AKTUALITET

Miraka: Ju tregoj sa bashkëpunëtorë të Sigurimit ka në administratë

14:00 - 19.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Anëtari i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Simon Mirakaj vlerëson vendimin e qeverisë për të sjellë eshtrat e Mit’hat Frashërit, duke shprehur besimin se kjo do t’i shërbejë pajtimit kombëtar. Sipas tij, kushdo që mund të bëjë akuza ndaj figurës së tij, duhet t’i shoqërojë ato me fakte. Mirakaj shprehet se ardhja e eshtrave të tij i bën nder Shqipërisë.




Ish-drejtori i Përgjithshëm i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, komenton gjithashtu edhe ecurinë e procesit të dëmshpërblimit, ndërsa bënë të ditur se reduktimi i fondit është një veprim i gabuar nga ana e qeverisë. Sa i përket procesit tjetër, atij të hapjes së dosjeve, ai shprehet se kemi të bëjmë me një proces të vështirë, ndërsa bënë të ditur se numri i zyrtarëve aktualë që kanë dosje të bashkëpunimit me ish-Sigurimin e Shtetit është i vogël. Kjo sipas tij, se shumica e zyrtarëve aktualë janë të rinj dhe nuk kanë qenë pjesë e administratës në kohën kur ka ekzistuar Sigurimi i Shtetit.

Kthimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit është pasuar një debat i hapur, ku të majtët deklarojnë se po nderohen bashkëpunëtorët e fashizmit. Ju keni një koment për këtë çështje?
Unë e vlerësoj veprimin e qeverisë për kthimin e eshtrave të Mit’hat Frashërit, një figurë të madhe, që ka qenë edhe një antikomunist. Sigurisht që veteranët e kanë kundërshtuar, ndërsa pjesa progresiste është ajo që nëpërmjet fondacionit “Lumo Skëndo”, bëri kërkesën që u pranua nga qeveria, e cila mori vendimin për kthimin e eshtrave. Ne themi edhe me të drejtë që Greqia mban ende ligjin e luftës në skenë dhe ne kërkojmë me të drejtë që ligji i luftës të shfuqizohet se është e turpshme. Apo jo? Por, ndërsa kërkojmë të hiqet ligji i luftës nga Greqia, nga ana tjetër kërkojmë të mbajmë të ndezur luftën me njëri-tjetrin. Deri kur do të shkojmë kështu? Jemi në shekullin e XXI. Po të përmend fjalën e nobelistes sonë, Nënë Terezës, që thotë: “Ne i përkasim njeri-tjetrit”. Duhet të përkulemi me respekt për gjithë ata që kanë rënë për çlirimin e vendit në luftë kundër pushtuesve nazifashistë. Kushdo duhet të përkulet, duhet të ketë respekt ndaj kujtimit të tyre. Por kjo nuk do të thotë të mos vlerësohen kontributet e Mit’hat Frashërit që vjen nga një derë që ka dhënë për këtë shtet, ka vënë mendjen dhe zemrën në shërbim të këtij shteti. Qoftë ai si person, qoftë edhe familjarët. Ai ishte i biri Abdyl Frashërit, kryetarit të Lidhjes së Prizrenit dhe është themeluesi i Kongresit të Manastirit, është firmëtar i pavarësisë. Pra, nuk duhet të kërkojmë një korrobace, siç thonë myzeqarët, në një oqean. Ne themi që vetëm Perëndia është e pagabueshme. Unë besoj që i ka bërë nder ardhja e eshtrave dhe mendoj që në njëfarë mënyrë do të shërbejë edhe për një pajtim kombëtar, i cili nuk po ndodh. Pra, prurja e këtyre eshtrave besoj se do ta luajë këtë rol.

Nisur nga kjo që thatë për çështjen e pajtimit kombëtar, dje zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi dhe Luan Rama e ka sulmuar këtë veprim dhe ka thënë që Balli Kombëtar duhet të kërkojë falje për bashkëpunimin me gjermanët dhe fashistët në përgjithësi…
Gjithmonë që të jesh i besueshëm duhet t’u referohesh fakteve historike se njëra palë thotë se kanë bashkëpunuar, kanë gjetur dokumente se ka bashkëpunuar Enver Hoxha me gjermanët, pala tjetër thotë ka bashkëpunuar Balli. Pra, e mira është që të paraqitemi me dokumente nëse ekzistojnë dokumente nëpër arkiva. Duhet marrë parasysh edhe rrethanat nëse është e vërtetë një bashkëpunim i tillë. Por unë kam dëgjuar historianët të cilët thonë, nuk ka një firmë nga Mid’hat Frashëri që të ketë dhënë urdhër për bashkëpunimin me gjermanët. Deri tani nuk është gjetur një dokument. Pra, mendoj që duhen ulur gjakrat. Të gjithë kanë të drejtën që të pushojnë në vendin e vet dhe po e përsëris edhe njëherë, se ardhja e eshtrave të figurave si Mit’hat Frashrit veçse i bëjnë nder këtij vendi. Sigurisht ka kundërshtime për të, duhet respektuar edhe mendimi kundër, por “Në ç’vend kemi lerë, ku na bëjnë nder, në Shqipëri”, duhet t’i kujtojmë edhe thëniet e të madhit Çajupi, kështu që Shqipëria është e të gjithëve pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme që kemi me njëri-tjetrin, por Shqipëria është e jona.

