DOSSIER

Një zjarr mëkatar dhe drita e Frashërit

12:15 - 29.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prof. Dr. Albert Frashëri – Në prag të majit 2014, 100-vjetori i djegies se Frashërit, disa miq më patën këshilluar të shkruaja mendimet e mija mbi ato ngjarje, djegie e shkatërrime, vrasje e përdhunime nga andartet grekë, që një shekull më parë u krijuan shqiptarëve vuajtje dhe mjerim. Ato ngjarje tragjike e famëkeqe tronditën thellë opinionin shqiptar e atë europian, duke gjakosur historinë moderne të popujve mesdhetarë. Historia e mesdheut në lashtësinë e vet ka njohur edhe luftra, por edhe mirëkuptim e përpjekje për të kuptuar arsyen e mosmarrëveshjeve.




Jam përpjekur të interpretoj ato ngjarje tragjike të vitit 1914 duke parë në sy vlerat universale të qytetërimit, në mënyrë që të kuptojmë arsyen pse forca e ideve të Rilindjes sonë ndrit natyrshëm mbi errësirën që ato ngjarje donin të sillnin.
Për mua ishte e vështirë t’u jepja një strukturë logjike mendimeve rreth ngjarjeve, për të cilat historia ka shkruar shumë. Nga ana tjetër, ndjej që nuk mund të pranojmë heshtjen e pafalshme rreth ngjarjeve që arsyeja njerëzore dënon pa mëdyshje. Italia, fjala vjen, edhe pse kanë kaluar 70 vjet, ka një ditë të Kujtesës historike që i kushton viktimave të krimeve ndaj italianëve të Istrias, plaçkitjet, shkatërrimet, përdhunimet nga bandat nacionalshoviniste kroate menjëherë pas përfundimit të luftës, më 1945. Italianët e Istrias u përzunë me dhunë nga trojet e tyre, sikundër u veprua me çamët dhe jugun e Shqipërisë gjatë shekullit të fundit.

Hija e shovinizmave në Ballkan
Shovinizmi shfaqet si nacionalizëm i sëmurë, që mohon apriori vlerat dhe të drejtat e kombeve të tjera. Konflikti ndërmjet popujve fqinjë ka shoqëruar historinë njerëzore në të gjitha kohërat. Ndryshimi mes konflikteve ndërballkanike dhe atyre të popujve të tjerë europianë, qëndron në faktin që Shqipëria ka heshtur pa e ngritur problemin botërisht. Europa ka jetuar ngjarje të tilla, por i ka dënuar hapur ato. Studiuesi Simon James të Muzeut Britanik analizon politikat shoviniste të anglezëve ndaj galezëve të Wellsit dhe irlandezëve. Është interesante të kujtoj qëndrimet shoviniste angleze nga mesi i shek. XIX kundër kulturës dhe gjuhës së galezëve (banorët e Wellsit) që e fyen rëndë krenarinë kombëtare galeze. Kjo krijoi një kundërveprim që solli rizgjimin kulturor të këtij kombi. Në mënyrë të ngjashme, Lidhja e njerëzve të kulturës irlandeze krijuar në vitin 1893, synoi me qartësi dhe fare hapur në çanglinizmin e Irlandës duke afirmuar pastërtinë e gjuhës irlandeze dhe vlerën e folklorit kombëtar të Irlandës.

Le të sjellim ndërmend që 4 shekuj me parë, rreth vitit 1620, Pjetër Budi u bëri thirrje klerikëve të mos pranonin klerikë të huaj në famullitë e tyre e ta bënin liturgjinë në gjuhën amtare, sepse Perëndia, thoshte ai, na kërkon të flasim gjuhën tonë me besimtarët.

Edhe Skocia ka patur probleme të tilla si Wellsi. Në të gjitha rastet ndryshimet në kohë kanë regjistruar kronika dhune me derdhje gjaku e shpesh edhe me akte terroriste. Këto kombe, për shumë shekuj nën trysninë e shovinizmit anglez, nuk e kanë fshehur asnjëherë problemin e të kenë rënkuar në heshtje. Përkundrazi, këto dukuri në Ballkan janë shoqëruar të shumtën e herëve nga një heshtje e pafalëshme. Dhe kjo është bërë kundrejt zhurmave dhe falsiteteve të qarqeve nacionalshoviniste të disa vendeve mesdhetare, që edhe sot nuk pushojnë së andëruari si qëmoti. Thoshte David Hume: Njeriu nuk ngopet së radhituri prova që i mendon në favor të pasioneve dhe paragjykimeve nacionaliste të tij (1776).

