DOSSIER

Irakli Koçollari: Profili kompleks i Mit’hat Frashërit, çfarë thonë dokumentet gjermane e amerikane

16:15 - 19.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është shumë e vjetruar, madje një banalitet urban i rëndomtë dhe i tejkaluar slogani që përdoret shpesh, se “Historinë e bëjnë fitimtarët!” Jo! Askund dhe askurrë historinë e vërtetë nuk e kanë bërë ata. Fitimtarët mund të shkruajnë histori, por kjo nuk do të thotë se ata e bënë vërtet historinë! As Cezari as Hanibali, as Kaligula, as Neroni; as perandorët bizantinë, Teodosët, Justinianët, Laskarët, Paleologët, por sigurisht as Hitlerët, Musolinët apo ndonjë politikan tjetër fitimtar a humbës i kohëve moderne nuk ka mundur të “bëjë historinë”.
Historia bëhet në çastin kur ndodh! Historia bëhet atë mot dhe ato orë kur heronjtë dhe popujt kanë hedhur idetë dhe hapat e tyre në vorbullat e mëdha të kohëve. Historianët vetëm e shkruajnë atë.




Ata kanë për mision dhe detyrë të bredhin dhe identifikojnë ngjarjet dhe personazhet, të mbledhin dëshmitë dokumentare, pohimet e të pranishmëve okularë, moralin dhe idetë filozofike të kohës, rrethanat që shoqëruan dhe ndikuan rrjedhat e ngjarjeve. Dhe në këtë proces, “detyra e parë e historianëve është të shmangin gënjeshtrat, e dytë të mos fshehin të vërtetën, e treta të mos japin asnjë shkas që të dyshojnë për anësi”, – thoshte Ciceroni.

HISTORINË NUK E BËJNË DOT AS “FITIMTARËT” E RINJ
Mos më keq, nëse shkrimin e historisë tentojnë ta bëjnë politikanët e rinj, apo fitimtarët e rinj, të cilët me ankthet e padurimit të fshehur dalin papritur, bërtasin dhe lebetiten se “politika nuk duhej të ndërhynte dhe të bënte historinë…”.
Por, kur politikanët e rinj, nuk bëjnë asgjë më shumë dhe as më pak nga sa kishin bërë pararendësit, përmes thirrjeve nga tribunat e pushteteve, cili është ndryshimi mes “fitimtarëve të shkuar që bënë historinë dhe fitimtarëve të rinj që duan ta bëjnë atë”?!
“Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë” , ishte mesazhi i madh i predikimit, të asaj që ndodhi në mes të ditës me diell…”. Implikimi i politikanit në histori bëhet për dy motive; – ose për përfitime të caktuara politike ose për interesa egoiste intelektualiste (jo intelektuale). Sigurisht, politikanët fitimtarë apo tiranët mund të bërtasin, të kërcënojnë apo të kërkojnë që të gjithë turmat të përulen përpara mendimit të tyre, përpara shijeve që ata kanë, narcizmit të tyre, por kjo kurrsesi nuk do të thotë se ata në këtë mënyrë thanë fjalën e fundit dhe e bënë vërtet historinë për njerëzit dhe kohët e tyre.

Individë që kanë armën e pushtetit mund ta kërcënojë të vërtetën por kurrë mos mendojë se do ta trembë atë, madje mund ta djegë të vërtetën në turrën e druve, por kurrë nuk mund ta kthejë atë në hi, mund ta vrasë atë edhe pas shpine por kurrë nuk shuan dot shpirtin e shenjtëruar të saj. Udrow Willson thoshte: “… në këtë vend askush, aq më pak qeveritarët, nuk kanë të drejtë të imponohen, të përfitojnë nga funksioni që mbajnë, aq më pak të përfitojnë nga ligji”.
(Dritëroi thotë: Në sofrën e historisë kërkojnë të ulen shumë, por historia i përcjell…)

