Kryesore

Mithat Frashëri dhe Ismail Kadare për kombin shqiptar: Nga një veprimtar në tjetrin

09:50 - 18.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Albert Doja – Këto ditë fund-tetori dhe fillim-nentori, me rastin e pushimeve shkollore të ndërmjetme, u ndodha në Tiranë dhe pata mundesi të përjetoj një sërë aktivetesh të qytetit por edhe një sërë poteresh që shumëkujt mund t’i duken të zakonshme në qytet. Mes tyre një ceremoni përuruese për botimin e vellimit të tretë të veprave të zgjedhura të Mithat Frashërit me parathënie nga Ismail Kadare ka ngjallur një zallahi te potershme në portale dhe mediat sociale. Edhe një ekonomist i diaspores shqiptare ka shkruar një status të gjatë të mbushur me lavdërime pa masë për njerin dhe fyerje pa fre për tjetrin, me kërkesën ndaj ketij të fundit për t’i kërkuar falje të parit për krimet e komunizmit. Meqë kam patur rast ta njoh vite shkuara në një tubim akademik ndërkombëtar ndërhyra në statusin e tij duke besuar se mund t’i kërkoja të mbante një “mendim më të balancuar” lidhur me këto dy figura të mëdha të kombit shqiptar.




Me një përgjigje të gjatë në formë letre të hapur dhe të datuar, që përshkohej fund e krye përsëri nga e njëjta gjuhë sharjesh e lavdërimesh panagjerike në adresë të njërit apo të tjetrit protagonist, ai më kujtoi fletë-rrufetë apo daxibaot e kohës së shkuar kur për çdo hap që bëja goditesha nga ithtarët e komunizmit dhe kur më duhej të jepja llogari në mbledhjet e kolektivit apo në zyrat e sigurimit. Ithtarët e komunizmit nuk kishin hallin tim por hallin e tyre, kush e kush të dukej sa më i perkushtuar ndaj çështjes së Partise. Për këtë ata merrnin shperblime të shumta, disa nga kolegët e mij edhe specializime jashtë shtetit. Por me sa duket komunizmi paska rrënjë të thella, perderisa u paska lënë disave për kusur të vazhdojnë luftën e klasave me çdo kusht.
Pa dyshim që të gjithë pajtohemi në një pikë të përbashkët kur gjithkush kërkon dënimin e komunizmit dhe drejtësi per viktimat e tij, jo vetëm “si sllogan pa shumë përmbajtje” siç aludohet edhe ndaj meje në rrjedhën e akuzave ndaj Ismail Kadaresë. Ligji i lustracionit për dënimin e krimeve të komunizmit është gjëja e parë që duhej të ishte bërë në Shqipëri më shumë se kudo.

Por nuk e kam zakon të merrem me letra të hapura e daxibao të ketij lloji. Kush të dojë të mesojë më shumë se si e kam dënuar komunizmin, në fushën modeste të kompetenceva të mia, le të gjykojë më mirë nga punët e mia të botuara ku kam bërë sa kam mundur për të demaskuar “krimet” e studimeve të kohës së komunizmit ku perfshihen si studimet albanologjike edhe letersia e realizmit socialist. (Shih p.sh. Albert Doja & Enika Abazi (2016) “From the communist point of vieë: Cultural hegemony and folkloric manipulation in Albanian studies under socialism”, Communist and Post-Communist Studies, vol. 49 (2), pp. 163–178, http://dx.doi.org/10.1016/j.postcomstud.2016.04.002, Open access https://halshs.archives-ouvertes.fr/halshs-01309745; shih edhe Albert Doja (2015) “From the native point of view: An insider/outsider perspective on folkloric archaism and modern anthropology in Albania”, History of the Human Sciences, vol. 28 (4), 2015, pp. 44-75, http://dx.doi.org/10.1177/0952695115594099, Open access https://halshs.archives-ouvertes.fr/halshs-01214230).
Megjithatë, me kritikën time qëllimi nuk është vetëm të denoj “krimet” apo të rivendos drejtesitë. Punën time e shoh si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të shtruar themele më të forta që t’i shërbejnë bashkimit dhe forcimit të kombit shqiptar. Madje edhe për vlerësimin e Frashërllinjve në punimet e mia, gjithnjë brenda fushës së kompetencave të mia, une nuk kam treguar aspak afinitetin fetar të Naim Frashërit, por përdorimin e fesë nga Naim Frashëri për të bashkuar kombin shqiptar, duke përfunduar se për këtë nuk ka nevojë që Naim Frashëri të shikohet si i lidhur me fenë, si bëjnë disa dhe që nuk ka sjellë veçse përçarje. (Shih p.sh. Albert Doja (2013) “The Politics of Religious Dualism: Naim Frashëri and his elective affinity to religion in the course of 19th-century Albanian activism”, Social Compass: International Revieë of Sociology of Religion, vol. 60 (1), pp. 115–133, http://dx.doi.org/10.1177/0037768612471770, Open access https://halshs.archives-ouvertes.fr/halshs-00806371; shih edhe Albert Doja & Enika Abazi (2013) “Further considerations on the politics of religious discourse: Naim Frashëri and his Pantheism in the course of nineteenth-century Albanian nationalism”, Middle Eastern Studies, vol. 49 (6), pp. 859-879, http://dx.doi.org/10.1080/00263206.2013.836495, Open access https://halshs.archives-ouvertes.fr/halshs-00922488).

