Sociale

Nikolla: Priten shkurtime në radhët e pedagogëve

12:30 - 24.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Së shpejti do të nisë një investigim që synon verifikimin e punës së pedagogëve në universitete. Kjo deklaratë është bërë ditën e djeshme nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla gjatë prezantimit të shpërndarjes së buxhetit të arsimit në Komisionin Parlamentar për Ekonominë. Ajo rikonfirmoi se do të mbulohen 12 muaj pagat e pedagogëve, por nga investigimi i bërë në shumë universitete ajo deklaroi se ka një fryrje të stafeve, të cilat sjellin edhe uljen e parave që mund të shkojnë në favor të studentëve. “Buxheti 2019, arsimit të lartë i shtohen 410 milionë lekë më shumë së një vit më parë. Pagat e pedagogëve do të mbulohen në 12 muaj nga buxheti i shtetit. Po monitorojmë punën e bordeve, administratorëve, dekanëve dhe rektorëve me strukturën universitare. Kemi konfirmuar se ka tejkalim të normës së punonjësve administrativë mbi 33% në disa universitete.




Ndaj ne do bëjmë publike këtë investigim dhe do ndërhyjmë që taksat të shkojnë aty ku duhet dhe jo për nderet e radhës duke punësuar pa kriter”,-tha Nikolla në fjalën e saj. Lidhur me protestën e studentëve dy ditë më parë lidhur me tarifat, ministrja theksoi se nuk ka rritje tarifash prej disa vitesh dhe solli disa argumente mbi tarifën mesatare që paguajnë studentët në “Bachelor”. “Ne jemi akuzuar se janë shumëfishuar tarifat. Por në të vërtetë nuk ka asnjë rritje tarifash. Tarifa mesatare që paguan një student sot është 26 314 lekë për studimet “Bachelor”. Ndoqa dje protestën ku studentët nga kërkesa për tarifë zero shkuan në përgjysmim të tarifës. Qeveria vendos tavanin e tarifës ndërsa vendimmarrja është e universiteteve. Universitet janë të lira të orientojnë vendimmarrjen e tyre për arsimin publik.”- u shpreh Nikolla. Kjo e fundit më tej deklaroi se buxheti i akorduar për arsimin kap shifrën e 39.1 miliard lekëve dhe përmbush pritshmëritë për thellimin e reformave, rritjen e pagës për mësuesit, shtimin e numrit të mësuesve ndihmës dhe sigurimin e transportit për nxënësi dhe mësuesit nga klasat kolektive.

Buxheti për shëndetësinë
Gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se me buxhetin e vitit të ardhshëm investohet 20% më shumë për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore. “Për 2019 investojmë 3 miliardë e 150 milionë lek, ose 20% më shumë krahasuar me vitin 2018. Vetëm në QSUT po investojmë 30 milion euro për ndërtimin e Spitalit të ri Kirurgjikal, Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitalin Pediatrik, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Manastirliu foli, gjithashtu, për vëmendjen e posaçme tek fuqizimi i spitaleve rajonale dhe rrjetit të materniteteve në vend. Ajo u ndal edhe te investimet në kujdesin shëndetësor parësor, duke filluar nga rehabilitimi i 100 qendrave shëndetësore në vitin 2019. Sa i takon programeve të Mbrojtjes Sociale, Manastirliu foli për politikën e re sociale të bonusit të bebeve, që me buxhetin e vitit 2019 mbështet direkt 30 mijë familje që do të gëzohen me lindjen e një fëmije.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.