AKTUALITET

“Ngacmimet seksuale, punëdhënësit e martuar kërcënojnë vajzat e reja”

12:05 - 19.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Me ardhjen e demokracisë, ngacmimi seksual në vendin e punës është kthyer në një dukuri shqetësuese për shumë gra e vajza. Por frika nga mentaliteti e opinioni i shoqërisë i ndrydh femrat që bien pre e këtij fenomeni e si pasojë ato vetëm vuajnë në heshtje. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare“, sociologia Entela Binjaku tregon se ngacmimet seksuale në vendin e punës kanë forma nga më të ndryshmet, duke nisur nga prekjet apo ledhatimet, komente apo fjalë të padëshiruara lidhur me jetën private.




Sipas saj, punëdhënësit në raste të refuzimit të këtyre ngacmimeve, kanë arritur deri tek kërcënimi për vendin e punës, refuzimin e rritjes në detyrë apo rritjes së rrogës. Binjaku shton se ky fenomen përherë ka gjetur viktima dhe kalvari i tyre nuk ka reshtur me kohën. Edhe pse në mënyrë informale pohohet se në këtë 10-vjeçar të dytë është më e përhapur, për aq kohë sa nuk është denoncuar as në dekadën e kaluar, ajo ka mbetur nën hije dhe është një anë e errët e shoqërisë sonë. Sipas Binjakut, në përgjithësi ngacmimi seksual ka ardhur nga vartësit e gjinisë femërore dhe në rastin e drejtuesit, shumica shprehen se ato janë kryer nga individë të gjinisë mashkullore, ndërsa në lidhje me statusin martesor, në shumicën e rasteve ata të cilët kryejnë ngacmime seksuale janë të martuar.

Nga eksperienca juaj si sociologe, si paraqitet kurba e fenomenit të ngacmimeve seksuale në vendin e punës?
Rasti i mediatizuar i Harvey Weinstein një producent i famshëm, bashkëthemelues i shtëpisë “Miramax” tregoi një valë të madhe akuzash mbi të nga ana e shumë personazheve publike. Një lëvizje shumë befasuese e solidarizuar e femrave të Hollivudit, që të ushqyera nga njëra-tjetra nisën të flasin për abuzim seksual fizik apo psikik të shkaktuar nga ky producent, vite më parë. Ndoshta ky rast na bëri të mendojmë edhe ne se si qëndrojmë në këtë drejtim. Dukuria e ngacmimit seksual në vendin e punës nuk është e re në këto 25 vitet e fundit. Ajo merr forma nga më të ndryshmet duke nisur që nga prekjet apo ledhatimet që njihet si ngacmim fizik, komente apo fjalë të padëshiruara lidhur me jetën private dhe kjo njihet si ngacmim verbal, deri tek kërcënimi me vendin e punës, me refuzimin që i bëhet rritjes në detyrë apo rritjes së rrogës në raste të refuzimit të këtyre ngacmimeve. Ngacmimi mund të jetë i drejtpërdrejtë përmes dhunës verbale apo fizike apo jo i drejtpërdrejtë përmes sjelljeve izoluese, që diskriminojnë apo përjashtojnë dikë. Për të kuptuar shkallën e ngacmimeve dhe kurbën e zhvillimit të tyre duhet të kuptojnë sa prej këtyre formave, vajzat apo gratë shqiptare kanë përjetuar në vendin e punës. Ajo që mund të themi me siguri është se kjo dukuri nuk ka njohur ulje me kalimin e kohës, por vijon të mbesë aktuale në çdo situatë. Në mënyrë informale shumë vajza dhe gra e pohojnë këtë gjë.

A ka statistika zyrtare lidhur me fenomenin në fjalë?
Statistika zyrtare mungojnë lidhur me këtë dukuri. Por edhe sikur të ishin, sërish në realitet dukuria ndodh shumë më shumë sesa raportohet. Edhe pse ekzistojnë zgjidhje ligjore për t’u mbrojtur prej ngacmimit seksual, shumë pak raste arrijnë deri në gjykatë. Gratë dhe vajzat sot mund ta denoncojnë dhunën dhe ngacmimet seksuale në polici, prokurori, tek Komisioneri për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit. Të punësuarat që bëjnë ankesë për këtë janë shumë të pakta, sepse ose ndjehen fajtore ose frikësohen se nuk kanë për t’u besuar. Edhe pse kemi një legjislacion që i mbron viktimat e ngacmimit seksual, ndonjë dënim me burgim nuk dimë në opinionin tonë, por edhe ndëshkimet me gjobë janë të pakta, sepse edhe ankesat janë të pakta. Arsyet për këtë duhen gjetur në radhë të parë tek kultura jonë: modeli ynë kulturor është ai i mbijetesës, pra ne përgjithësisht jemi përshtatur me situatën. Kultura jonë nuk është ajo e veprimeve radikale, sepse as modeli ynë kulturor nuk ka qenë i tillë. Mungesa e edukimit, frika prej ndryshimit të disa prej vlerave tradicionale, kultura patriarkale pasqyrohen edhe në qëndrimet tona ndaj dukurisë së ngacmimit seksual.