Eventi dhe debatet rreth figurës së Mit’hatit

Ditët e fundit, një pjesë e mirë e opinionit vendës pa të sulen në median e shkruar dhe atë vizive, për të thënë të vërteta dhe të pavërteta historike, të thurin ditirambe, të përpiqen të emocionojnë, të ngazëllejnë dhe të rrënqethin audiencat, historianë e publicistë, mekanikë dhe aktorë, barinj dhe pensionistë, të harruar dhe politikanë, nostalgjikë dhe mllefaxhinj… për një subjekt – Mit’hat Frashërin!
Ishte fjala për të thënë dhe mosthënë disa çështje të biografisë të këtij njeriu, për të pohuar disa të vërteta apo për t’i mohuar ato; për të nxjerrë në dritë apo për të fshehur tinëz disa cene; për të prezantuar faqen e ndritur apo për të shmangur ndonjë ciflosje të suvasë shkaktuar dikur; për të pranuar atë si “një figurë ideale dhe madhështore” si askush në historinë tonë – apo për ta pranuar atë si një figurë komplekse me pjesë të ndritura dhe anë të errëta!
Një pjesë e oratorëve në panelet e shumta të debatit, tentoi të ndriçojë vetëm anët e ndritura të subjektit dhe të heshtë apo “të harrojë” anë që zbulonin pjesën e kompromentuar të tij, ato që cenonin “imazhin ideal” të protagonistit. Pjesa tjetër qëndronte në fronin e moderuar, duke evidentuar prurjet dhe kontributet, por duke zbuluar edhe rrëshqitjet fatale të Mit’hat Frashërit…

Sigurisht, për kontributet e kësaj figure në fushat dhe lëmijtë e arsimit, kulturës, historisë, diplomacisë dhe çështjes kombëtare u shkrua shumë mbas viteve ’90. Ka ende shumë për të folur veçmas për kontributet e tij në fushën e Albanologjisë apo të përpjekjeve të tij në mbrojtjen e popullsisë çame nga gjenocidi grek. Folësit e emocionuar gjer në përdorimin e “fjalëzave” dhe “materialit lëndor” të Frashërit fatkeqësisht nuk folën fare për këto prurje me vlerë të këtij njeriu…! Përse nuk e bënë këtë këta patriot, nuk e dimë!
Por, duam apo nuk duan sot disa inatçorë, për të cilët dyshojmë se e njohin fare pak apo aspak figurën dhe kontributet komplekse të Mit’hat Frashërit edhe në këto fusha, aq më pak të kenë shfletuar ndonjë material dokumentar apo arkivor rreth tij… Do të ndalim të themi pak nga provat e shumta, që plotësojnë profilin kompleks të frashërlliut.

Kjo figurë nuk mund të lihej larg dhe mënjanë veprimtarisë së tij, roli si drejtuesi kryesor i Organizatën Politike që ai udhëhoqi, “Ballin Kombëtar”, në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj!
“Le të guxojmë të lexojmë, të mendojmë, të flasim dhe të shkruajmë të lirë!” thërriste njëri prej hartuesve të Deklaratës së pavarësisë së SHBA, Xhon Adams.

Balli Kombëtar dhe lidershipi i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore
Balli Kombëtar ishte organizata e dytë politike shqiptare e formuar në vitet e pushtimit fashist të Shqipërisë, në nëntor 1942, gati një vit pas krijimit të PKSH. Megjithëse ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli nga kohë kur kjo organizatë ushtroi veprimtarinë e saj, ende sot e kësaj dite ka debate rreth një çështje krushiale, mjaft domethënëse, që përcakton profilin identitar të saj, boshtin gravitacional që pozicionon çdo forcë politike përpara misionit dhe altarit të shenjtë ndaj atdheut.

Në momentin e vështirë, të rëndë dhe ekzistencial të pushtimit të vendit – cili ishte qëndrimi i saj i vërtetë ndaj okupatorit, italian dhe atij gjerman? – A mori udhëheqja e kësaj organizate politike një qëndrim të qartë dhe të prerë, një obligim, sakrificë vitale për interesat dhe fatet e vendit, – luftë pa kompromis kundër pushtuesit të Atdheut?! Në fund të fundit – A ishte themelimi i kësaj organizate një ndërmarrje që synonte të realizonte detyrën akute, parësore dhe të shenjtë njëkohësisht që shtrohej përpara tërë popujve të Europës, por edhe popullit shqiptar, ato ditë të rënda të pushtimit?
Analisti dhe historiani konteporan më në zë amerikan, Bernd Fisher, i cili ka punuar me mjaft vëmendje për këtë periudhe historike dhe rolin e partive apo formacioneve politike shqiptare, në Luftën e Dytë Botërore, bën me dije se “… liberalët nacionalistë, disa prej të cilëve kishin vendosur gjithsesi disa lidhje të dobëta me LNÇ, në Nëntor të vitit 1942 formuan një grup të quajtur ‘Balli Kombëtar’. Ky grup shpresonte të përbënte një organizatë politike dhe ushtarake për të moderuarit që nuk kishin besim tek komunistët. Udhëheqësit e BK pretendonin se grupi ishte krijuar qysh prej ditës së parë të pushtimit italian dhe në të vërtetë me disa ish politikanë ka ekzistuar një farë organizimi jo zyrtar, por organizimi dhe platforma e BK ishin qartazi një reagim i drejtpërdrejtë ndaj themelimit të LNÇ. (shih Bernd Fisher, 184-185).

