EKONOMI

77 mijë banesat pa leje, procedurat e reja për legalizim

13:00 - 24.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qeveria ndryshon procedurën dhe kriteret për legalizimin e 77 mijë ndërtimeve pa leje që deri më tani kanë mbetur pa u ligjëruar. Nëpërmjet projektligjit për “Përfundimin e proceseve kalimtare të kalimit të pronësisë”, ekzekutivi i jep dhe një mundësi tjetër të gjithëve atyre që për shkaqe apo arsye të ndryshme nuk kanë mundur ta legalizojnë banesat apo ndërtimet e ndërtuara pa leje, në tokë të një tjetri apo edhe në tokën e tyre.




Natyrisht që në fillim nëpërmjet këtij drafti bëhen të ditura rastet kur ndërtimet pa leje përjashtohen nga legalizimi. Më konkretisht ligji përcakton se nuk mund të legalizohen ato ndërtime që janë pranë veprave kryesore të infrastrukturës publike, akseve rrugore kombëtare, territorit të ndërtesave publike, pranë monumenteve të kulturës, territore e destinuara për investime strate-gjike, si dhe vijës bregdetare. Ndërkohë që për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, kriteret e mësipërme sjellin përjashtimin nga legalizimi vetëm për sipërfaqet në tejkalim të lejes së ndërtimit, kur ato janë të ndashme nga ndërtimi kryesor (ndërtimi me leje). Në rastin kur këto sipërfaqe nuk janë të ndashme, objektet me shkelje të lejes së ndërtimit legalizohen në tërësi. Pavarësisht faktit se shteti merr përsipër ta legalizojë një ndërtesë, në këtë ligj ai distancohet nga përgjegjësia për qëndrueshmërinë e strukturës së tij dhe të një fatkeqësie të mundshme. Sipas këtij drafti, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 60 ditëve, nga përfundimi i procedurave të kualifikimit, legalizon ndërtimin. Ndërkohë që poseduesi i ndërtimit pa leje ka të drejtë të kërkojë përfundimin e procedurave administrative brenda 30 ditëve, nga paraqitja e kërkesës, kundrejt pagesës së një tarife shërbimi shtesë.