Në fund të fundit, me perjashtim të ndryshimit të regjimeve tek të cilët si Mithat Frashëri edhe Ismail Kadare janë mbështetur nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes njeri-tjetrit për njerëz të tillë të mëdhenj të kombit shqiptar. Për mua, pavarësisht nga kusuret e veta dhe peripecitë e historive të tyre, këta janë dy kollosë të mëdhenj që meritojnë njëlloj respektin e kombit dhe përulësinë e bashkëkombasve të tyre. Mithat Frashëri u përpoq për bashkimin e kombit, ashtu si Ismail Kadare është përpjekur dhe përpiqet për dinjitetin e kombit. Megjithatë, nëse Mithat Frashëri u mbështet tek fashizmi njëlloj si Ismail Kadare u mbështet tek komunizmi, deri këtu nuk ka asnjë ndryshim. Ndryshimi qëndron tek ne që kujtojmë se mbështesim Shqiperinë duke përbaltur njërin apo tjetrin prej tyre dhe keshtu duke perçarë bashkëkombasit.
Sa për kuriozitet, lidhur me rolin e Mithat Frashërit në dështimin apo suksesin e Kongresit të Manastirit, mund të shihet nje burim që nuk ka lidhje me manipulimet komuniste, si p.sh. Frances Trix (1997) “Alphabet conflict in the Balkans: Albanian and the Congress of Monastir.” International Journal of the Sociology of Language, vol. 128, pp. 1–23. Ndërsa për provat e bashkëpunimit të Mithat Frashërit me pushtuesit, kjo është një çështje historike jashtë kompetencave të mia. Sigurisht ka punime të mira të cilave mund t’u referohet gjithkush, si p.sh. Ana Lalaj me literaturën dhe dokumentacionin e përdorur prej saj, ndonëse studiuesit shqiptarë duhet patjetër të merren edhe më shumë me këtë çështje.

Unë nuk jam historian që të shkruaj apo rishkruaj historinë. Ashtu si në shkencat ekonomike që besoj se të tjerët i njohin më mirë se unë, edhe shkencat e tjera sociale merren me analizen e realitetit ekonomik, social, politik apo historik. Por çdo lloj nga këto analiza nisen para së gjithash nga hamendësimet dhe hipotezat që çojnë përpara shpjegimin ekonomik, sociologjik, politik apo historik. Prandaj e vetmja gjë që mund të bëj është një analizë e këtij lloji dhe e pa-anshme.
Me dy fjale, si Balli Kombëtar edhe komunistat shqiptarë janë përpjekur të bashkojnë shqiptarët nën flamurin e tyre dhe të marrin pushtetin. Për fat të keq, apo ndoshta pikërisht për këtë arsye, Balli Kombetar dhe komunistat shqiptarë u rreshtuan në llogoret e kundërta të luftës civile. Por si njëra pale edhe tjetra u mbështetën tek fuqitë e mëdha ndërluftuese, njëra palë me fuqitë e boshtit fashist dhe pala tjetër me fuqitë aleate antifashiste. Komunistat shqiptare u mbështetën tek Bashkimi Sovjetik ndersa Balli Kombetar mund të mos ketë bashkëpunuar drejtpërsëdrejti por u gjend në të njëjtën llogore me Gjermaninë Naziste.