Pra, qysh në fillim Fisher qartëson se shënjestra e kësaj strukture ishte “reagim i drejtpërdrejtë ndaj themelimit të Frontit Nacional Çlirimtar…” dhe jo lufta pa kompromis kundër pushtuesve të vendit.
Duke analizuar edhe më tej platformën dhe qëllimet e krijimit të kësaj organizate, po ky analist, Fisheri duke iu referuar tërë dokumentacionit arkivor të kohës nënvizon; “BK u formua jo për të luftuar pushtuesin por më tepër për të shkatërruar punën politike të PK. Komiteti Qendror i BK, i krijuar për të drejtuar vijën politike përfshinte edhe disa anëtarë të moderuar të rinj, por meqenëse këta u arrestuan shpejt nga italianët, drejtimi i Ballit i mbeti anëtarëve në të vjetër në moshë, të prirur ndaj koloboracionizmit me pushtuesin”. (shih Bernd Fisher, 184-185).
Por, duke shkuar pak më përpara në kohë, në ditët e krijimit të kësaj organizate, rrethanave në të cilat ajo do të formohej, Francesko Jakomoni, guvernatori real i Shqipërisë nën pushtimin Italian dhe mëkëmbës i Viktor Emanuelit në Shqipëri, në librin e tij të kujtimeve, “La politica dell’Italia in Albania”, na sjell fakte mjaft të rënda, kompromentuese dhe tepër domethënëse rreth këtij akti historik. Guvernatori fashist shkruan se “për formimin e Ballit Kombëtar ka kontribuar me shumën prej katërmbëdhjetëmijë lekësh, një shumë kjo jashtëzakonisht e madhe për kohën”. (Jakomoni, Francisco: “La politica dell’Italia in Albania”, Roma, 1965).

Të njëjtin mendim dhe përfundim ka për këtë organizatë edhe ushtaraku amerikan, Peter Lukas, i cili shërbeu në misionet amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore në territoret shqiptare. Në librin e tij të kujtimeve, ai pohon: “Balli Kombëtar ishte një organizatë antikomuniste nacionaliste, që kërkonte të merrte drejtimin e vendit. Kjo organizatë bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë…”. (Piter Lukas f. 17). Dhe vërtet, ngjarjet e mëvona rrëfyen qartë se nga radhët e kësaj organizate dolën elementë si Ali Këlcyra dhe Rexhep Mitrovica, të cilët më vonë do të kryesonin një qeveri koloboracioniste nën pushtimin gjerman, konkludon Bern Fisher. (Bern Fisher 185).
Fakte të tjera me interes rreth kësaj organizate sjell Xhelal Staravecka, një koloboracionist i pushtuesve gjermanë, Komandanti i Xhandarmërisë, në kohën e pushtimit gjerman të vendit, në librin e tij të kujtimeve, “Përpara gjyqit të Historisë”. Ai na sjell në vëmendje se “Kur u formuan çetat e Ballit, ato na dolën të armatosur me pushkë të gjata italiane… Dhe kur duhej të transferoheshin nga një qytet në tjetrin, transferimin e bënin me mjetet e okupatorit, me kamionë ushtarakë italianë. Kjo ka qenë arsyeja se përse organizata e “Ballit Kombëtar” nuk çliroi asnjë katund, sepse ajo ishte rojtare e okupatorit. “(Xhelal Staravecka “Përpara gjyqit të historisë”, Naimi, Tiranë 2009, f. 220).

