edhe koncerti këtij kuinteti. Në qendër të programit solistët e kuintetit kishin ‘Troftën” e Shubertit, vepër aq e njohur dhe me aq pretendime artistike.




Të pestë muzikantët shpalosnin cilësitë e tyre individuale, por dhe të fuzionit dhe kompaktësisë së ansamblit. Koncertmaestri i kuintetit, violinisti Lorenc Radovani, i kishte dhënë veprës së Shubertit tonin dhe shijen me të cilat ajo njihet, përçimin e lumturisë përmes një shatërvani melodish aq joshëse. Tingulli e vibratoja e Lorencit ndihmonin më së shumti në ngjyrimin kumbues të ansamblit.

Roli i pianos në këtë kuintet është parësor dhe Vojsava Manaj me një teknikë lakmuese pianistike, pastërti e sonoritet, ndërtonte ritmet vallëzuese me surpriza muzikore nga më tërheqëset. Këta dy solistë kishin privilegjin të kishin partnerë të tingullit dhe shijes violistin potent e robust, balancë-mbajtësin e ansamblit-Arian Paço, violonçelistin elegant, me tingull të ngrohtë e lojë të çlirët-Gëzim Belegu, ashtu dhe kontrabasistin e kultivuar, themel-mbajtësin dhe reverberuesin e kuintetit-Arben Basha. Janë këta interpretë që në të njëjtën ‘Soirée’ muzikore përcollën pas Shubertit edhe katër vepra të tjera: Zadeja-Humoreska, Gaci-Perpetum mobile, Dvo?ák-Valle Sllave Nr. 8, Brahms Valle Hungareze Nr. 6. Natyrisht këto vepra nuk kishin peshën e Shubertit, aq më tepër që ishin transkriptime për formacionin e këtij kuinteti, por përfshirja e veprave më në zë shqiptare për këtë formacion është për t’u përshëndetur.

Meriton inkurajim të vërtetë e të sinqertë, puna e Lorenc Radovanit për këto përshtatje/transkriptime, edhe pse kjo është një përgjegjësi që nuk merr fund me një ekzekutim të vetëm. Atmosfera e ngrohtë që të krijon Korça për koncerte të kësaj natyre dhe të këtij niveli, e pasuruar nga publiku i saj artdashës, të shpie në reflektime të njëqind viteve më parë kur në Korçën e Thoma Nasit hidheshin themelet e një muzike të mirëfilltë kulte. Stina koncertore e Korçës është rezultati mahnitës.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.