OPINION

Panairi i ri i librit, ose ”Panairi i përkthimeve”

07:20 - 18.11.18 Sulejman Mato
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kam pasur gjithmonë kënaqësinë të futem në një panair librash, pasi më është dukur vetja si në një festë dhe sikur takohem me Tolstoin, Kazanzaqisin, Çehovin, Dostojevskin, Hygonë, Stendalin, Dikensin, Andriçin, Ricosin, Lorkën, Markesin, Murakamin etj., etj…




Përshtypjet e para të këtij panairi të ri janë të veçanta. Pasi kalon si në një paradë midis stendave me libra të përkthyer, mendon se nuk je në një panair shqiptar, as në Shqipëri. Mund të jesh në panairin e librit të Parisit, të Frankfurtit, të Gjenevës, të Bolonjës, vetëm në Panairin e librit të Tiranës nuk mund të jesh…Nuk do gabohesha po të thosha se 90% e librave të këtij panairi janë përkthime nga gjuhët e huaja.

Ka disa vite që këtë drejtim i kanë dhënë botuesit e shumtë, nisur dhe nga përfitimi i shpejtë. Është e vertetë. Libri është në krizë. Dhe shtëpitë botuese, janë në krizë, për shkak të shitjes së ngadaltë të librit dhe për shkak të rënies graduale të lexuesit.

Këtë panair edhe pse do e quaja “Panairi i përkthimeve” nuk mund t’ia ul vlerat, përkthyesve as botuesve. Duke kaluar pranë stendave ndjen një krenari të veçantë për punën, guximin dhe iniciativën aventureske të botuesve, për të sjellë në gjuhën shqipe gjithë këtë thesar të madh e të paçmuar të letërsisë dhe filozofisë botërore.

Problemi që kam unë me librin qëndron tek raporti që duhet të kishte midis letërsisë së autorëve të huaj me letërsinë shqiptare. Çdo nacionalitet synon stimulimin dhe reklamimin e vlerave kombëtare. Këtë gjë e kam parë vet në panairet e librit të Gjenevës, të Bolonjës, dhe të Frankfurtit, ku botuesit e do shteti i japin përparësi autorëve të tyre, ndërsa në panairin tonë autorët shqiptarë ndjehen të huaj e të papërfillur. Një detyrë e tillë i takon Ministrisë së Kulturës e cila ,edhe për shkak se Ministrja dhe drejtoresha e librit janë përkthyese, është kthyer në një institucion të shoqërisë “traduki”, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta.

Në tre lexuesit e mundshëm të librit shqiptar, që do të klasifikoja, i pari, ”i munguari”, është ai që ka emigruar, “i lodhuri” është ai që frekuenton çdo vit panaire dhe investigon librat e mirë, ndërsa lexuesi i tretë, ”i distancuari” është një lexues me Iphon në xhep. Lufta me librin duhet të quhet lufta për afrimin e tri llojeve të lexuesve shqiptarë. Lidhur me këtë panair të ri, them me bindje, se, botuesit e kanë gjetur shpëtimin tek letërsia e përkthyer, e cila në të shumtën e rasteve botohet pa kontratë për të drejtat e autorit, shto këtu dhe faktin që përkthimet nuk bëhen nga përkthyes profesionistë. Provo të hapësh faqet e para të disa librave të përkthyer dhe do të ndeshesh me emra krejtësisht të panjohur.

Ka një vërshim të madh përkthyesish diletantë, të cilët paguhen dobët nga shtëpitë botuese, ndërkohë që shumë përkthyes të mirë i gjen brenda dhe jashtë vendit. Bumi i emigracionit ka bërë që në fushën e përkthimeve të gjesh përkthyes ekselent, por ata duhen kërkuar, duhen gjetur dhe duhen paguar sipas standardeve bashkëkohore të përkthimit, të cilat janë të sanksionuara me ligj…Duke vizituar këtë panair mendoj se raporti letërsi shqiptare- letërsi e huaj është tejet në favor të letërsisë së huaj. Dhe kur sheh librin e një autori shqiptar, dijeni mirë se pagesa e librit  është bërë prej vet autorit. Shtëpia botuese i ka dhënë mundësinë e ISBN-së. Unë nuk jam kundra përkthimeve, madje në këtë panair gjen vepra të autorëve shumë të njohur, mirëpo, të mbushësh një panair me përkthime do të thotë të synosh “kolonizimin kultural të një kombi me tradita të mëdha kulturore” Pas 45 vjet izolacioni kulturor ne kemi pasur një uri të madhe për librin e huaj, por tashmë, konstatojmë qetësisht se kjo uri jo vetëm ka kaluar, por është kthyer në të keqen e vet. Lexuesi shqiptar është velur me letërsinë e huaj, ai nuk gjen problemet e vendit të vet, nuk gjen karaktere dhe përshkrime të vendit të vet. Nga ana tjetër, kjo letërsi, e përkthyer, i ka çmimet të kripura. Dominon shifra 7 euro dhe 9 euro për të mos thënë që për disa nga librat që kërkohen nga lexuesi çmimet e tyre variojnë nga 1000-1800 lekë të reja. Librin për fëmijë “Hari Poter”  të cilin do ta blija për nipin tim,  kushton 1400 lekë të reja. Ç’është e vërteta, midis morisë së përkthimeve të një letërsie limonatë gjen dhe libra të rëndësishëm. Gjen romane nobelistësh, romane klasikë, libra filozofikë, letërsi për fëmijë, etj., të cilat unë do të kisha dëshirë t’i kisha në bibliotekën time, por, xhepi i një pensionisti, i një studenti, i një nxënësi, apo i një punonjësi, nuk mund t’u përgjigjet çmimeve të botuesve. Unë i di mirë kostot e librave. Po të mendosh për një tirazh mesatar 500 kopje, gjë e pranueshme edhe për një shtëpi botuese pariziane, them me bindje se disa nga botuesit e këtij panairi e kërkojnë fitimin mbi 50%.