Duke iu referuar edhe më tej dokumenteve arkivore të njërit prej misionarëve britanikë në Shqipërinë e okupuar gjatë viteve të Luftës së Dytë, pra një dëshmitari okular të atyre ngjarjeve, misionarit Hibbert, ky i fundit duke folur për Ballin Kombëtar, vë në dukje se: – “Balli Kombëtar” refuzoi të bënte luftë guerile (kundër pushtuesve italianë dhe më pas gjermanë). Ky ishte një vendim strategjik i tyre që nuk u ndryshua asnjëherë. Besohej se udhëheqësit e Ballit Kombëtar i kishin siguruar italianët se nuk do të krijonin turbullira, ose nuk do t’i pengonin përpjekjet e italianëve për të shtypur ushtarakisht forcat partizane dhe luftën e tyre Nacional Çlirimtare. E tillë mendohej se ishte edhe përmbajtja e një Protokollit të fshehtë, të thirrur “Protokolli Dalmacio-Këlcyra”, i nënshkruar në mars 1943, ndërmjet Komandantit të forcave pushtuese italiane në Shqipëri – Dalmacios dhe përfaqësuesit të Ballit Kombëtar, Ali Këlcyrës.” (Hebbert, f. 94).
Sikundër bëjnë të njohura dokumentet arkivore britanike, “Balli justifikonte qëndrimin e tij me motivin se “ata nuk donin të shkatërronin vendin e tyre dhe të shoqërisë, duke organizuar sulme gueriljesh, që do të sillnin për pasojë raprezalje, nga ana e forcave pushtuese.”
E njëjta gjë ndodhi edhe me përfaqësuesit e këtij formacioni politik, edhe në veri të vendit. Duke informuar qendrën në Londër, për një takim me një nacionalist shqiptar që ushtronte veprimtarinë e tij në zonën e Lumës, Muharrem Bajraktarin, Hebbert bën me dije se, “Ai, Muharemi, kishte shkruar një ‘Raport’, i cili meriton të vihet në arkiv si një monument i mungesës së realizmit në qëndrimet dhe mendimet e ‘nacionalistëve’, gjatë kohës së luftës”. Dhe duke përfunduar ushtaraku britanik thekson se: “Ishte tipik dështimi i ynë në biseda me të sikundër dështimi i të gjithë oficerëve të tjerë të ndërlidhjes britanike për të bindur atë që ‘nacionalistët’ të merrnin pjesë në një rezistencë aktive kundër gjermanëve”. (Hebbert, f. 159).

Duke ndjekur me kujdes tërë dinamikën dhe lëvizjet politike të “Ballit Kombëtar”, anëtari i Misionit Ushtarak amerikan në Shqipëri, Piter Lukas, përmes librit të tij të kujtimeve na bën me dije për një Radiogram të dërguar aso kohe qendrës së forcave aleate, përmes të cilës raportonte rreth një ngjarjeje, të cilën e rendisim më poshtë. Ndër të tjera ai shkruan: “Aty nga fundi i verës së vitit 1944 dukej se partizanët i kishin vënë përpara gjermanët, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër dukej se ishin duke u tërhequr… Prej datës 14 gjer më 21 gusht, partizanët zhvilluan disa sulme mbi gjermanët, rrotull qytetit të Fierit. Forcat armike janë shpartalluar duke humbur 20 ushtarë gjermanë si dhe një numër ballistësh të vrarë krah tyre. 70 ballistë u kapën robër dhe u liruan të nesërmen nga forcat partizane … ndërsa 135 ushtarë të Ballit dezertuan dhe iu bashkuan partizanëve”. (Piter Lukas, f. 123).

