AKTUALITET

Nisma në Kuvend, ja si do bëhet regjistrimi fillestar i pronës

13:30 - 26.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Të gjithë qytetarët që kanë një pronë të paluajtshme duhet ta regjistrojnë atë nga fillimi. Kjo pasi projektligji i ri “Për Kadastrën” i paraqitur për shqyrtim dhe miratim në Kuvend përcakton si një domosdoshmëri për t’i dhënë fund problemeve me pronat e paluajtshme në Shqipëri, por edhe për të krijuar një regjim kadastral të rregullt dhe të pakontestueshëm, regjistrimin fillestar të tyre. Më konkretisht bëhet fjalë për procesin e reflektimit të pasurive për herë të parë në regjistër, pasqyrimi në kartelë dhe hartën kadastrale. Ky proces do të kryhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe do të realizohet për çdo zonë kadastrale. Natyrisht që pas verifikimeve që do të bëjnë specialistët e ASHK-së në terren për kufijtë e pronave, një rol deçiziv në këtë proces do të kenë edhe vet qytetarët, të cilët duhet të paraqesin çdo dokument që vërteton pronësinë dhe kufijtë e pronës.




Fillimi i regjistrimit
Regjistrimi fillestar bëhet për një zonë kadastrale të identifikuar nga drejtoria vendore dhe ai konsiston në pasqyrimin e çdo pasurie të paluajtshme shtetërore, publike dhe private, të zonës kadastrale, në kartelën përkatëse të pasurisë dhe në hartën kadastrale të zonës. Drejtuesi i drejtorisë vendore, një person ose çdo grup i ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm do të kërkojnë që pronësia, si dhe kufijtë e çdo pasurie që duhet regjistruar, të dokumentohen në bazë të akteve të fitimit të pronësisë. Ndërkohë që individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë dokumente pronësie, por që nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen, duhet t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë dhe deklaratën noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet. Nëse deklarata noteriale nuk mund të sigurohet apo kur ka mosmarrëveshje për kufirin e pasurive, ai përcaktohet nga ASHK-ja. Në çdo rast palët e interesuara kanë të drejtën e ankimit gjyqësor ndaj aktit të ASHK-së, ndërkohë që dokumentacioni hartografik për pasuritë hartohet nga ASHK-ja. Drejtoria vendore, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit. Kundër vendimit të drejtorisë vendore ose në mungesë të përgjigjes brenda afatit, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Ndërkohë që për pasqyrimin e saktë hartografik të pasurive, ASHK-ja shfrytëzon produktin e fotografimit ajror të Republikës së Shqipërisë. Për çdo pasuri të identifikuar nga verifikimi në terren dhe që gjendet në hartën e re kadastrale, krijohet praktika e pronësisë me dokumentacionin përkatës. Procedura paraprake e regjistrimit fillestar zgjat jo më shumë se 45 ditë.

Konsultimi publik
Pas hartimit të hartës paraprake kadastrale si dhe përgatitjes së kartelave të pasurive të paluajtshme, në bazë të dokumentacionit të pronësisë të administruar nga drejtoria vendore shpallet publikisht zona që është objekt regjistrimi. Njoftimi publik bëhet në vende të dukshme për të interesuarit e asaj zone kadastrale. Njoftimi duhet të përmbajë kopjen e hartës dhe emrat e pronarëve të pronave që janë identifikuar deri në atë çast nga drejtoria vendore. Njoftimi mbetet i afishuar për 45 ditë dhe brenda kësaj periudhe lejohet të paraqiten ankesa dhe pretendime nga të interesuarit. Pas përfundimit të periudhës së konsultimit publik dhe të trajtimit të ankesave, drejtoria vendore ligjëson regjistrimin e bërë duke formalizuar kartelën e pasurisë, hartën kadastrale dhe duke lëshuar certifikatën e pronësisë të çdo prone.