Zoti Miraka, si po ecën procesi i dëmshpërblimit të të përndjekurve?
Ka përpjekje, kanë bërë një ndryshim që unë e kam quajtur pozitiv, që pasi iu dha përparësi të burgosurve që janë gjallë, tani flitet për këstin e tretë. Kanë dalë lista, emra, por ka një mungesë komunikimi me zyrat e sektorit të dëmshpërblimit. Shumë njerëz marrin në telefon, nuk gjejnë mënyrën se si të komunikojnë. Megjithatë, unë e quaj një hap pozitiv edhe ndryshimet e ligjit në favor të burgosurve që janë gjallë. Trashëgimtarët kanë mbetur një çikë më mbrapa në marrjen e dëmshpërblimit. Flitet për këstin e tretë, ka njerëz që nuk kanë marrë këstin e dytë, nuk kanë marrë as këstin e parë. Nuk janë shumë sigurisht. Në kohën qeverisjes së Partisë Demokratike sektori i dëmshpërblimit ishte më vete dhe njerëzit të cilët nuk gjenin emrin nëpër lista e kishin shumë më të thjeshtë për të komunikuar sepse tashti sektori i dëmshpërblimit është në ministri dhe dihet se sa zor është që të hysh në ministri.

Ndërkohë që vitin e ardhshëm është parashikuar reduktim i fondit për ish-të përndjekurit …
Edhe kjo nuk është gjë e mirë sigurisht. Ne kemi shpresuar që të shtohet fondi, jo të pakësohet sepse edhe jeta nuk është 500 vjet. Puna është që njerëzit ta marrin dhe ta gëzojnë dëmshpërblimin që të kenë mundësi kur thonë, me mbajt filxhanin e kafes në dorë dhe jo atëherë kur të mos jenë të zotë me mbajt as kafen. E kam fjalën për të burgosurit që janë gjallë, po kështu edhe për trashëgimtarët, edhe ata tani janë nga 70-80 vjeç. Sigurisht nuk është e lehtë, sepse të kritikosh është gjëja më e lehtë. Sigurisht që ka vështirësi, sepse nuk jemi ndonjë shtet me ndonjë potencial të fuqishëm ekonomik. Kështu që pa një sakrificë nuk mund të arrihet që këta njerëz ta gëzojnë qoftë trashëgimtarët, qoftë ata të burgosur që janë gjallë.

A keni ju të dhëna sa janë të përndjekurit që kanë bërë burg që janë ende gjallë?
Mund të jenë rreth 1500, nuk janë shumë, nuk besoj as aq.
Pse po ecën ngadalë hapja e dosjeve të ish- bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit?
Kur flitej për hapjen e dosjeve, mendova që do ishte një gjë e thjeshtë, por nuk është e thjeshtë. Ka dy arsye sipas mendimit tim, është mungesa e infrastrukturës së nevojshme. Ne materialet i kemi në një vend tjetër, godinën e kemi në një vend tjetër, vetë jemi te Garda. Ka vështirësi të tilla, sepse ne jemi aprovuar nga parlamenti 60 dhe nuk jemi as 30. Kjo pastaj ka edhe vështirësitë e veta sepse Sigurimi i Shtetit ka qenë një makineri tepër kriminale dhe ka vepruar në një mënyrë mjaft të sofistikuar. Megjithatë, ka përpjekje. Unë nuk jam nga ata që bëj komplimente kot, por stafi ekzistues, pavarësisht se jemi gjysma, gjithsecili jep kontributin e vet aq sa mundet, aq sa i lejon ligji që të jemi sa më produktivë në punën tonë dhe të jemi sa më transparentë, ky është qëllimi kryesor.

Sa dosje janë hapur që nga hyrja e ligjit në fuqi?
Ka një numër, por më ke gjetur të papërgatitur për të thënë numrin e saktë. Duhet të dish që çdo ditë ka individë, ka studiues. Kemi dhënë një kontribut edhe në institucione me rastin e vetingut. Ka shumë institucione që kanë aplikuar për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë që emërohen.

Nisur nga kjo e fundit, sa zyrtarë kanë dalë me dosje?
Nuk janë shumë, për hir të së vërtetës nuk janë shumë sepse shumica janë moshë e re dhe nuk i kap edhe ligji i pastërtisë.

Një numër të përafërt keni?
Nuk kam qejf me dhënë numër të pasaktë se pastaj nuk bëhesh i besueshëm.

Gjithsesi, ka pasur individë që kanë rezultuar me dosje ndërkohë që mbanin një pozicion shtetëror që është objekt i ligjit?
Në 1 mijë për shembull mund të ketë dalë 1. Nuk janë shumë për hir të së vërtetës.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Shyqyr qe axha paste rahmet i ka dy djemt gjalle e nuk kam ndonje detyrim moral. Po te rrish ne rradhe, te bash “greva e protesta” per me shit gjakun e fatzinjve kjo ndodh vec ketu ne kete vend??!! Edhe fmi brigadirash me pas kene te tan, kishte dal ndonje me lujt gishtin. Kur transmetohen krimet e komunizmit nga Tivari Shkodra e ne Kelmend, ne Mirdite e deri Tepelene, thua keto qe marrin frym jane skllever te Babilonise gjak prishur.

    Përgjigju ↓