Dokumenti i mësipërm na ofron një pasqyrë sinjifikative dhe mjaft domethënëse për qëndrimin dhe raportet konkrete të “Ballit Kombëtar” me pushtuesit gjermanë. Veçse ai kompromenton rëndë forcat e këtij formacioni si bashkëpunëtorë të hapur të pushtuesve, nga ana tjetër ai na bën me dije për momente reagimi dhe reflektimi të njerëzve të thjeshtë që mbushnin radhët e formacioneve të Ballit Kombëtar. Është e kuptueshme dhe askush nuk mund të mohojë se brenda radhëve të kësaj organizate kishte edhe njerëzve të thjeshtë, të ndershëm dhe patriotë, të cilët qenë mobilizuar të gënjyer nga slloganet “nacionaliste”, por që në momentet oportune u larguan dhe u rreshtuan në formacionet e rezistencës antifashite gjer në çlirimin e vendit. Misionari amerikan Peter Lukas jo rastësisht njofton për bashkimin e forcave balliste me ato partizane, mbas asaj disfate të forcave gjermane.
Por, duket se ajo që ndodhte me njerëzit e thjeshtë që mbushnin formacionet e pakta të ushtarake të Ballit, nuk ndodhte me udhëheqjen e tij.
Kështu, më datë 8 nëntor 1943, mbas një sërë përpjekjesh të mëparshme, shefi i misionit ushtarak britanik, gjenerali Devis u takua përsëri me Këshillin e Ballit Kombëtar, më misionin për të tërhequr këta të fundit në frontet e betejave kundër forcave gjermane Por, në përfundim të këtij takimi, Balli i kishte bërë të qartë britanikut se nuk kishte ndërmend të luftonte gjermanët por vetëm partizanët e LNÇL.

Por, menjëherë, brenda natës Balli kishte kthyer qëndrim dhe i kishte thënë Deivisit, se e kishte kuptuar se kishte bërë gabim dhe se nuk do të luftonte kundër partizanëve, por kundër gjermanëve.

Deivisi ia solli këtë dokument Enver Hoxhës, i cili i tha britanikut se nuk e besonte këtë angazhim të “Ballit”, se ajo ishte sa për t’u hedhur hi syve britanikëve.
“Natyrisht, koha provoi se Hoxha kishte të drejtë, – nënvizion historiani amerikan, Bernd J. Fisher.(Bernd Fisher, f. 267).
Kur ofensiva gjermane e dimrit të vitit 1943 filloi të jepte shenjat e para të suksesit, njësitë e Ballit Kombëtar filluan të merrnin pjesë aktive së bashku me ta në luftime, kundër forcave partizane. Për këtë kontribut domethënës ndaj trupave gjermane, aty nga shkurti i vitit 1944, komandanti i trupave gjermane, Naubacher informonte se mbi 10 000 nacionalistë shqiptarë ndihmonin forcat gjermane në operacionet e tyre, të ndarë përafërsisht në pesëmbëdhjetë grupe, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre i takonte Ballit Kombëtar. (shih Bernd Fisher. F. 261).
Po ky hierark i rëndësishëm i pushtimit nazist të vendit, Herman Neubacher, pohon edhe më tej se Balli Kombëtar nuk u bëri qëndresë gjermanëve dhe këtë gjë e mbështet edhe Shliper, i cili mori garancitë e Mit’hat Frashërit, i cili e kishte sqaruar se megjithëse Balli Kombëtar është deklaruar kundër forcave të Boshtit, gjatë pushtimit italian, ai dhe Balli Kombëtar nuk do të ndërmerrnin asnjë veprim armiqësor kundër gjermanëve. (shih Bernd Fisher, f. 251).
Aty nga mesi të nëntorit të vitit 1943, dukej se kjo organizatë nacionaliste po ndryshonte qëndrimin e saj, Këshilli i Ballit Kombëtar nën drejtimin e Mit’hat Frashërit u dorëzoi britanikëve një dokument të nënshkruar, ku thuhej se “Balli këtej e tutje do të luftojë gjallërisht kundër gjermanëve”. Por, kjo “marrëveshje” sikundër edhe të tjera nuk u respektuan kurrë nga Balli Kombëtar. Qysh nga momenti i pushtimit gjerman, pavarësisht disa përjashtimeve, rregulli dhe qëndrimi i Ballit ishte kolobarocioni me pushtuesit, përfundon vlerësimin e tij historian amerikan Fisher.