Projektligji “Për Kadastrën”

Neni 30
Fillimi i regjistrimit fillestar
1. Regjistrimi fillestar bëhet për një zonë kadastrale të identifikuar nga drejtoria vendore.
2. Regjistrimi fillestar konsiston në pasqyrimin e çdo pasurie të paluajtshme shtetërore, publike dhe private, të zonës kadastrale, në kartelën përkatëse të pasurisë dhe në hartën kadastrale të zonës.
3. Drejtuesi i drejtorisë vendore, një person ose çdo grup i ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm kërkojnë që pronësia, si dhe kufijtë e çdo pasurie që duhet regjistruar, të dokumentohen në bazë të akteve të fitimit të pronësisë, sipas nenit 193 të Kodit Civil.
4. Individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë dokumente pronësie, sipas shkronjës “a” të kësaj pike, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen, duhet t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me:
a) dokumentin e pronësisë;
b) deklaratën noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet.

Nëse deklarata noteriale nuk mund të sigurohet apo kur ka mosmarrëveshje për kufirin e pasurive, ai përcaktohet nga ASHK-ja. Palët e interesuara kanë të drejtën e ankimit gjyqësor ndaj aktit të ASHK-së.
Drejtoria vendore, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit. Kundër vendimit të drejtorisë vendore ose në mungesë të përgjigjes brenda afatit, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Në procesin gjyqësor gjykata thërret të gjithë pronarët, pronat e të cilëve janë kufitare me njëra-tjetrën e të cilët kanë interes të ligjshëm për gjykim.
5. Për pasqyrimin e saktë hartografik të pasurive, ASHK-ja shfrytëzon produktin e fotografimit ajror të Republikës së Shqipërisë.
6. Për çdo pasuri të identifikuar nga verifikimi në terren dhe që gjendet në hartën e re kadastrale, krijohet praktika e pronësisë me dokumentacionin që parashikohet në këtë ligj.
7. Procedura e regjistrimit fillestar fillon me vendim të drejtuesit të zyrës vendore ose me vendim të drejtorit të Përgjithshëm.
8. Procedura paraprake e regjistrimit fillestar zgjat jo më shumë se 45 ditë.

Neni 31
Konsultimi publik
1. Pas hartimit të hartës paraprake kadastrale si dhe përgatitjes së kartelave të pasurive të paluajtshme, në bazë të dokumentacionit të pronësisë të administruar nga drejtoria vendore shpallet publikisht zona që është objekt regjistrimi.
2. Njoftimi publik bëhet në vende të dukshme për të interesuarit e asaj zone kadastrale.
3. Njoftimi duhet të përmbajë kopjen e hartës dhe emrat e pronarëve të pronave që janë identifikuar deri në atë çast nga drejtoria vendore. Njoftimi duhet të caktojë mënyrën dhe vendin ku do të paraqiten pretendimet e të interesuarve.
4. Njoftimi mbetet i afishuar për 45 ditë. Brenda kësaj periudhe lejohet të paraqiten ankesa dhe pretendime nga të interesuarit.
5. Pas kalimit të afatit 45-ditor, drejtoria vendore nuk pranon më ankesa.

Neni 32
Përfundimi i regjistrimit fillestar
1. Pas përfundimit të periudhës së konsultimit publik dhe të trajtimit të ankesave, drejtoria vendore ligjëson regjistrimin e bërë:
a) duke formalizuar kartelën e pasurisë të çdo prone dhe duke arkivuar dokumentacionin përkatës sipas nenit 13, të këtij ligji;
b) duke formalizuar hartën kadastrale zyrtare sipas nenit 15, të këtij ligji;
c) duke lëshuar certifikatën e pronësisë për çdo pronar të interesuar të zonës së regjistruar, që ka shlyer tarifat përkatëse të regjistrimit.
2. Drejtoria vendore mund të bëjë vetëm korrigjim të gabimeve në procesin e regjistrimit, por jo të trajtojë ankesa për shtesa të reja. Ankesat paraqiten pranë strukturës së posaçme për ankimet.

Neni 34
Regjistrimi fillestar i pasurisë publike
1. Institucionet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, që kanë në administrim toka, ndërtesa, pasuri natyrore, pyje, kullota, lumenj, liqene, vepra infrastukturore si dhe çdo pasuri tjetër që nuk është private, detyrohen të regjistrojnë këto prona në zyrën kadastrale të vendit ku ndodhen këto objekte.
2. Gjatë regjistrimit fillestar të zonës kadastrale, për pasuritë shtetërore apo të transferuara te njësitë e vetëqeverisjes vendore zbatohen procedurat e parashikuara në legjislacionin për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.