Gjatë luftës, si Komunistat edhe Balli kanë patur qëllimet e tyre politike dhe kane luftuar me të gjitha mjetet për t’i realizuar ato. Por edhe Sovjetikët dhe Gjermanët, si dhe bashkëpunëtorët e tyre, kanë patur qëllimet e tyre politiko-ushtarake dhe kanë bërë çmos per t’i realizuar ato. Në politikën e tyre ata perfshinë edhe manipulimin e aspiratave etnike (në rastin e gjermanëve) apo revolucionare (në ratin e sovjetikëve) të popujve të pushtuar. Deri këtu mund të thuhet se nuk ka asnjë problem. Në fund të fund edhe sot ne kerkojmë mbështetje tek partnerët amerikanë apo gjermanë. Çështja qëndron vetëm në faktin se Luftën e Dytë Botërore e fitoi Bashkimi Sovjetik ndërsa Gjermania Naziste kapitulloi, pra historia ka nxjerrë fitimtar njërën palë në dëm të tjetrës. Ky ishte fati historik që nuk ndryshohet dot. Gjithçka tjetër mbetet çështje bindjesh e besimesh. Nese nisemi nga pozita të një-anshme futemi në qorrsokakun e bindjeve dhe besimit. Por me bindjet dhe besimin nuk mund të argumentohet.

Një shembull i thjeshtë larg potereve shqiptare mund të sherbejë për ta kuptuar më mirë këtë analizë. Në Francë, Mareshal Petain ka qënë dhe mbetet heroi fitimtar i Luftës së Parë Botërore. Perkujtimet zyrtare të njëqind-vjetorit të kësaj fitoreje kanë filluar pikërisht këto dite. Por gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai bëri kompromis kombëtar me Gjermaninë Naziste për të shpëtuar Francën nga pushtimi dhe Parisin nga shkatërrimi. Për këtë Franca e denoi me burgim të përjetshëm. Edhe sot e kësaj dite, Franca e konsideron si një turp kombëtar. Megjithatë, në varrin e tij vazhdojnë homazhet nga disa që janë të bindur dhe besojnë se ai mbetet heroi fitimtar i Luftës së Parë Botërore që i dha nder e lavdi kombit francez, pa çka se e mbuloi me turp gjatë Luftës së Dytë. Askush nuk mund të argumentojë me bindjet dhe besimin e tyre.

Krahasime të tilla që përdoren në këto lloj analizash mund të cilësohen me naivitet si konkluzione të mëdha që thuhet se “huazojnë gjëra të sajuara … ashtu kuturu”. Por mund të them se as Franca, as Shqipëria dhe askush nuk mund të ketë një histori të faktuar e të pranuar gjërësisht siç besojne disa. Madje më duket një shprehje e kompleksit të inferioritetit kombëtar nëse besojmë se vetëm ne si komb apo vetëm komunistat shqiptarë kanë qënë aq të “mençur” sa të manipulojnë historinë, ndërsa të tjerët nuk e kanë këtë aftësi. Shprehje e të njëjtit kompleks inferioriteti është edhe besimi se ne, Shqipëria, kombi shqiptar, traditat apo historia shqiptare, ku perfshihet edhe diktatura komuniste, përbejnë një rast unik që duhet trajtuar në menyrë të veçantë në analizat historike.