Për gati dy vite rresht përfaqësuesit e misioneve ushtarake, të forcave aleate, dukej qartë se kishin bërë maksimumin me “Ballin”. Të interesuar për të tërhequr të gjitha formacionet politike shqiptare në luftën pa kompromis kundër pushtuesve nazi-fashistë, ishin edhe përfaqësuesit e misionit ushtarak amerikan Një ndër drejtuesit kryesorë të këtij misioni, Hudson, që kishte shkelur nëpër pothuaj tërë territoret e ashpra shqiptare, kishte vëzhguar me shqetësim nga distanca bastisjet që kryenin ballistët përgjatë zonës së bregdetit që kontrollohej nga vetë ata (ballistët). “Për këto shkaqe dhe të tjera, – shkruan shefi i Misionit Ushtarak Amerikan, – ne angazhuam tërësisht OSS të mbetej në përkrahje të Frontitt Nacional Çlirimtar dhe partizanëve komunistë. Komunistët u shfaqën si i vetmi grup i rezistencës i vendosur për të luftuar kundër pushtuesit gjerman, megjithëse, Enver Hoxha nuk ishte një njeri me të cilin mund të merreshe vesh lehtë. Urrejtja e tij e madhe për anglezët ishte e mirënjohur, por edhe mospëlqimi ndaj amerikanëve vetëm ishte zbutur disi nga Stefani (misionari ushtarak amerikan me origjinë shqiptare )… Nga ana tjetër, Hoxha mburrte Bashkimin Sovjetik që nuk kishte lëvizur asnjë gisht për të ndihmuar partizanët…”. (shih Piter Lukas f. 165).
Duke folur për ngjarjet që shoqëruan ditët e fundit të robërisë dhe çastet e tërheqjes të trupave gjermane nga territoret e Shqipërisë, dëshmitar okular i ngjarjeve, që largohej bashkë me koloboracionistët e tjerë, Xhelal Staravecka kujton: “Krerët e Ballit Kombëtar u gënjyen keqas (me veprimet false që ata kryen duke hedhur dy pushke në ajër kundër gjermanëve ditën e fundit të largimit të tyre), pasi aleatët nuk i hëngrën ato dushnjere, por e kapën Mi’htat Frashërin dhe Ali Këlcyrën dhe pasi i arrestuan si bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit dhe si kriminelë lufte, i mbajtën në burgjet italiane për një vit e ca”. (shih XH. Staravecka, f. 353).
Një tjetër misionar ushtarak amerikan, ndoshta njohësi më i thellë, më i mirë dhe racional i shqiptarëve dhe Shqipërisë, i historisë, kulturës, moralit, madje edhe terrenit të këtij vendi ballkanik, Harry T. Fulz, në një raport analitik që i dërgonte Uashingtonit, më datë 22 Shkurt 1944, referuar një Raporti të dërguar nga britaniku Philip Adams, me titull: “Rendi kronologjik i ngjarjeve në Shqipëri, 15 qershor – 31 dhjetor 1943”, ku ndër të tjera sugjeronte reduktimin e ndihmave në armatim për frontin Nacional Çlirimtar, sqaronte: “Por, çdo të bënin formacionet partizane pa një ndihmë të tillë ushtarake nga ana e anglezëve? …Partizanët janë krejtësisht të ndërgjegjshëm për pamjaftueshmërinë e ndihmës, (që u vjen nga aleatët) sikurse janë të ndërgjegjshëm edhe vetë britanikët. Në një rast të tillë ata (partizanët) do të thoshin: “Bëni ç’të doni! Ne kemi luftuar pa ndihmën tuaj dhe mund të vazhdojmë të luftojmë më tej, me ose pa të”. (Kaba, Hamit: “Shqipëria dhe të Mëdhenjtë”, Tiranë 2015, f. 202-207).

