Kryesore

Studentët: Zhvatja nga Fakulteti i Shkencave, 700 euro për një provim

15:30 - 21.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ditën e nesërme, studentët e universiteteve publike në vend do të protestojnë për uljen e tarifave të detyrueshme dhe rritjen e buxhetit për universitetet. Nën sloganin “Ulni tarifat, rritni buxhetin” ata do të marshojnë drejt Kryeministrisë, në vazhdim të aksioneve të herëpashershme që kanë ndërmarrë lidhur me këtë kauzë. “Studentët ndihen të zhvatur kudo dhe çdo ditë. Zhvaten përmes tarifave nga më të lartat në Evropë, të cilat priten të rriten edhe më kur qeveria të nisë shpërndarjen e parave publike drejt universiteteve private.




Zhvaten nga çmimet abuzive të librave, nga kostot e larta të jetesës dhe ëndrra për t’u punësuar profesionalisht pas studimeve”,-thonë ata në thirrjen e tyre. Sipas studentëve, puna si kamerierë dhe thirrës telefonikë është e tashmja dhe i vetmi horizont që iu paraqitet e më tej theksojnë se zhvaten nga klasat e ftohta, bibliotekat e ngushta, pedagogët abuzues dhe shpërfillja e drejtuesve universitarë. Tri kërkesat kryesore që të rinjtë i drejtojnë qeverisë janë: përgjysmim i të gjitha tarifave studimore; rritje serioze e buxhetit të shtetit për universitetet publike; si dhe themelim i një enti botues publik që boton libra universitarë me çmim të lirë. “Zëri i studentëve, që do të duhej të ishte gjithçka, nuk dëgjohet nga askush.

Për ta lartësuar zërin tonë, për të mbrojtur të drejtat tona dhe ndërtuar skelën e shpresës për një universitet më të mirë e demokratik, ku studimet kushtëzohen vetëm nga merita, ejani të mblidhemi si kurrë më parë në marshimin e protestës! Studentë, pedagogë të për-gjegjshëm dhe qytetarë të shqetësuar për fatet e arsimit! Bashkohemi të enjten në orën 10.30 te Korpusi dhe marrim rrugën drejt kryeministrisë! Nuk ka forcë në botë që ndal studentët e bashkuar”,-theksojnë ata në thirrjen e tyre.

Aksioni
Sakaq, ditën e djeshme studentë dhe aktivistë të Lëvizjes për Universitetin zhvilluan në Fakultetin e Shkencave të Natyrës një aksion simbolik për uljen e tarifave dhe kundër zhvatjes së studentëve. “Prej vitesh FSHN është kthyer në një celulë të mirë-strukturuar zhvatjesh studentore, ku ka pedagogë që kërkojnë deri në 700 euro për një provim, që shesin libra me listë dhe i detyrojnë studentët të bëjnë kurse private për të kaluar provimet, etj. Nëse shtojmë këtu edhe tarifën e studimit dhe koston e jetesës, mund të themi se jeta e studentit është kthyer në një ferr të vërtetë”,-thonë studentët. vo.du.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.