EKONOMI

Rritet me 100 euro m2 çmimi i apartamenteve në Tiranë

12:50 - 27.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndërtuesit ankohen se taksa e infrastrukturë ka rritur kostot e ndërtimit dhe për rrjedhojë edhe çmimet e apartamenteve. Të ftuar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për të paraqitur vlerësimet e tyre lidhur me projektbuxhetin e vitit 2019, përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve kanë ngritur si shqetësim se taksa e infrastrukturës ka sjellë një rritje prej afro 100 euro për metër katror për të gjitha apartamentet e reja që ndërtohen në Tiranë. Vlerë kjo që sipas tyre shkarkohet direkt te blerësit, pra qytetarët. “Taksa e infrastrukturës që i paguhet bashkisë është 8 për qind mbi çmimin e shitjes. Ky ndikim është i barabartë me një rritje prej 20 për qind mbi çmimin e kostos. Pra, në rast se sot ndërtohet në Tiranë me 400 euro për metër katror, shtohen edhe 100 euro që shtohen direkt dhe që do t’i paguajë konsumatori, pasi ndërtuesi nuk ka tjetër ku t’i shkarkojë”, tha Luigj Aleksi nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë. Gjithashtu, ai ngriti edhe si problematikë 3 për qindëshin që duhet të paguajnë ndërtuesit për strehim social.




“Problemi i dytë është 3 për qindëshi i strehimit social, i cili është i barabartë me 20 për qind e fitimit neto që ka një shoqëri ndërtimi nga ndërtimi një godine për shitje. Ndërtuesit i bëhet diskrimin, sepse është i vetmi sektor që ngarkohet me këtë taksë”, shtoi Aleksi. Ndërkohë që edhe përfaqësuesit e bizneseve të fushave të tjera ndonëse vlerësuan disa risi që sjell buxheti dhe paketa fiskale 2019 në disa drejtime, ngritën një sërë shqetësimesh dhe bënë disa propozime që sipas tyre do rrisin edhe më tej konkurueshmërinë e bizneseve shqiptare me ato të rajonit. Përfaqësuesja e Dhomës Italiane të Tregtisë kundërshtoi detyrimin me ligj të bizneseve për të vendosur kamera sigurie. Sipas saj, kjo është një taksë e fshehtë me të cilën qeveria ka ngarkuar me pa të drejtë biznesin. “Kanë lindur një sërë ligjesh, që edhe pse nuk shprehen në formën e një takse formale, por përfaqësojnë një taksë të fshehtë për ndërmarrjet. Për shembull, taksa për sigurinë publike. Ky ligj është miratuar në 2016, është një taksë, sepse përfshin të gjitha bizneset që kanë një xhiro mbi 10 mln lekë me detyrimin që ata të vendosin në ambientet e biznesit telekamera dhe të kenë një siguri private”, tha përfaqësuesja e Dhomës së Italiane të Tregtisë. Dhoma Amerikane e Tregtisë përshëndeti vendimin e uljes së taksës së dividentit nga 15 në 8, por kërkoi që ajo të shkojë edhe më tej për ta zeruar atë.

“Ulja e taksës dividentit është pozitive, por ne duhet të jemi konkurrent me rajonin dhe nëse ne do shkojmë në 8 për qind, Kosova është me 0. Kështu që ne duhet të heqim sa më shumë pengesa për investimet që duhet të bëhen në Shqipëri”, tha Mark Crawford nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Gjithashtu Dhoma Amerikane nuk ishte dakord as me nismën e qeverisë për të taksuar aksionet e kompanive të huaja në Shqipëri që tregtohen në bursa, për këtë kërkoi që të hynte në diskutime me Ministrinë e Financave. “Nuk mbahet tatimet në burim për faturat për shërbimet që kryhen jashtë territorit të një shteti”, tha Alketa Uruçi nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Kërkesat e biznesit

Ulje e çmimit të energjisë
Ulej e çmimit të ujit
Rishikimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Rishikim i 3 përqindëshit për strehim social.
Rishikim i taksës së dheut.
Rishikimi taksës së pronës për pallatet stok.
Rritja e fashës nga 300 në 400 e pagës së tatueshme.
Të shtohet në buxhet një zë për mbetjet organike të kafshëve.
Rishikimi i ligjit për vendosjen e kamerave të sigurisë për biznesit.
Bërja zero e taksës mbi dividentin për sipërmarrjet
Heqja e tatimit në burim për faturat për shërbimet që kryhen jashtë territorit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.