OPINION

Salillari, Ramallari dhe ne të tjerët

07:40 - 21.11.18 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Monika Kryemadhi ka lëshuar mnjë apel në protestën e Unazës së Re, që kompania “Salillari” dhe Edi Rama të mos guxonin të prishninshtëpitë e banorëve. Ajo shtoi, aty për aty, se kjo firmë ndërtimi rrugësh “po i merr të gjitha, që mos u ngoptë inshalla”.
Pavarësisht se Salillari mund të ketë qenë njësoj i pangopur edhe në kohë të PD edhe në kohë të LSI-së, e shkëputur nga sfondi kohor, ideja se ai po i rrëmben të gjitha duket e drejtë.




Tani, me dokumente ne kemi të vërtetuar se tenderi 40 milionë eurosh i Unazës së Re është zhvilluar me një garë fiktive, ku një ndërtues i vetëm, “Vëllezërit Hysa”, ka marrë pjesë në konkurrimin e tre loteve të kësaj rruge, gjithsej 2.2 kilometra, duke zhdukur çdo lloj ndershmërie.
Natyrisht, këtu gjithkush mund të dyshojë se kemi të bëjmë me një aferë të pastër korruptive. Gjithkush mund të hamendësojë, po ashtu, se sa miliona euro mund të ishin kursyer nga një tender i drejtë dhe se si ato mund t’i kishin kompensuar të gjithë banorët që sot po flaken në rrugë.
Pra, siç shikohet, deri këtu ironia është therëse.

Nga njëra anë kemi Rilindjen, që tregohet dorëlëshuar me klientët e saj, të cilët fryjnë faturat e tenderëve fiktivë, e që bëhet cingune për dëmshpërblimet e qytetarëve të mjerë që do t’u shembë shtëpitë.
Në anën tjetër kemi LSI-në (pa përjashtuar këtu edhe demokratët) që u bën thirrje ish- klientëve të saj, që tani po punojnë me Ramën: “Boll, se nuk u ngopët”!
Por, kulmi i kulmeve të kësaj balloje me maska gjendet diku tjetër. Atë e zbulova papritur duke lundruar në internet, për të qëmtuar lidhjet e kompanisë Salillari me pushtetet e ndryshme politike. Dhe imagjinoni ç’më doli para syve. Një video e botuar nga ERTV, ku Edi Rama shfaqej në rolin e bamirësit. Ai kishte qenë disa muaj më parë në Marikaj të Vorës, ku si kryeministër i një vendi të begatë, paskësh zbuluar një familje në skamje.
Natyrisht, kryeministrit që i digjet shpirti për të varfrit (ky qe një nga sloganet e ardhjes së tij në pushtet në 2013) nuk mund ta duronte këtë. Prandaj ai ndërmori një nismë. T’i ndërtonte shtëpinë asaj familjeje dhe të punësonte kryetarin e saj.

Këto premtime, të bëra realitet, duken edhe në videon e transmetuar në ERTV. Shtëpia po ndërtohet dhe i zoti i saj tashmë ka veshur jelekun e punës në një firmë ndërtimi.
Por, po t’i shikosh pamjet me kujdes, vëren një tallje shembullore. Ai burrë i ngratë është punësuar tek Salillari dhe shtëpinë e tij po e ringre nga e para po kjo firmë. Pra, e njëjta që nga Monika akuzohet se po rrëmben gjithçka, nga Edi reklamohet si bamirëse.
Me një llogari të thjeshtë, del se shtëpia e Marikajt po ndërtohet me një thërrmijë nga milionat që “tepruan” nga tenderi zemërgjerë i Unazës së Re, i cili po hedh në rrugë të madhe së paku 317 familje.
Dhe këtu sarkazma mbërrin kulmin.

Sepse, loja politike me kundërshtarët që akuzojnë njëri- tjetrin se po vjedhin me të njëjtët klientë, në këtë moment cek fundin.
Pas saj, po hymë në një fazë të re, ku këta oligarkë që kanë bërë namin edhe majtas edhe djathtas, shiten si vlera. Motoja e kësaj fabule është e thjeshtë: ne ju fusim thikën deri në palcë, por ama nuk ju lëmë të vdisni për bukën e gojës. Ne jemi ata që zhysim në xhepa paratë e qindra familjeve që u prishen shtëpitë, por publiku duhet të na njohë si bamirës të të varfërve.

Pikërisht kjo është faza terminale e një procesi të kahershëm degjenerimi. Ndërsa për vite me radhë “salillarët” e kanë bërë emrin e tyre të rimojë me të gjithë liderët, që i kanë lënë vendin njëri- tjetrit, tani, në kohën e dyshes Salillari-Ramallari, po kërkohet që kësaj lidhjeje t’i jepet edhe një tis fisnikërie. Jemi në pikën kur grabitësit po tentojnë të hiqen edhe si bamirës, duke i trajtuar tre milionë shqiptarët e tjerë si idiotë.

* Lapsi.al. Titulli i origjinalit: Salillari, Ramallari dhe tre milionë rrota …ari


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.