AKTUALITET

Dita e të Drejtave të Fëmijëve, raporti: Mbi 5 mijë të mitur shqiptarë, të trafikuar

12:45 - 21.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në Ditën Ndërkombë- tare të të Drejtave të Fëmijëve, statistikat mbi trafikimin e të miturve në Shqipëri rezultojnë tejet tronditëse. Sipas të dhënave nga raportet zyrtare të shteteve të BE-së dhe të organizatave ndërkombëtare përllogarisin se janë mbi 5000 fëmijë të trafikuar, të kontrabanduar dhe të pashoqëruar nga Shqipëria. Megjithatë edhe këto të dhëna duken të pjesshme, po të krahasojmë të dhënat e raportuara nga Mbretëria e Bashkuar, ku vetëm gjatë dy viteve të fundit janë raportuar më shumë se 1500 fëmijë nga Shqipëria të trafikuar dhe kontrabanduar drejt këtij shteti, shumica e tyre fëmijë-vajza. Në raportin e Europol theksohet se grupet kriminale shqiptare, trafikojnë djem të rinj në moshën 12 deri në 15 vjeç në BE dhe më pas i detyrojnë ata të punojnë në larjen e makinave pa pagesë. Fëmijët jepen nga familjet e tyre në Shqipëri dhe Kosovë, të cilët i paguajnë kontrabandistëve rreth 10,000 euro, me premtimin që fëmijës së tyre do ti jepet një e ardhme më e mirë në BE. Të miturit transportohen ilegalisht në Evropën Jugore dhe më pas udhëtojnë përmes ajrit dhe detit në Evropën Perëndimore. Ky rrjet kriminal ka njësi të vendosura në shtete të ndryshme anëtare të BE-së, duke përfituar nga pagesa paraprake e familjeve, por edhe nga shfrytëzimi i punës së të miturve.




“Disa rrjete kriminale vepronin në disa vende të BE njëkohësisht dhe disa të dyshuar ishin regjistruar tashmë në bazat e të dhënave kriminale të BE-së në lidhje me përfshirjen e tyre në krimin e pronës, prodhimin e drogës dhe trafikimin, prostitucionin e detyruar dhe kontrabandimin e emigrantëve. Në shumicën e këtyre rasteve familjet e viktimave u përfshinë në procesin e trafikimit në nivele të ndryshme, ndonjëherë me vetëdije duke bere dorëzimin e fëmijëve të tyre ose nganjëherë duke mos qenë në dijeni të rreziqeve të shfrytëzimit të fshehur pas një shërbimi kontrabande”,-thekson Altin Hazizaj, drejtor i organizatës për të drejtat e fëmijëve, CRCA Albania. Ky i fundit shton se viktimat e vogla të shfrytëzuara në prostitucion në BE u larguan nga vendi i tyre i origjinës në të njëjtën kohë me viktimat e tjera të rritura.

Hazizaj thekson se një grup shqipfolës thuhet se planifikonte rrëmbimin e vegjëlve për të rregulluar birësimet e pali-gjshme. Një prej shqetësimeve të veçanta në lidhje me këtë rrjet ishte dimensioni gjeografik i grupit, pasi të dyshuarit u gjetën të jenë në kontakt me njerëz në disa vende të BE-së, Indi dhe Vietnam që organizojnë skema potenciale të adoptimit ilegal. “Sipas Qendrës “Vatra”, vetëm gjatë vitit 2017 ka patur 44 raste të reja, rreth 30 % më tepër krahasuar me një vit më parë. Nga këto, rreth 59 % e rasteve përdoren për shfrytëzim seksual, ndërsa 41 % e tyre për shfrytëzim për lypje, etj. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, ndau shqetësimin kryesor të ngritur edhe nga CRCA Shqipëri, se “trafikantët gjithnjë e më shumë po përdorin mediat sociale për të rekrutuar viktimat. Fëmijët shpesh detyrohen të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar. Qeveria shqiptare raportoi më pak ndjekje penale dhe gjykime dhe autoritetet vazhduan të hetojnë dhe ndjekin penalisht disa trafikantë për krime të vogla si shfrytëzimi i prostitucionit”,-thekson Hazizaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.