EKONOMI

Ligji në Kuvend, si bëhet regjistrimi i pronësisë së tokës

12:00 - 24.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të gjithë ata individë apo familje që kanë përfituar nga shpërndarja e tokave të ish-kooperativave bujqësore, ish-ndërmarrjet bujqësore apo edhe nga ligjet e tjera të dala më vonë, do mund t’i regjistrojnë ato në mënyrë përfundimtare si pronë të tyre të ligjshme. Qeveria ka paraqitur në Kuvend projektligjin për “Përfundimin e proceseve kalimtare të kalimit të pronësisë”, nëpërmjet të cilit bën të mundur krijimin e bazës ligjore të thjeshtuar e të harmonizuar për përfundimin e proceseve administrative të trajtimit të pronës së paluajtshme të shtetit dhe pronës private, duke përcaktuar edhe rregullat konkrete për të ligjëruar pronësinë e tyre. Më konkretisht, objekt i trajtimit të këtij ligji janë ligjësimi i titujve të pronësisë për tokat bujqësore të shpërndara me ligjin 7501, për tokat e marra në përdorim nga ish-ndërmarrjet bujqësore, ndërtimet pa leje në pronë të tjetrit apo edhe tënden, sipërfaqet në zonat e stimuluara për zhvillimin e turizmit, si dhe një sërë natyrash të tjera të pronës së shpërndarë në vend. Synimet e projektligjit kanë të bëjnë me reformimin në thelb të proceseve të lartpërmendura, duke parashikuar normat e nevojshme për zgjidhjen e problematikave 30-vjeçare që kanë shoqëruar zbatimin e tyre, në funksion të përmbylljes së çështjes së pronës. Konkretisht, synimi i hartuesve është trajtimi sistematik, që do të thotë se proceset e ndryshme të lidhura me pronën (legalizim, azhurnim, trajtim prone, regjistrim AMTP-je, inventarizim i pronave shtetërore) do të konceptohen e zbatohen në mënyrë të njëkohshme dhe sistematike dhe jo më në mënyrë të çrregullt.
Gjithashtu, ligji parashikon që strukturat shtetërore të marrin efektivisht rolin e rregullatorit dhe jo më atë të konstatuesit apo vrojtuesit të thjeshtë të problematikave. Thelbi i këtij ligji, siç theksohet edhe në relacion, është ligjësimi i faktit, pra i gjendjes faktike të pronës. Në të njëjtën linjë, nëpërmjet projektligjit është synuar të gjenden zgjidhjet për të gjitha ato situata që janë të patrajtueshme dhe të mbetura pezull, për arsye se procedimi me kuadrin aktual është i pamundur, qoftë për shkak të vakuumit ligjor, qoftë si pasojë e parashikimeve ligjore ndaluese, që vetëm identifikojnë çështjet problematike, pa parashtruar mënyrën e trajtimit të tyre.




Titujt e pronësisë
Në pjesën e parë të këtij projektligji trajtohet problematika e mprehtë e pronësisë mbi tokën bujqësore të ish-kooperativave dhe ish- ndërmarrjeve bujqësore. Në total nga rreth 450 mijë akte pronësie që ekzistojnë në gjithë vendin, deri më tani janë të regjistruara vetëm 250 mijë, pra afro gjysma e tyre janë ende të paligjëruara dhe regjistruara si pasuri e paluajtshme. Për këtë qëllim ligji përcakton qartë kushtet që duhet të plotësohen për ligjësimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi dhe trajtimin e rasteve, të cilat nuk i përmbushin këto kushte. Specifikisht, neni 7 i projektligjit synon të lehtësojë pozitën e subjekteve përfituese të tokës bujqësore, kur e konsideron të vlefshme AMTP-në vetëm me kushtin e plotësimit të disa elementeve themelore. Qëllimi i këtij neni është të mos cenojë të drejtat e subjekteve, të fituara prej tyre prej pothuajse 30 vjetësh (që nga hyrja në fuqi e ligjit nr.7501/1991), duke “falur” të gjitha mangësitë që mund të ketë titulli i pronësisë, me përjashtim të disa kushteve themelore.
Pra, dispozita në vetvete është mirëfilli një falje ndaj një kategorie shumë të madhe subjektesh që do të cenoheshin sipas legjislacionit që është aktualisht në fuqi. Më konkretisht bëhet fjalë për kushtin që akti subjekti që ka tokën ka qenë legjitimuar për të përfituar tokë sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore. Gjithashtu, subjekti ka përfituar tokë vetëm në territorin e një kooperative apo ndërmarrjeje bujqësore dhe që toka e ndarë me AMTP nuk ka qenë e llojit “truall”, “rëra bregdetare” ose “plazhe”.