“Panairi i librit” ka një histori të vet disavjeçare, por kohët e fundit ka ardhur duke u konsoliduar dhe përqendruar si një “panair i përkthimeve”

Serish vërejtjet bien mbi Ministrinë e Kulturës, e cila duhet t’u vijë në ndihmë autorëve me anë të subvencioneve. Një vend nuk mbahet dot me mall të huaj. Krijimtaria letrare është një prodhimtari intelektuale që kërkon ndihmën e shtetit.

Megjithatë, kur viziton këtë panair ndjen kënaqësi të veçantë, pasi vëren që është bërë një investim kolosal dhe me vështirësi të shumta, për të arritur në një kohë të shkurtër këtë mal me libra autorësh, vendas dhe të huaj. Një kënaqësi tjetër e këtij panairi është kur sheh sesi, disa shtëpi botuese kanë krijuar profilizime. “Toena” me librin tradicional, ”Dituria” me shumanësinë e llojeve, “Onufri” me botimin e plotë të Kadaresë, ”Uegeni” dhe “Eriku” me botimet e disa autorëve shqiptarë, ”Skënderbeg book” me botimin e disa nobelistëve, “Omska” me kopertinat cilësore dhe botimin e autorëve të rëndësishëm botërorë. “Uegeni” me letërsinë ruse: Çehovin, Dostojevsk Stendal, etj., ”Noli” me Nicen, etj. Do të ishte mirë që shembulli i Sh.b. “Onufri” me botimin e plotë të Kadaresë të ndiqej nga botuesit. ”Toena” këtë gjë e ka bërë me F.Kongolin, Z.Çelën, N. Lerën dhe D.Çulin… “Konica” e ka bërë me “Konica“, ”Erik” e ka bërë me Zeqon. Një shtëpi tjetër e ka bërë me krijimtarinë e Petro Markos. Mendoj se ka hapësirë dhe për më shumë autorë të tjerë të cilët këta botues duhet t’i bëjnë të njohur. Personalisht do të doja reklamimin e disa autorëve që unë i vlerësoj shumë, si,

F.Halitin, M.Vyshkën, F.Reshpen, H.Mecen, K.Petritin, M.Vyshkën, K.Blushin, R.Gjozën, etj. Në këtë panair marrin pjesë dhe disa shtëpi botuese kosovare dhe shqiptaro-maqedonase. Kjo gjë ia shton vlerat panairit, duke i dhënë një dimension mbarëkombëtar, mirëpo , janë të rralla ato raste që një shkrimtar kosovar ose maqedonas të botohet i plotë nga një shtëpi botuese shqiptare, ndërkohë që botuesit e trevave shqiptare, të Kosovës dhe të Maqedonisë, në këtë panair, kanë sjellë botimet e disa autorëve shqiptarë. Te ky panair të bie në sy, se si, një autor shqiptar si R.Gjoza e gjen te stenda e shtëpisë botuese “Buzuku” me disa botime, ndërkohë që te asnjë shtëpi botuese shqiptare nuk gjen veprat e një autori kosovar. Jemi të gjithë dëshmitarë se si priten autorët vendas nga shtëpitë botuese. Janë raste të rralla ato kur një botues merr përsipër botimin e një vepre letrare, me shpenzimet e veta.

Me sa jam në dijeni, Ministria e Kulturës ka afruar një lloj klani të ashtuquajtur shkrimtarë. Është ai klan që dhe përfiton nga kjo ministri dhe kur gjykon për përkthimin e librave.

Sa i përket shtëpive botuese, unë mendoj se ato kanë vështirësitë e veta. Së pari, pasi iu është larguar lexuesi tradicional. Së dyti, libri, ndryshe nga çdo produkt që del në treg, ka një shitje të ngadaltë. Librit nuk ia merr dot fitimin brenda një viti.

Së treti, libri ka funksion edukativ. Për këtë arsye mendoj që drejtorisë së Librit në Ministrinë e Kulturës i del si detyrë ta ndjekë në vazhdimësi krijimtarinë e autorëve shqiptarë, edhe përmes studimeve, por, edhe të subvencionojë disa nga autorët shqiptarë, përmes shtëpive botuese. Një punë lavdëruese ka bërë shtëpia botuese “Toena’ dhe jo vetëm, e cila ka botuar shumë shkrimtarë shqiptarë me fondet e veta, madje ka botuar dy kolana cilësore, atë të poezisë dhe të tregimit. Në shembullin e kësaj shtëpie botuese duhet të ecnin dhe të tjera shtëpi botuese, në qoftë se e kuptojnë drejt misionin e vet. Është fjala për shkrimtarë të talentuar, të cilët i kemi të paktë si uraniumi dhe duhet t’i konsiderojmë vlerë kombëtare. Ndryshe, çfarë kuptimi do të kishte kultura e një vendi kur ajo nuk sponsorizon talentet e veçanta, në letërsi, muzikë, pikturë dhe në arte të tjera. Më vjen mirë që, kohët e fundit, në zërat e krijuara për biznesin dhe investimet, ka dhe një zë të rëndësishëm, i cili quhet “investimi për talentet”. Së fundi, unë do t’iu lutesha përzemërsisht botuesve dhe drejtorisë së Librit që të mendojnë pak dhe për ligjin e sponsorizimit, i cili ende nuk kuptohet drejt se çfarë humb dhe çfarë fiton shteti dhe biznesmenët nga ky ligj.

|

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.