Sa të forta janë femrat në Shqipëri për të luftuar ngacmimet seksuale në vendin e punës?
Në realitetin e përditshëm tonin është e vështirë të presësh denoncime të tilla, sepse shpesh ato shoqërohen me pasiguri të mëdha lidhur me pasojat. Shumë gra bashkëjetojnë me heshtjen në mënyrë të përdhunshme vetëm e vetëm që të mos humbasin edhe atë status-quo që kanë arritur. Raportime dhe denoncime ka më shumë nga emisione investigative në vendin tonë, të cilat kanë bërë të mundur shfaqjen në publik, nëpërmjet kamerave të fshehtave të rasteve abuzive nga drejtues të lartë të administratës, të cilat janë bërë të njohura nga publiku i gjerë.

Cilat janë grupmoshat më të prekura?
Ngacmimi seksual është i përhapur në Shqipëri, sidomos te punëmarrëset femra në moshë të re, ato beqare apo të divorcuara. Të rejat që janë në fillimet e veta në tregun e punës, që janë të reja në pozicione të caktuara, që vijnë nga zona të varfra të vendit, apo nga familje të varfra, që kanë pak mbështetje apo lidhje të dobëta familjare. Ngacmimi në këto raste vjen nga punëdhënës, që kanë një pozicion drejtues, duke shfrytëzuar pozitën e tyre në këmbim të favoreve seksuale. Në shumicën e rasteve ngacmimi seksual ka ardhur nga kolegë të punës të gjinisë mashkullore. Sa i takon pozicionit të punës, në përgjithësi ngacmimi seksual ka ardhur nga vartësit e gjinisë femërore dhe në rastin e drejtuesit, shumica shprehen se ato janë kryer nga individë të gjinisë mashkullore. Në lidhje me statusin martesor, në shumicën e rasteve ata të cilët kryejnë ngacmime seksuale janë të martuar.

Në cilën prej dekadave të fundit ka pasur më shumë ngacmime në vendin e punës?
Kjo dukuri e lidhur me varfërinë, me vështirësitë për gjetjen e vendit të punës, me mungesën e ndëshkimeve ndaj agresorëve, me heshtjen e viktimave ka mbetur konstante sa i takon pranisë së saj. Në çdo vit kjo dukuri nuk ka njohur ulje apo ngritje. Ajo përherë ka gjetur viktima dhe kalvari i viktimave nuk ka reshtur me kohën. Edhe pse në mënyrë informale pohohet se në këtë 10-vjeçar të dytë është më e përhapur, për aq kohë sa nuk është denoncuar as në dekadën e kaluar, ajo ka mbetur nën hije dhe është një anë e errët e shoqërisë sonë.

A denoncohen rastet apo mentaliteti dhe frika e humbjes së vendit të punës i ndrydh viktimat për të shprehur shqetësimin e tyre?
Tek ne shumë gra dhe vajza zgjedhin të keqen më të vogël, sepse ndihen të pafuqishme, nuk e konsiderojnë veten të mbrojtur nga ligji, sanksionohen nga njerëzit që i rrethojnë, kritikohen, jetojnë tensione gjithmonë e më të mëdha, të frikësuara se po humbasin vendin e punës, druhen se nuk janë të besueshme për atë që përjetojnë. Në shumë raste ka femra që pohojnë se kjo ndodh vetëm në imagjinatën e tyre, apo se janë ato që i ftojnë vetë ngacmimet me sjelljen e tyre, apo se janë vetëm ato që i interpretojnë këto sjellje në këtë formë etj. Femra që kalon në një situatë të tillë nga njëra anë ndjehet e pafuqishme, nga ana tjetër ndjehet e shqetësuar, e frikësuar apo e zemëruar prej sjelljeve të një kolegu apo shefi. Shkon me frikë në atë punë ku shkonte me dëshirë, nuk di si të shmangë atë që e shqetëson. Ndjehet në kurth. Kur refuzon, ajo është viktima që jeton me frikën e pasojave: që do ta heqin nga puna, që do ta vendosin në situata të vështira, që do të duhet të heqë dorë nga një punë që kishte rëndësi për të etj. Nuk arrin të përqendrohet në atë që ka detyrë të bëjë, nuk jep rendiment, nuk përparon dhe as nuk merr vlerësim për cilësinë e punës që kryen, i vjen zor të shkëmbejë vështrime me atë që e ngacmon, nuk di si të sillet me të, ka frikë se me sjelljen e saj rëndon situatën, i vjen zor nga çfarë do të mendojnë kolegët, pra të gjitha këto qëndrojnë në mendjen e një viktime të ngacmimit seksual. Rastet më të bujshme në Perëndim kanë pasur sukses kur janë bërë shumë gra që kanë folur për atë që u ka ndodhur në vendin e punës. Kur bashkohen, ato nuk mund të injorohen më dhe masat mënyrë apo një tjetër, duhen marrë apo edhe merren.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.