Kudo qofshin, njerëzit do ta interpretojnë dhe do ta nderojnë historinë duke u mbështetur në bindjet dhe besimet e tyre që mund të jenë shumë të lavdëruara por nuk janë argumente për analiza historike. Askush, as historianët më të shquar nuk shpëtojnë dot nga manipulimi, demagogjia dhe shtrembërimet dashakeqëse apo dashamirëse të historisë. Prandaj sa herë janë ndërruar regjimet ideologjike historia është rishkruar dhe do të rishkruhet medoemos, si në Shqipëri edhe në Francë dhe kudo.
Këtë kam parasysh dhe nuk aludoj për “axhenda të errëta” kur them se nuk e di kujt “partie” i shërbejnë këto daxibaot e sotme për të lartësuar apo përdhosur dikë me çdo kusht, por jam i sigurt se i shërbejnë më së miri dikujt apo një kauze të caktuar. Nuk ka, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjëherë dhe asgjëkundi një histori objektive. Sepse historia shkruhet gjithnjë për dikë dhe ka gjithnjë një qëllim të caktuar ideologjik. Edhe fakti që ne sot kërkojme mbështetje tek partnerët amerikanë apo gjermanë do te vleresohet e rivleresohet përsëri nga historia në të ardhmen. Kësaj nuk i shpëtojmë dot me bindjet e tanishme dhe besimin e patundur që mund të kemi se po e bëjmë në të mirën e kombit.
Ne fakt, siç ka vënë në dukje një nga mendjet më të ndritura por edhe më kritike të njerezimit dhe që ekonomistat e njohin shumë mirë, çështja është se historinë e shkruajnë fitimtarët. Vërtet komunizmi është përmbysur në Shqipëri por vlerat kulturore dhe historike mbi të cilat mbështetet regjimi i sotem rrjedhin përsëri nga fitorja e demokracive liberale mbi fashizmin. Prandaj nëse komunizmi sovjetik e shqiptar u rreshtua me demokracitë liberale dhe balli kombetar u mbështet tek Gjermania Naziste si fuqia më e rëndësishme e boshtit fashist, historia e Mithat Frasherit mbaron këtu.

Sigurisht, konkluzionet historike do të ishin “krejt të pabaza” nëse i faturojnë Mithat Frashërit qënien “në një llogore” me palën humbëse vetëm e vetëm se komunistët fituan pushtetin. Në fakt është e kundërta, Mithat Frashërit i faturohet fati i keq historik, të cilin propaganda komuniste e ka cilesuar si tradhëti, jo meqë komunistët fituan pushtetin, por meqë Balli Kombetar u gjend “në një llogore” me palën humbëse, domethene me fuqitë e boshtit fashist kundër të cilave fituan fuqitë aleate antifashiste ku u rreshtuan edhe komunistat shqiptare.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Mithat Frashëri nuk ka merita dhe nuk duhet vlerësuar si veprimtar i madh i kombit shqiptar. Përkundrazi, na duhet të vleresojmë tek ai dhe tek çdokush tjetër çdo lloj përpjekje që i ka shërbyer çështjes kombëtare.

Për fat të mirë, si askush tjeter, Ismail Kadare u ka dhënë dinjitet ndërkombëtar letrave shqipe dhe gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Por kjo nuk u intereson shumë kundërshtarëve të tij që merren më shumë me biografinë e tij personale dhe politike. Shumëkush thotë se gjatë regjimit komunist ai ishte një farë shkrimtar oborri dhe shumëkush mund të thotë se nuk mund të ishte ndryshe sepse ashtu ishte koha. Megjithatë, kundërshtarët e tij përpara se ta përgojojnë e ta përbaltin do të bënin më mirë të lexonin veprat e tij në kontekstin politik të kohës kur janë shkruar e janë botuar.
Në fakt, në atë kohë të gjithë fshiheshin në brima si minj dhe ne të rinjve na dukej sikur bënim disidencë me zullumet shkollore vetëm e vetëm për t’u bërë sherr trupit mësimdhënës që kishte detyrën të na disiplinonte me hapin ushtarak të Partise. Ata që më kanë njohur gjatë viteve shkollore me siguri kujtojnë se kur na bëhej zbor me këngë partizane, “disidenca” me e madhe ishte që ne vend të tyre të këndonim këngët patriotike të Rilindjes dhe të lëvizjes për pavarësi kombëtare. Kjo duket sa qesharake apo naive aq edhe për të ardhur keq. Por tregon gjendjen e pashpresë në të cilën ndodheshim ne të rinjtë. Në një kohë të tillë, vetëm tek Ismail Kadare mund t’i kthenim sytë dhe veshët për sadopak shpresë. Ai e dinte këtë dhe nuk na ka zhgënjyer.