Duke vazhduar edhe më tej analizën dhe raportimin e tij për qendrën, Fulsi njoftonte se: “E vetmja rezistencë ndaj gjermanëve vjen nga partizanët, përveç asaj që mund të ketë ndodhur fshehtas nga grupet e tjera. Gjermanët trajnuan dhe armatosën trupat balliste dhe kështu së bashku me njësitë sulmuese gjermane shpërndanë partizanët, të cilët po merrnin shumë pak ndihma nga aleatët. Prandaj – shton në mënyrë shumë realiste Fulsi, – ne nuk duhet të surprizohemi nëse e kuptojmë realisht se përse këta njerëz nuk kanë dashuri për aleatët, për britanikët ose edhe për vetë ne, amerikanët…!” (Kaba, Hamit: “Shqipëria dhe të Mëdhenjtë” Tiranë 2015, f. 202-207).
Duke ofruar për Shtabin e tij Amerikan në Bari-Itali, një kronologji të hollësishme të ngjarjeve luftarake që përfshinë gjysmën e dytë të vitit 1943, Harry Fuls rendit mes të tjerave edhe faktet e mëposhtme:
“2. Ata (gjermanët) kanë trajnuar bandat e ballistëve dhe i kanë furnizuar lirisht me armë dhe municione.
3. Gjermanët i kanë përfshirë këto banda të armatosura në ekspedita ndëshkimore kundër shqiptarëve të tjerë, ndërsa ne kemi qëndruar duarkryq.
4. Ata, ballistët kanë qenë të suksesshëm në marrjen e shumë përgjegjësive për ruajtjen e rrugëve dhe urave, që u transferuan nga personeli gjerman tek ai shqiptar-ballist. Trupat balliste armatosen dhe trajnohen nga gjermanët”. (Kaba, Hamit: “Shqipëria dhe të Mëdhenjtë”, Tiranë 2015, f. 202-207).
Duke përfunduar raportimin e tij për qendrën, Fulsi konkludon: “Nëse Ballistët dhe Zogistët do të ofronin po atë rrezistencë që ofrojnë partizanët shqiptarë, ka pak gjasa që gjermanët të kishin tërhequr gjysmën e forcave të tyre nga Shqipëria. Ndoshta dy divizione e gjysmë gjermane që tani nuk janë më në Shqipëri, gjenden diku gjetkë duke vrarë amerikanë dhe britanikë, ndërsa ne (Aleatët) po përpiqemi të gjejmë mënyrat që tu japim partizanëve “një mësim të mirë!” (Kaba, Hamit: “Shqipëria dhe të Mëdhenjtë”, Tiranë 2015, f. 207).

Duke iu referuar një tjetër Raporti të Gjeneralit Britanik, Brigadierit Davies, përmes të cilit më datë 12 Nëntor 1943 ai njoftonte shtabin e tij në Kazerta-Itali rreth zhvillimeve politiko-luftarake në Shqipëri, na bën me dije se:

“i. Muharrem Bajraktari është inaktiv (kundër gjermanëve) dhe armiqësor me LNÇL (Lëvizjen Nacionalçlirimtare).
ii. Gjon Markagjoni pohohet të ketë ofruar për gjermanët 800 burra”. (Kaba, Hamit: “Shqipëria dhe të Mëdhenjtë”, Tiranë 2015, f. 200).
Ndërsa në telegramin e datës 17 dhjetor 1943, që po ky ushtarak i lartë britanik, i dërgonte qendrës nga terrenet shqiptare, ku ai shërbente si shef i misionit ushtarak britanik, këto njoftime:
“1. Tani rekomandoj – Situata e zhvilluar së fundmi e bën të domosdoshme denoncimin kolektiv dhe me emra të veçantë të Këshillit të Regjencës, si dhe Ballin Kombëtar dhe zogistët.

2. Të gjithë këta po bashkëpunojnë me gjermanët, të cilët i pajisin me armë, duke i vendosur si roje në rrugët kryesore, si policë qytetesh dhe si drejtues patrullash, duke lënë kështu të lira trupat gjermane.
3. Të gjitha aksionet e fundit luftarake të Lëvizjes Nacionalçlirimtare janë zhvilluar kundër trupave të përziera gjermane dhe të Ballit Kombëtar, të përgatitura dhe të armatosura mirë nga gjermanët.
4. Të dy, Balli Kombëtar dhe Abaz Kupi më premtuan mua, se do të luftonin aktivisht kundër gjermanëve, por muajt e fundit ata nuk kanë bërë asnjë aksion të vetëm, ndonëse kanë pasur shumë shanse që t’u rezistonin gjermanëve…
5. Të dy, Balli Kombëtar dhe zogistët tani po publikojnë gazeta ambicioze e të shtrenjta, qartazi progjermane. Në 8 botime të kësaj reviste nuk gjen asnjë referencë antigjermane… (f. 201-202).

