KULTURË

Persekutimi komunist i Mid’hat Frashërit, publikohen online dokumentet

16:45 - 20.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kthimi në atdhe i eshtrave të Mit’hat Frashërit ka hapur një debat publik mbi rolin e tij, para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Mes etiketimeve si dijetar, atdhetar apo kolaboracionist, qëndrojnë qindra faqe dokumentesh. Dje, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka publikuar në faqen zyrtare listën e dokumenteve arkivorë të përndjekjes së Sigurimit ndaj Mid’hat Frashërit. Materialet janë disa qindra faqe dhe vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë dhe më gjerë.




Konkretisht, janë identifikuar:
-Viti 1945, Dosje – fashikull me dokumente mbi veprimtarinë tradhtare të kriminelit të luftës Mid’hat Frashëri gjatë okupacionit në arrati.
-Viti 1945, Dosje – fashikull me dokumente të kriminelit të luftës Mid’hat Frashëri mbi veprimtarinë e tij armiqësore dhe antikombëtare gjatë regjimit të Zogut.
-Viti 1945, informacione mbi veprimtarinë e Ballit Kombëtar, promemorie mbi formimin e disa qeverive gjatë luftës, lista e informatorëve në shërbim të Jugosllavisë para lufte e që ndiqeshin nga autoritetet italiane dhe lista emërore e personelit italian në Shqipëri, ndodhet vetëm në origjinal.
-Viti 1945, historiku i ish-legatës dhe konsullatës italiane në Shqipëri deri më 1943, skica e vendndodhjes.

-Viti 1953, shënime për Komitetin Shqipëria e Lirë, vlerësuar si pasardhëse e Ballit Kombëtar.
-Viti 1954, historiku i Ballit Kombëtar, lista sipas qarqeve.
-Viti 1954, historiku i Ballit Kombëtar, para dhe pas vitit 1944.
-Viti 1947, raporte informative mbi gjendjen dhe veprimtarinë armiqësore të emigracionit reaksionar shqiptar në Itali dhe dokumente mbi organizatën Balli Kombëtar në mërgim.

-Viti 1950, historiku i organizatës së Ballit Kombëtar dhe veprimtaria e saj në Shqipëri dhe në mërgim. Thirrjet e kongresit të kësaj organizate dhe polemika mbi organizatat e tjera të emigracionit reaksionar shqiptar në perëndim.
Të gjitha dokumentet vihen në dispozicion të të interesuarve, studiuesve, medias, mbi bazë kërkese dhe konform ligjit në fuqi.
Duke i vënë në dispozicion të publikut këto materiale, AIDSSH njofton se krijon mundësi për njohje të thelluar me dokumente, procesverbale, dosje e statistika të periudhës së marrë në shqyrtim, mbi rezistencën dhe përndjekjen, për të hedhur dritë mbi të shkuarën me baza profesionale dhe transparencë, në komunikim të hapur me publikun.

Autoriteti për Informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.