Gjendja faktike
Ndërkohë që ky projektligj parashikon edhe se si zgjidhet rasti kur ka mospërputhje mes tokës së shpërndarë dhe asaj faktike. Në këtë rast punonjësit e ASHK-së bëjnë verifikimin në teren dhe njohin vetëm gjendjen faktike të pronës. Në rast se prona aktuale është më e madhe se sa ajo që duhet të kishte, atëherë subjekti apo poseduesi i saj duhet të blejë sipërfaqen shtesë.

Tri parimet e nismës

1. Ligjësimi i faktit, i cili përbën frymën që do duhet të udhëheqë proceset e përkohshme që kanë të bëjnë me legalizimin e ndërtimeve pa leje, ligjësimin dhe regjistrimin e AMTP-ve inventarizimin e pronës shtetërore.
2. Unifikimi i bazës hartografike të funksionimit të të gjitha proceseve që lidhen me pasuritë e paluajtshme, çka përbën një ndër kushtet themelore për të mundësuar realizimin e reformës.
3. Deregulimi, që nënkupton shkurtimin e procedurave dhe të dokumentacionit që shoqëron procesin administrativ, duke lehtësuar barrën burokratike që rëndon mbi subjektet e interesuara (pronarët/poseduesit e pasurive të paluajtshme)

Kushtet për ligjësimin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi

Neni 7
4. Akti i marrjes së tokës në pronësi (AMTP), i fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, konsiderohet i vlefshëm nëse plotësohen, njëkohësisht, kushtet e mëposhtme:
a) Subjekti ka qenë legjitimuar për të përfituar tokë sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore ose, edhe nëse nuk ka qenë legjitimuar, ka përfituar tokën, për të cilën i është hequr pronësia atij apo trashëgimlënësit gjatë krijimit të kooperativës apo ndërmarrjes bujqësore;
b) Subjekti ka përfituar tokë vetëm në territorin e një kooperative apo ndërmarrjeje bujqësore;
c) Toka e ndarë me AMTP nuk ka qenë e llojit (zërit kadastral) “truall”, “rëra bregdetare” ose “plazhe”.
6. Mosplotësimi i kritereve të akteve ligjore e nënligjore për tokën bujqësore, që nuk janë listuar në pikën 1, të këtij neni, përfshirë edhe “normën për frymë”, nuk përbën shkak për mosligjësimin e AMTP-ve.
Procedura e kalimit në pronësi pa shpërblim
n Neni 12
1. Kalimi në pronësi i tokës bujqësore bëhet nga ASHK-ja, sipas listës së përdoruesve të tokës, të miratuar me vendim të këshillit bashkiak.
2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda 3 muajve, nga hyrja në fuqi e ligjit, përcjellin pranë ASHK-së kërkesat për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, të administruara sipas ligjeve nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësisë të përfituesve”, dhe nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.
3. Agjencia Shtetërore e Kadastrës saktëson sipërfaqen për kalim pronësie sipas nenit 11, me prezencën e përfaqësuesit të administratës së njësisë së vetëqeverisjes vendore, dhe verifikon plotësimin e kushteve për kalimin në pronësisë, pa shpërblim, të tokës bujqësore. Pas procesit të verifikimit, ASHK-ja harton listën e përdoruesve faktikë të tokës bujqësore për çdo fshat, të cilën ia paraqet për miratimin këshillit bashkiak.
4. Këshilli bashkiak, mbështetur në dokumentacionin e hartuar nga ASHK-ja, miraton, me vendim, listën e përdoruesve të tokës bujqësore për çdo fshat. Vendimi i përcillet brenda 10 ditëve ASHK-së, për të plotësuar aktet individuale të kalimit në pronësi, si dhe drejtorisë së administrimit dhe mbrojtjes së tokës, për dijeni.
5. Nëse brenda 30 ditëve, nga administrimi i dokumentacionit, njësia e vetëqeverisjes vendore nuk ka realizuar vendimmarrjen në këshill bashkiak, sipas pikës 4, të këtij ligji, atëherë akti administrativ (vendimi) i këshillit bashkiak konsiderohet i miratuar në heshtje, sipas përmbajtjes paraprake të propozuar.
6. Rregullat e hollësishme dhe forma e aktit individual të kalimit në pronësi të tokës bujqësore miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.