AKTUALITET

Kosta Barjaba: Vendimi i qeverisë, sa do të rritet masa e pensionit për të moshuarit

16:10 - 20.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Sipas vendimit më të fundit të qeverisë, pensionistët kanë të drejtë të përfitojnë një rritje pensioni prej 2.8%. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, eksperti i njohur, prof. dr. Kosta Barjaba tregon se vitet e fundit janë ndjekur politika shumë të kontrolluara për rritjen e pagave dhe pensioneve, por sipas tij raporti kontribuues me përfitues është shumë kritik e kjo bën që fondi i pensioneve, gati 50% financohet nga buxheti i shtetit. Më tej Bajraba thekson të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë të moshuarit për të përfituar pension pleqërie si dhe mënyrat për të rritur masën e pensionit. Ndërkohë eksperti bën me dije se masa minimale e pensionit është 130 mijë lekë të vjetra, por problemi i madh në Shqipëri është që gati 80% e pensioneve janë minimale, pra skema e pensioneve shkon drejt pensionit minimal.




Sa është numri i pensionistëve dhe kontribuuesve në Republikën e Shqipërisë?
Në vendin tonë ka rreth 650 mijë pensionistë si dhe rreth 720 mijë kontribuues. Raporti kontribuues me përfitues është shumë kritik, gati 1.1 me 1, në një kohë që raporti duhet të ketë minimalisht 2 kontribuues për 1 person që trajtohet me pension. Në Shqipëri ka rreth 1 milionë e 600 mijë persona që punojnë dhe vetëm 720 mijë prej tyre paguajnë kontribute, pra më shumë se gjysma nuk paguajnë kontribute dhe nuk janë në sistemin e pensioneve.

Cilat janë arsyet e këtij raporti kritik midis kontribuuesve dhe pensionistëve?
Ky raport kritik vjen për tre shkaqe kryesore: së pari, për shkak të strukturës demografike të popullsisë; e së dyti, një tjetër arsye është edhe shkalla e punësimit; e shkaku i tretë është për shkallën e lartë të informalitetit. Ne kemi shumë njerëz që punojnë, por nuk paguajnë kontribute, sepse mendojnë që të marrin për momentin lekët në dorë e nuk mendojnë për të ardhmen që mund të ngelin pa pension. Kjo ndodh pavarësisht se kontributet e sigurimeve shoqërore janë të përballueshme, nuk janë shumë të larta. Kjo bën që fondi i pensioneve, gati 50% financohet nga buxheti i shtetit, sepse qeveria nuk mund të lejë pensionistët pa pensione dhe kjo e rëndon.

Nëse do të kemi një raport të duhur mes kontribuuesve dhe pensionistëve, a do të ndikojë kjo në rritjen e pensioneve?
Në bazë të ligjit kemi një sistem kontributiv që mbështetet në kontribute dhe në praktikë kemi një model që gati gjysma e pensioneve përballohet nga buxheti i shtetit. Gjithë përpjekjet janë bërë që të rriten fondi që vjen nga kontributet dhe të ulet fondi që vjen nga buxheti i shtetit. Ky është elementi themelor që do të na çojë te rritja e pensioneve dhe rregullimet që i bëhen moshës së pensionit. Gjithë defekti i skemës së pensioneve vjen nga fakti që kemi pak kontribuues.

Sa do të jetë rritja e pensioneve sipas vendimit më të fundit të qeverisë?
Qeveria këto 4-5 vitet e fundit ka ndjekur politika shumë të kontrolluara për rritjen e pagave dhe pensioneve. Faktikisht nuk janë rritur, por janë indeksuar. Dihet që pensionistët kanë nevojë e dëshirojnë masa të larta pensionesh, por sistemi ekonomik në Shqipëri ka nevojë që të jetë i balancuar dhe të shëndoshet, kjo është zgjidhja më e mirë. Kjo pasi rritja e pensioneve është e kontrolluar në mënyrë që të fuqizohet dhe të mos rrezikohet skema e pensioneve. Kështu akumulohen disa burime që favorizojnë mirëqenien e qytetarëve.

Cilat janë kriteret për të përfituar pension pleqërie?
Individi që të përfitojë pension pleqërie duhet të ketë mbushur 35 vite punë me kontribute dhe të ketë mbushur moshën e përcaktuar; respektivisht 60 vjeç e 8 muaj për gratë dhe 65 vjeç për burrat. Parimi themelor i skemës së pensioneve është: “Sa paguan, aq përfiton”.

Sa është masa e pensionit të një përfituesi që ka mbushur moshën për të dalë në pension dhe trajtohet me këtë pagesë?
Masa minimale e pensionit është 130 mijë lekë të vjetra, por problemi i madh në Shqipëri është që gati 80% e pensioneve janë minimale, pra skema e pensioneve shkon drejt pensionit minimal. Kemi shumë pak pensione mesatare dhe shumë më pak pensione të larta. Kështu që duhet të zgjidhet problemi i kontributeve që njerëzit të punojnë e të derdhin kontribute. Edhe pse vitet e fundit janë mbi 200 mijë kontribuues të rinj.

