KULTURË

“Marubi” rikthehet në Itali

15:30 - 20.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kultura si pasaportë sjell Shqipërinë në qendër të vëmendjes”, njofton Ministria e Kulturës, teksa bën me dije se ministrja Mirela Kumbari, me Presidentin e Trienales, Stefano Boeri dhe ambasadoren e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, shënuan një ngjarje të rëndësishme në Vitin të Skënderbeut, pjesë e programit te Ministria e Kulturës për vitin 2018. Ajo e cilëson një punë fantastike të stafit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, kuruar mjeshtërisht nga Zef Paci, ku sillen 100 vjet nga historia e Shqipërisë, përmes portreteve që kalojnë para kamerës së Marubit e më pas të fotografëve të tjerë, të cilët fiksojnë momente kyç të jetës njerëzore shqiptare.




“Një ritual elegant oksidental të kuruar deri në detaje, që alternonte portretet me veshje tradicionale, me vështrime befasuese, sidomos femërore që nga ezmerja deri te turçelesha, nga lypsarja deri te madama, duke e kthyer çdo portret në një arketip. Në margjina të arteve të tjera, fotografia e Marubve, Idromenos, Kodhelit, Shan Picit, Nenshatit e me radhë ishin pasqyra më fantastike, njëherësh moderne për kohën e vendin por edhe, po aq klasike, e atij kufiri të hollë Lindje-Perëndim”, shkruan Kumbaro në profilin e saj në “Facebook”. Sipas ministres, dallimi i madh i fotografëve shqiptarë prej atyre tipikë orientalistë të kohës ishte pikërisht hapësira e dallueshme që e vendoste estetikën teatrale të kompozimit në shërbim të një frymë kombëtare shqiptarizuese aq të domosdoshme për epokën. “Sepse ata ishin artistë të jashtëzakonshëm dhe atdhedashës shembullorë.

La Triennale di Milano është një ndër skenat e duhura, që ky ritual tashmë i shekullit të kaluar të jetë një pasaportë autentike shqiptare që flet për bashkëkohësi kulturore”, thotë Kumbaro. Mes të përditshmes dhe ritualit, imazhet e ekspozitës “L’archivio Marubi. Il rituale fotografico” (Arkivi Marubi. Rituali fotografik) e kuruar nga Zef Paci, ruajnë kujtesën e mbi një shekulli jetë. Bëhet fjalë për trashëgiminë fotografike të Muzeut Marubi në Shkodër, i pari muze fotografie i cili në datat 16 nëntor deri më 9 dhjetor 2018, paraqet në Triennale di Milano, ekspozitën e tij të parë në bashkëpunim me La Triennale dhe Museo di Fotografia Contemporanea. Për këtë ekspozitë janë përzgjedhur rreth 170 fotografi prej autorëve më të njohur të koleksionit. Imazhet që do të shfaqen janë shkëputur prej vazhdës së formuar nga fotografët, të yjëzuar prej shkrepjeve të tyre e të shkëputura prej vetë vazhdës së jetës. Bashkësia e këtyre gjurmëve dhe fragmenteve të jetës të shkëputura nga fluksi i përditshmërisë ndërton një narracion përmes fotografisë, një rrugëtim përmes vendeve, fytyrave, marrëdhënieve njerëzore që hetojnë ritet e kalimit që në shekuj u fiksuan nga rituali fotografik.

Fotografia si ritual na ka lejuar të gjurmojmë komunitetin e historitë e tij të shumta me dëshirat për t’i dhënë publikut shijen e një realiteti shumëformësh e eklektik. Kjo ekspozitë organizohet nga Muzeu Marubi në La Triennale di Milano në kuadër të kalendarit të “Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Museo di Fotografia Contemporanea dhe Ambasadën e Shqipërisë në Itali.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.