Kryesore

Të enjten Kuvendi voton për Sandër Lleshaj, përballja e dytë me Metën

11:51 - 18.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të enjten Kuvendi do të votojë emërimin e Sandër Lleshaj si ministër të Brendshëm. Pas votimit në seance Lleshaj nuk mund të nise zyrtarisht detyrën pa bërë betimin përpara presidentit Ilir Meta. Kushtetuta nuk i vendos ndonjë afat kryetarit të shtetit për ceremoninë e betimit, por mësohet se nuk do të ketë asnjë vonese nga kryetari i shtetit.
Mbrëmjen e së premtes, Meta njoftoi dekretimin e Lleshajt si ministër i Brendshëm. Një vendim i cili ishte thuajse i pritshëm, ndërsa më herët gjatë ditës Kreu i Shtetit kishte firmosur nxjerrjen në lirim të gjeneralit. Pasi kryeministri Edi Rama i ripropozoi të premten e shkuar, emrin e Lleshajt, presidenti Meta bëri të ditur se shqetësimi i tij në këtë rast lidhej me statusin si ushtarak të tij.
Në një letër dërguar Ministrisë së Mbrojtjes, ku ai kërkonte informacion rreth kësaj çështjeje, Kreu i Shtetit nënvizonte se “Ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, dhe kandidatura e zotit Lleshi vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake” e për pasojë “emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese”.
Sipas Metës, “ushtaraku i shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhet ose të emërohet në detyra të tjera shtetërore dhe as nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”.
Sandër Lleshaj është liruar nga detyra e zëvendës shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në vitin 2013 dhe është nxjerrë në lirim me dekret të presidentit të atëhershëm Bujar Nishani. Ai ju drejtua gjykatave, dhe Apeli administrativ i dha të drejtë në 2017 duke kërkuar rikthimin e tij në detyrë si dhe që ministria e Mbrojtjes t’i japë pagën deri në ditën e emërimit të ri. Ndërkohë çështja ka përfunduar në Gjykatën e Lartë, ku nuk është mbyllur ende.
Përmes një letre dërguar presidentit, Lleshaj shpjegoi se pas vendimit të Apelit, i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes zbatimin e tij, porse ministria e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Ai shprehej se nuk mund të konsiderohet ushtarak aktiv duke qenë se “të tillë quhen ata që shërbejnë në Forcat e Armatosura dhe mbajnë uniformë”.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.