Provat dhe dëshmitë e mësipërme të evidentuara nga misionarët ushtarakë perëndimore, amerikanë dhe britanikë gjejnë një konfirmim të plotë edhe nga vetë përfaqësuesit e rangjeve në të larta të ushtarakëve pushtues nazistë në Shqipëri. Në kujtimet e ish të dërguarit special të Hitlerit, Herman Nojbaher, Guvernator i Hitlerit për Ballkanin, në librin që mban titullin “Guvernatori i Hitlerit për Ballkanin”, na sjell këto dëshmi për qëndrimin e dy formacioneve politike shqiptare, “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit” gjatë Luftës së Dytë Botërore:
“Njerëzit e Ballit Kombëtar nuk luftuan kurrë kundër forcave tona. Ata u shpërndanë ose u kthyen kundër partizanëve në Jug. Vetëm Abaz Kupi, që mbahej si ruajtës i fronit të Mbretit Ahmet Zog, me gjoja 1 000 a po më shumë përkrahës, qëndronte në male në hapësirën midis Tiranës dhe Shkodrës. Tek ai kishte edhe oficerë koordinatorë anglezë. Ne e lamë atë të qetë dhe ai ne…. “(Herman Nojbaher: “Guvernatori i Hitlerit për Ballkanin”, “Botart”, Tiranë 2017.)
Ndërsa po t’u referohemi disa prej radiogrameve që misionarët britanikë, që u dërgonin ato kohë qendrës së tyre në Bari dhe Londër, rreth moralit, dhe idealit që karakterizonte forcat partizane, ata bënin me dije se: “Repartet partizane udhëhiqen nga motivi -Disiplinë, energji dhe qartësia e qëllimit – Luftë pa kompromis pushtuesit të vendit”. (Hebbert, f. 221).

Dhe duke analizuar shkaqet e rritjes galopante të fuqisë partizane, në muajt e parë të vitit 1944, britanikët nënvizonin në njoftimet e tyre dërguar qendrës se, “ishin gjermanët dhe Balli Kombëtar, grabitjet dhe shkatërrimet që ata kishin bërë, në një farë mënyre, arkitektët e ngritjes së partizanëve…”. “Ndërkohë, të rinjtë dhe të rejat, vajzat dhe djemtë shqiptarë vërshuan nën flamujt partizanë kur erdhi pranvera, bashkë me ta edhe njerëzit më të moshuar, fshatrat, shtëpitë dhe kasollet e të cilëve ishin djegur dhe plaçkitur pa mëshirë. Ata u grumbulluan në skamjen dhe në varfërinë e tyre të skajshme për të mbushur radhët e një organizimi në shkallë vendi për mbështetje dhe furnizim, që drejtohej nga LNÇL. (f. 221, Hebb).
Hezllak, një misionare e njohur britanike, megjithëse jo fort miqësore me forcat partizane, vetëm disa ditë pas hyrjes së marsit 1944, e befasuar dhe entuziazmuar nga zhvillimet politike, do të njoftonte qendrën me një vlerësim krejt të kundërt me atë çka i kishte dërguar dy muaj më parë. “Rigjallërimi i partizanëve – deklaronte ajo, – i detyrohet elasticitetit dhe manovrushmërisë të Brigadave të LNÇL, për shumicën e të cilave një muaj më parë njoftonim se ishin shpërndarë nga ofensiva gjermane ose gjendeshin përpara vdekjes së shpejtë…” (Telegram: PRO, ËO, 204/ 10235.)
“Sistemi disiplinor i forcave partizane, njoftonin ushtarakët britanikë, – krijoi pothuaj nga hiçi një ushtri fillimisht të rreckosur, mandej formacione të bashkuara, saqë në pranverën e vitit 1944, kur ajo u hodh në sulmet e Qershorit, ndryshoi balancën e pushtetit në Shqipëri, brenda pak javësh”. (Hebbert f. 221).
Sigurisht, këtu renditëm fare pak nga ato dëshmi të shumta dhe të pafund, rreth zhvillimeve politike në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore, për qëndrimin e Ballit Kombëtar dhe lidershipit të saj në këto ngjarje. Dokumente të tjera mjaft domethënëse ofrojnë gjithmonë e më shumë arkivat e vendeve pjesëmarrëse në këtë arenë përplasjesh të përgjakshme, që i shkaktoi popujve të Europës dhe më gjerë rreth 40 milionë të vrarë. Për ngjarjet e atyre viteve dhe kohët që pasuan, veçmas për veprimtarinë pak të njohur në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe vitet e mëvona, të këtij grupimi në emigrimin e tij politik, do të flasim më vonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.