Si mund të përfitohet një masë më e lartë pensioni, cila është procedura?
Për ata që punojnë vlen të theksoj se duhet të përfitojnë nga skemat suplementare. Nëse duan të marrin pension më të lartë mund të shkojnë të sigurohen. Edhe emigrantët kanë mundësinë e sigurimit vullnetar, siç kanë mundësinë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi për ta bërë diçka të tillë. Në këtë mënyrë ata nuk do ngelen pa pensione.

Meqenëse po flasim për pensionet e emigrantëve, a ka ndonjë shpresë për nënshkrimin e një marrëveshjeve bilaterale mes Shqipërisë dhe Greqisë apo Italisë?
Kjo marrëveshje është paska e vështirë, e largët dhe e ndërlikuar për tu arritur pasi këto shtete aktualisht vetë po bëjnë reforma të thella në skemën e pensioneve. Greqia ka hequr pensionet e parakohshme, për shkak të krizës ekonomike. Gjithsesi e rëndësishme është që qeveritë kanë rënë dakort politikisht që kjo çështje të vihet në axhendë dhe do të gjendet një zgjidhje.

Pse u hoq tavani i pensioneve maksimale?
Gjëja më e mirë që ka reforma e pensioneve është heqja e tavaneve të pensioneve maksimalë. Para se të bëhej reforma, pensioni maksimal nuk mund të ishte më shumë se dyfishi i pensionit minimal. Nëse pensioni minimal është 130 mijë lekë, pensioni maksimal nuk mund të ishte më shumë se 260 mijë lekë të vjetra. Qeveria e hoqi këtë tavan pasi një individ mund të paguante 5-fishin e kontributeve të atij që kishte pension minimal, dhe merrte vetëm dyfishin e pensionit minimal, pra paguanin më shumë kontribute dhe nuk merrnin atë që u takonte. Kjo bëri të mundur që mos të kishte evazion kontributiv, dhe madje më parë punëdhënësit nuk deklaronin pagat reale. Heqja e tavanit dhe e bëri skemën e pensioneve më të drejtë dhe më të ndershme, pra çdo njeri do të marrë pension, aq sa ka paguar kontribute.

Shumë herë qeveria dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore u ka bërë thirrje fermerëve të sigurohen. Si paraqitet situata në këtë sektor?
Dua të ndalem pak te fermerët të cilët po tregojnë një rezistencë shumë të madhe për të paguar kontributet, sepse mendojnë vetëm për sot. Qeveria ka bërë propagandë te kjo kategori për t’i bindur, por është shumë e vështirë. Në këtë rast është e nevojshme të merren masa. Sistemi i bujqësisë ka nevojë për një program subvencionesh afatgjatë që fermerët të subvencionohen, të marrin NIPT-in dhe pjesë e këtij subvencioni të jenë edhe sigurimet shoqërore në mënyrë që të bëhen pjesë e tregut të punës. Nëse nuk zgjidhet kjo, është e vështirë të zgjidhen problemet e tjera.

Koeficientët e indeksimit të pagave

Për pagat referuese, deri më 1.1.1994 8.59
Për pagat e vitit 1994 8.59
Për pagat e vitit 1995 6.92
Për pagat e vitit 1996 5.37
Për pagat e vitit 1997 5.37
Për pagat e vitit 1998 4.48
Për pagat e vitit 1999 3.64
Për pagat e vitit 2000 3.31
Për pagat e vitit 2001 2.83
Për pagat e vitit 2002 2.62
Për pagat e vitit 2003 2.34
Për pagat e vitit 2004 2.13
Për pagat e vitit 2005 1.93
Për pagat e vitit 2006 1.76
Për pagat e vitit 2007 1.67
Për pagat e vitit 2008 1.48
Për pagat e vitit 2009 1.36
Për pagat e vitit 2010 1.30
Për pagat e vitit 2011 1.25
Për pagat e vitit 2012 1.20
Për pagat e vitit 2013 1.16
Për pagat e vitit 2014 1.00


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Eshte e vertete qe,cdo njeri te mare pension,aq sa ke derdhur kontribute,por,a e quani te drejte qe kjo skeme te jete e drejte ,te hyje ne fuqi 01.01.2015,kur efekti i pagave (i cili eshte shume i ndjeshem)te periudhes para 94,eshte shume i ulet(por qe perben %-jen me te madhe te periudhes se pensionit) p.sh burrat dhe grate qe dalim ne pension me 01.01.2015,nga 35-40vite pune qe kane ,20 vite jane me page te nivelit me arsim te mesem sot(aresimi larte 4220 x8.59=36.250 leke,ne rastin tim si pergjegjese zyre). A e quani te drejte,kur, ne 8-10 vjecarin (1990-1998) ,70-80 % e popullsise jane prek nga fenomenet e papunesise(mbyllur vendi punes),crregullimet ne dokumentacion etj.Vetem 20-30 %(ata ne banka e institucione buxhetore).A nuk do ishte e drejte qe,sic fituan ushtaraket,te fitonin dicka edhe gjithe ata qe ju mbyll vendi punes?(Sidomos kuadrot e aresimit te larte? A nuk do te ishte e drejte qe,nqse,behen ndryshime koeficentesh,qe do conin ne rritje te pages bruto,sic eshte fol ne media,ky ndryshim te aplikohet qe me 01.01.2015,kur filloi ky sistem llogaritjeje pensioni,

    Përgjigju ↓