“Keshtjella” e tij, për shembull, na ka mbushur me ngazellim, sepse për ne “Keshtjella” nuk ishte qëndresa ndaj imperializmit por qëndresa e kombit ndaj komunizmit aziatik. Ndërsa kur doli “Pallati i ëndrrave”, kjo nuk ishte më sekret për askend. E kemi pritur me brohoritje nga shpirti. Madje një grusht bashkëmoshatarësh jemi mbledhur sëbashku dhe kemi festuar në shoqëri të fshehtë sepse na dukej sikur vetem ne zotëronim çelesin e një të vërtete të madhe që parashikonte kalbëzimin dhe frymëzonte per shkatërrimin e komunizmit. Në fakt, mund të them se me “Pallatin e ëndrrave” të Ismail Kadaresë, komunizmi mori goditjen e parë në mendjet e shqiptarëve, prej nga mori edhe kthesën drejt fundit të vet. Kjo është magjia e letërsisë së madhe, si dhe fuqia e madhe e një gjeniu si Ismail Kadare. Kjo nuk duhet harruar dhe aq më pak të përbuzet, por duhet promovuar.
Në fund të fundit, jo më kot Ismail Kadare ka fituar famë botërore, jo tani dhe as si disident i vetëshpallur, por në kohët më të vështira të Luftës së Ftohtë, sepse Perëndimi shihte tek ai një disident të mundshëm që me shumë gjasa mund të frymezonte popullin e tij për rrëzimin e komunizmit. Por më shume se çdo gjë tjetër, Ismail Kadare duhet vlerësuar e perkrahur, jo sepse nuk ka kusure personale, por sepse ai ka shfrytëzuar famën qe ka fituar në botë për t’u bërë sot si askush tjetër korifeu më i madh i veprimtarisë kombëtare, që si një simbol kombëtar lufton për ta bashkuar dhe për t’i dhënë emër e dinjitet kombit shqiptar.
Ç’është e vërteta unë revoltohem kur përbalten figurat e shquara të kombit, sidomos ata që janë bërë simbole kombëtare, ashtu si gjuha dhe flamuri, me fjalë të tjera ata që i kanë dhënë emër e dinjitet kombit shqiptar. Revoltohem kur disa shkojnë gjer aty sa të përbaltin edhe Skënderbeun dhe me vjen mirë kur Ismail Kadare i bën homazh Mithat Frashërit. Kjo nuk është hipokrizi por përpjekje për të bashkuar e përforcuar kombin shqiptar. Më vjen mirë sidomos që këtë gjë e bën pikërisht Ismail Kadare. Edhe pse disa nuk mund ta kuptojnë, në fakt s’ka si të jetë ndryshe. Nëse ruajmë proporcionet përkatëse, vetëm Skënderbeu qëndron pa dyshim para tij për emrin dhe dinjitetin që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë. Midis Skënderbeut dhe Ismail Kadaresë mund të ketë edhe ndonjë tjetër, por kjo nuk ka rëndësi në këtë diskutim. Ismail Kadare nuk është thjesht vetëm një gjeni i letërsisë shqipe. Ai është një nga veprimtarët e fundit që i jep nder, lavdi e dinjitet kombit shqiptar në botë si askush tjetër. Nëse hedhim baltë përmbi të, kombit shqiptar nuk i mbetet veçse baltovina. Prandaj kur të flasim për Ismail Kadarenë duhet të mendohemi mirë me kë jemi, me kombin shqiptar apo me baltën ku kemi mbetur dhe që hedhim mbi kokat e njeri-tjetrit.
Duhet bërë çmos për të bashkuar gjithë shqiptarët dhe përforcuar dinjitetin e Shqipërisë me çdo kusht, pavarësisht nga përçarjet e mëparshme dhe kusuret që kemi mbartur. A nuk ishte ky pikësynimi i Mithat Frashërit? Si askush tjetër këtë gjë ka bërë dhe vazhdon të bëjë Ismail Kadare me letërsinë dhe veprimtarinë e tij. Nuk besoj se Mithat Frashëri ngrihet me lart duke ulur Ismail Kadarenë. Njerëzit e mëdhenj e të dobishëm vlerësohen nga veprat dhe kontributet që kanë për kombin e tyre dhe për mbarë njerëzimin, por edhe që u njihen si të tilla nga të tjerët. Nëse gjithësekush do bënte sadopak në këtë drejtim, Shqipëria do ishte bërë me kohë.
Si përfundim, prandaj kam kërkuar një “mendim më të balancuar” në vlerësimin e këtyre dy figurave kombëtare. Sepse me të tillë si Mithat Frashëri dhe Ismail Kadare duhej të kishim më shumë shpresë. Por me sa shoh, për fat të keq, mundimi i veprimtarëve të tillë si Mithat Frashëri dhe Ismail Kadare ka shkuar dhe po shkon dëm. S’ka mbetur më asnjë Mithat Frashër ta bashkojë këtë komb dhe nëse përbuzim Ismail Kadarenë nuk do të mbetet asnjë tjetër si ai për t’i dhënë dinjitet këtij kombi. Një shembull i mirë për të punuar për bashkimin dhe përforcimin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë duhej konsideruar homazhi i Ismail Kadaresë për Mithat Frashërin. Më lemeris ideja që me këto lloj përçarje dhe përbaltje s’kemi per t’u bashkuar kurrë si komb dhe kemi për të mbetur gjithnjë pa dinjitet. Mjerisht shumë shqiptarëve u ka ngelë ora te Mukja dhe te lufta e klasave. Nuk e di kujt i intereson kjo… vaj medet…

