Sociale

Sociologia: Femrat e angazhuara në politikë, pre e ngacmimeve seksuale

15:15 - 19.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në ditët e sotme femrat e suksesshme dhe në karrierë, shpeshherë mund të bien pre e ngacmimeve seksuale në vendin e punës. Sociologia Entela Binjaku në intervistën e saj për “Gazeta Shqiptare” pohon se jo rrallëherë gratë kanë zgjedhur që ta ndërtojnë karrierën e tyre mbi bazën e kompromiseve që kanë bërë dhe kjo nuk i ka përjashtuar edhe kompromiset e favoreve seksuale. Sipas Binjakut, ky është shpjegimi që mund t’u jepet ngritjeve apo promovimeve të disa femrave që janë larg parametrave të formimit, përvojës, meritës që kërkon një pozicion i caktuar që për përmbushjen e rolit që i takon kërkon parametra, të cilat disa as nuk arrijnë t’u afrohen me përgatitjen apo ngritjen që kanë. Sociologia më tej thekson se edhe vajzat e gratë e angazhuara në sferën politike janë ngurruese e kanë frikë të denoncojnë qoftë rastet e ngacmimeve morale, ashtu edhe të atyre seksuale. Ajo shton se gjithë ky frustrim seksual i burrave shqiptare vjen më së tepërmi nga tipologjia që ata kanë krijuar për femrën, ku shpeshherë ata kanë pasur të bëjnë me femra të varura ekonomikisht, gjithmonë të heshtura dhe të dëgjueshme dhe ku pozita sociale e tyre përcaktohet falë meshkujve.




Në rang kombëtar, në cilat qytete është më i përhapur fenomeni i ngacmimeve seksuale në punë?
Në mungesë të statistikave është e vështirë të pohohet kjo gjë, por ndoshta kryeqyteti për shkak se përbën tregun më të madh të punës, ku kërkesat janë më të larta dhe mundësitë janë më të pakta. Në qytetet e tjera mendësia tradicionale, lidhjet familjare dhe njohjet e bëjnë më të vështirë këtë dukuri, ose së paku e frenojnë disi.

A janë evidentuar raste të këtij fenomeni brenda të njëjtit seks?
Raste të tilla ka dhe nuk mungojnë. Edhe pse vështirë për t’u ndarë me të tjerë, ngacmimet brenda gjinisë nuk janë një dukuri e panjohur. Shpesh pohohet se ata që ndajnë preferenca të njëjta janë më të favorizuar në vendin e punës, apo nëse refuzojnë, ndjehen të përjashtuar nga shumë mundësi që i lejon legjislacioni në vendin e punës. Në shumë raste këto problematika mbeten aq të fshehura dhe në heshtje mes palëve të përfshira (viktimës-viktimizuesit), saqë as në familje nuk bëhen të ditura. Kjo e vështirëson analizën.

A ka pasur raste të denoncuara për persona publike dhe politikane?
Raste të tilla kemi parë psh., kur një material audio i përgjuar vendosi në qendër të opinionit një politikane të lartë në Maqedoni. Edhe pse ajo bëri shumë përpjekje për të përballuar këtë situatë, fakt është që ajo si figurë publike tashmë ka dalë nga skena politike. Gjë e cila tregon se mbi gruan pasojat janë të forta dhe të pamëshirshme. Megjithatë, ato janë ngurruese dhe kanë frikë të denoncojnë qoftë rastet e ngacmimeve morale, ashtu edhe të atyre seksuale. Lëvizjet të mëdha dhe të ndërkombëtarizuara si ‘#Me too’ pikërisht këtë synojnë: që femrat të mos frikën të denoncojnë, ato nisin pikërisht nga femra me ndikim në botë, sepse fjala e tyre peshon në opinion, aq sa arrijnë të rrëzojnë edhe mite të ndërtuara. Por ato janë shoqëri shumë të zhvilluara pikërisht sepse gruan e kanë ngritur në atë nivel që ato janë të lira të denoncojnë pa pasur frikën se paragjykohen se braktisen, apo se depersonalizohen.

Sa të ekspozuara janë femrat e angazhuara në politikë ndaj ngacmimeve seksuale?
Në mjediset tona të mbushura me protagonizëm mashkullor, është e vështirë që gratë të depërtojnë, të përfaqësojnë mbështetësit e tyre etj. Dukuri të tilla janë të vështira të mësohen, sepse edhe ato vetë nuk do ta kishin shprehur nëse janë ndjerë të tilla. Të gjithë ne jemi produkt i së njëjtës mendësi kulturore dhe i të njëjtës psikologji shoqërore. Por shpesh ka gra që karrierën e kanë ndërtuar mbi bazën e kompromiseve që kanë bërë dhe kjo nuk i ka përjashtuar edhe kompromiset e kësaj natyre. Ndryshe nuk ke si i shpjegon ngritjet apo promovimet e disave që janë larg parametrave të formimit, përvojës, meritës që kërkon një pozicion i caktuar që për përmbushjen e rolit që i takon kërkon parametra, të cilat disa as nuk arrijnë t’u afrohen me përgatitjen apo ngritjen që kanë.

Pse vjen ky frustrim nga meshkujt shqiptarë?
Sot “ngacmimi seksual” shikohet si një çështje e të drejtave të njeriut. Aristoteli thoshte “gjëja më e mirë në jetë është dija, ndërsa gjëja më e keqe është injoranca”. Dija lidhet me rolin e gruas në shoqëri, të drejtat e saj, statusin e individit në vendin e punës, edukimi me kodin etik, njohjen e koncepteve të së drejtës. Sot tek ne dëgjon shpesh shprehjen “pas një burri të suksesshëm qëndron një femër e fortë”. Kjo shprehje nuk di pse përdoret si kompliment, sepse kjo tregon rolin në hije të gruas, qoftë edhe kur ajo është e talentuar dhe inteligjente, madje shumë më tepër se burri që ajo e drejton drejt një karriere të përmbushur. Sot edhe tipologjia e “femrës së pavarur dhe në karrierë” tek ne përdoret si me sarkazëm ose ironi. Kjo tipologji bie ndesh me idenë e burrave që janë mësuar të sillen me femra të varura ekonomikisht, gjithmonë të heshtura dhe të dëgjueshme, të varura ekonomikisht dhe ku pozita sociale e tyre përcaktohet falë meshkujve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.