Projektligji

Neni 14
Evidentimi i ndërtimeve pa leje
1. Evidentimi i ndërtimeve pa leje kryhet nga ASHK-ja, nëpërmjet përditësimit të gjendjes ndërtimore në terren, duke konstatuar edhe funksionin e përdorimit.
2. Për ndërtimet pa leje, që futen në kategorinë e objekteve me shkelje të lejes së ndërtimit, krahas evidentimit të gjendjes ndërtimore në terren, ASHK-ja administron edhe dokumentacionin e lejes së ndërtimit.
Neni 17
Dokumentacioni për legalizim
1. Dokumentacioni për legalizimin e ndërtimit pa leje përfshin:
a) Gen-planin e ndërtimit;
b) Planimetrinë e çdo kati të ndërtimit dhe sipërfaqet në m2;
c) Aktekspertizat nga një ekspert ose ent i licencuar për qëndrueshmërinë konstruktive të objektit, për ndërtimet me lartësi mbi 4 kate.
Neni 18
Legalizimi i ndërtimit
1. ASHK-ja, brenda 60 ditëve, nga përfundimi i procedurave të kualifikimit, legalizon ndërtimin, duke respektuar dispozitat e legjislacionit në fuqi për regjimet pasurore martesore.
2. Poseduesi i ndërtimit pa leje ka të drejtë të kërkojë përfundimin e procedurave administrative brenda 30 ditëve, nga paraqitja e kërkesës, kundrejt pagesës së një tarife shërbimi shtesë.
3. Modeli dhe rregullat për nxjerrjen e aktit të legalizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 19
Parcela ndërtimore dhe kalimi i pronësisë
1. ASHK-ja përcakton sipërfaqen dhe konfigurimin e parcelës ndërtimore për subjektin që disponon ndërtimin e legalizuar.
2. Kur poseduesi i ndërtimit nuk është pronar i parcelës ndërtimore, akti i legalizimit të ndërtimit nga ASHK-ja shërben edhe si akt i kalimit të pronësisë mbi truallin e parcelës.
3. Përcaktimi i sipërfaqes së parcelës ndërtimore, që kalohet në pronësi, kryhet sipas rregullave të mëposhtme:
a) Në rastin e ndërtimeve pa leje, me funksion banimi, si rregull, sipërfaqja e parcelës ndërtimore, për të cilën kalohet e drejta e pronësisë, mund të jetë deri në masën e trefishit të bazës së ndërtimit, por, në çdo rast, jo më e madhe se 500 (pesëqind) m²;
b) Për ndërtimet pa leje, me funksion social-ekonomik, zbatohet vetëm kriteri i trefishit të sipërfaqes së bazës së ndërtimit;
c) Kur, për shkak të përmasave ose planvendosjes së parcelës ndërtimore, krijohen sipërfaqe të lira, që nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, ato i kalohen në pronësi poseduesit të ndërtimit pa leje, sipas çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kalimi i së drejtës së pronësisë për këto sipërfaqe kryhet vetëm nëse poseduesi i ndërtimit pa leje shpreh vullnetin nëpërmjet një kërkese me shkrim. Në çdo rast, për ndërtimet me funksion banimi, sipërfaqja deri në 500m² paguhet me çmim favorizues.
4. Për parcelat ndërtimore, të cilat gjenden në pasuri në përgjegjësi administrimi të institucioneve shtetërore, me kalimin e pronësisë, sipas këtij neni, shuhet vetvetiu edhe përgjegjësia e administrimit. Për këto sipërfaqe, ASHK-ja njofton institucionin përkatës.
5. Çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje, me funksion banimi dhe të përzier (social-ekonomik dhe banimi) është çmim favorizues, ndërsa, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, është ai i përcaktuar në hartën e vlerës së pronës për llojin e pasurisë “truall”.
Neni 20
Rastet kur subjekti posedon më shumë se një ndërtim pa leje
1. Në rast se një subjekt posedon më shumë se një ndërtim pa leje, ai ka të drejtë të zgjedhë, me akt noterial, se për cilin do të përfitojë pronësinë e parcelës ndërtimore sipas çmimit favorizues të legalizimit. Për ndërtimet e tjera zbatohet çmimi i përcaktuar në hartën e vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, dhe tarifa e shërbimit, pavarësisht nga kategorizimi i funksionit të objekteve apo sipërfaqja e parcelës ndërtimore.
Neni 21
Kompensimi i pronarëve joposedues
1. Për pronarët joposedues, pasuritë e të cilëve janë zënë nga parcelat e ndërtimeve të legalizuara, Këshilli i Ministrave miraton, me vendim, vlerën e kompensimit financiar për sipërfaqet takuese.
2. Llogaritja e vlerës së kompensimit bëhet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së pronës, për llojin e pasurisë “truall”.
3. Kur për truallin e parcelës ndërtimore ka mbivendosje të disa titujve pronësie, vendimi i Këshillit të Ministrave për masën dhe vlerën e kompensimit financiar miratohet pa përcaktuar subjektin përfitues të shumës. Me miratimin e këtij vendimi, ASHK-ja kryen regjistrimin e pronësisë mbi parcelën ndërtimore në favor të poseduesit të ndërtimit të legalizuar. Vlera e kompensimit financiar vendoset në një llogari bankare të posaçme dhe vihet në dispozicion të subjektit që do të rezultojë përfitues nga vendimi gjyqësor i formës së prerë, i cili zgjidh mbivendosjen, sipas nenit 37, të ligjit “Për kadastrën”.
Neni 23
Mosmarrëveshjet për të drejtat mbi ndërtimin që legalizohet
1. Kur, gjatë procedurave të legalizimit, konstatohet se për të njëjtin ndërtim pa leje ka aplikime nga dy ose më shumë subjekte, procedurat e legalizimit vijojnë në favor të subjektit që ka aplikuar i pari në kohë.
2. Mosmarrëveshjet ndërmjet subjekteve aplikuese dhe pretendimeve të të tretëve për të drejtat mbi ndërtimin pa leje apo për raportet e pronësisë mbi ndërtimin zgjidhen gjyqësisht. Për ndërtimet pa leje që janë objekt i konfliktit gjyqësor, sipas kësaj pike, dhe që kualifikohen për legalizim, ASHK-ja nuk pezullon procedurën administrative, por miraton legalizimin pa përcaktuar përfituesit.
3. Pas përfundimit të gjykimit të padisë, regjistrimi i pronësisë mbi pasurinë e legalizuar bëhet sipas përmbajtjes së vendimit gjyqësor të formës së prerë.
Neni 26
Trajtim i veçantë
1. Ndërtimet pa leje, që kanë më shumë se 50% të sipërfaqes (bazës së ndërtimit) mbi tokë private të të tretëve, ku dokumentet e miratuara të planifikimit të territorit parashikojnë ndërtime mbi 6 kate nga niveli zero, nuk legalizohen.
Neni 28
Efektet e legalizimit në regjimin kadastral të tokës
Legalizimi i ndërtimeve pa leje ndryshon automatikisht llojin e pasurisë në regjistrat publikë të pasurive të paluajtshme, duke e kthyer sipërfaqen e parcelës ndërtimore në “truall”.

n Neni 29
Ndërtimet e përjashtuara nga legalizimi
1. Poseduesit e dërtimeve pa leje (banesa), që përjashtohen nga legalizimi, sipas nenit 13, të këtij ligji, kur nuk zotërojnë objekt tjetër pa leje apo edhe të ligjshëm, trajtohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore në përputhje me dokumentet e miratuara të planifikimit të territorit dhe legjislacionin për programet sociale të strehimit.
2. Për zbatimin e kësaj dispozite, ASHK-ja i përcjell njësisë së vetëqeverisjes vendore listën e subjekteve dhe praktikat dokumentare të ndërtimeve që përjashtohen nga legalizimi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.