Megjithatë, besoj se Mithat Frashëri dhe partizanët e tij të sotëm mund t’i bashkohen Ismail Kadaresë si një simbol kombëtar dhe korifeu i padiskutueshëm i veprimtarisë së sotme kombëtare. Vetëm kështu të gjitha forcat dhe pikësynimet kombëtare do të kontribuojnë për ta rreshtuar kombin shqiptar me fitimtarët në betejat e së ardhmes, sepse pa dyshim historinë do ta shkruajnë gjithnjë fitimtarët.

*Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Profesor titullar në Universitetin e Lilës, Francë


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ju, Albert, shkruani:

    “…Megjithatë, nëse Mithat Frashëri u mbështet tek fashizmi njëlloj si Ismail Kadare u mbështet tek komunizmi, deri këtu nuk ka asnjë ndryshim…”

    Pra, ky eshte opinioni juaj, por ju as qe e nderoni si te tille. Jo, ju e percillni kendveshtrimin tuaj, dhe vec ju e dini perse keni kete botekuptim- si nje aksiome. E thoni si dicka te provuar e deshmuar, pa menduar se se pari…
    Se pari nuk eshte e vertete; Mid’hat Frasheri jo vetem nuk u mbeshtet tek Fashizmi, por pjesa me e madhe e ballistave te njohur ishin anti-fashist. Madje kane qene edhe anti-Zogist por kjo eshte toke e minuar per ju: si mund te pranoni ju se mund te jesh edhe antifashist edhe antizogist?!
    Teksa, deri ne 1990 Ismail Kadare u mbeshtet dhe ishte mbeshtetes cilesor i Komunizmit. Jo vetem ne fushen e krijimtarise, zoti Doja, dhe ju vete e dini se jeni i pasiqnerte kur pretendoni se “Keshtjellen” nuk e lexuat si Keshtjellar i Socializmes ne Bote, por si qendrese e “shqiptareve me origjine te dikurshme te krishtere”, sic ndodh ta lexosh tani Keshtjellen e ripunuar per arsye nobelistike! Kadare e ka mbrojtur deri te LE Monde, lotin e shqiptareve per vdekjen e kryetarit te shtetit te tyre, Enver Hoxha, dhe ju s’mund te gejni ndonje shembellim te tille ndaj fashizmit, te Lumos Skendo…

    Kjo nuk e ve ne diskutim vleren e caktuar te shkrimtarit Ismail Kadare, por ne paralelet qe heq ti, vetem drejtesia vijash logjike s’ka! 70 vite pas vdekjes, Frasheri vijon ngjitjen. Nuk jam i sigurt se kjo pergatitet te ndodhe me Ismail Kadarene. Mbase ngaqe fashizmi ishte pushtues i huaj qe erdhi e shkoi teksa komunizmi ishte nje dhune qe ende kundermon tek njeriu i ri!

    Përgjigju ↓