Ka kaluar një shekull nga djegia e Frashërit, nga persekutimi i çamëve, nga shkatërrimet e plaçkitjet në jugun e Shqipërisë, nga vrasjet e përdhunimet e panumërta nga ana e shovinisteve greke. Dhe asnjëherë shoqëria shqiptare nuk i ka dënuar në dritën e diellit dhe me vendosmëri ato krime e grabitje. Në ato vite Mit’hat Frashëri, ambasador në Athinë, dokumentoi dhe denoncoi brenda dhe jashtë kufijve ato forma mizore te genocidit ndaj popullsisë çame. Është kjo arsyeja që populli nuk i harron; sepse plagët duan dritën për t’u shëruar, sepse nga drita vjen edhe drejtësia e me drejtësinë gjejmë të vërtetën.
J.H.Poincaré në veprën e tij më të shquar “Vlera e shkencës” (1905), trajton probleme themelore të shkencave në hapësirën mes matematikës dhe kërkimit shkencor në përgjithësi. Duke analizuar kuptimin mbi objektivitetin e shkencës, ai shkruan: “Objektiviteti vjen nga mundësia për të komunikuar përmes arsyetimeve që krijojnë ndjesira të perceptueshme nga të gjithë.” Nuk ka objektivitet pa komunikim e pa dialog të arsyetuar; ajo që arrin të komunikohet me qartësinë e së vërtetës, shndërrohet në relacion, në marrëdhënie pozitive.
Pra, po të shohim këto parime në sferën e shkencave historike dhe, më mirë akoma, në fushën e marrëdhënieve ndërmjet popujve, mes individëve deri edhe ndërmjet teorive divergjente, atëherë nevoja për të krijuar dialog real në komunikim, është jetike.

Feja nuk identifikohet me kombin
Rilindësit shqiptarë kanë analizuar e theksuar rrezikun që vjen nga nacionalshovinizmat e Ballkanit. Kur andartët greke iu turrën jugut të Shqipërisë, në krye të synimeve të tyre ishin vendet nga buronte zgjimi dhe drita e shqiptarëve. Frashëri i dritës dhe Kolonja e shkollave shqipe ishin në krye të listës.
Po t’i referohemi studiuesit patriot Dr.Nuri Dragoi në tezën e tij të doktoraturës, gjejmë një thesar më të dhëna të dokumentuara. Burimet e tij janë jashtëzakonisht të plota e të shumëanëshme, në horizontin kombëtar e atë europian. Burimet e këtij studiuesi patriot janë të pamëshirëshme, ato të lenë me gojë hapur e të shtangin për mizorinë dhe paturpësinë e krimeve që andartët kryen në jugun e Shqipërisë. Turp që ata hiqen sikur të jenë grekë. Qytetarët shqiptarë e grekë kanë jetuar në mijra vjet në harmoni me njëri tjetri. Kjo paqe e harmoni është tjetërsuar nga propaganda e shfrenuar shoviniste e nacionaliste, nga ideja reaksionare që identifikon fenë me kombin e që në trevat e Ballkanit ashtë përkrahur nga qarqet më reaksionare të shovinizmave greke e serbe në çdo kohë e në çdo rrethanë historike që ata kanë quajtur të përshtatshme. Identifikimi i fesë me kombësinë më sjell ndërmend fondamentalizmat arkaike të botës islame, aq të rrezikshme, e që nuk kanë asgjë të përbashkët me thelbin e identitetit europian.

Sa ka ndodhur ndër popujt e Ballkanit në shekullin e fundit, e jo vetëm në këtë periudhë, nuk mund të lihet në harresë. Kjo bindje gjen arsyen në faktin që dhuna e padrejtësitë që një kolektivitet ushtron mbi një tjetër, është nja nga format e së keqes. Rreth këtij koncepti dhe pamjeve reale të tij ka një leteraturë të pafundme filozofike, vepra letrare dhe krijime të arteve figurative. E kemi detyrë kundrejt historisë dhe ndaj të vërtetës ta kuptojmë sa më mirë këtë pamje të jetës kolektive deri në marrëdhëniet mes kombeve.

Historiani dhe filozofi gjerman George Lachmann Mosse në librin “Racizmi në Europë nga origjina deri te Holokausti”, kërkon të kuptojë si lindin idetë dhe qëndrimet raciste. Sipas tij, që në lashtësi, ndenja fetare shpeshherë integrohej në racizëm, si një përbërës i shpirtit racist. Madje ai shkon edhe më tej: konceptimi i Perëndisë dhe i njeriut në frymën iluministe, ndikuan në lindjen e racizmit. Si erdhi kjoë
Iluminizmi, fillimisht në Angli, edhe pse kundër fesë në format dogmatike të saj, pati nevojë për autoritetin e Zotit për të mbajtur në udhë, në frè njeriun, moralin dhe universin kulturor në përgjithësi. Ky ishte Deizmi anglez qe nxiti kërkimin shkencor në hapësirën ndërmjet Njeriut dhe Natyrës, pra të thellonte kuptimin mbi raportin mes Njeriut dhe gjithëçkaje që përcakton ekzistencën e tij. Në një farë mase, ky kuptim disì i errët, e kushtëzonte lirinë intelektuale të Njeriut.
Rilindasit tanë kuptuan që interpretimet e gabuara të Njeriut të kushtëzuar nga Universi kulturor e fetar sjellin shovinizmin. Këtë rrezik e shprehën qartë në veprat e tyre Vaso Pasha, Sami e Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Marin Sirdani, etj. Ata, si në traditën e kombit shqiptar, kanë paralajmëruar rreziqet që vinë nga identifikimi i fesë me kombin dhe që ky identifikim krijon shovinizmin. Pikërisht kjo pavarësi e thelbit të identitetit të kombit nga besimi fetar i tij, përbën nja nga format më të ndritura të laicizmit, që ka karakterizuar mendimin filozofik të Rilindjes Kombëtare.

Gjuha është mbijetesa e kombit
Në shumë raste ndër popujt e Ballkanit, shovinizmi ka manipuluar problemin e gjuhës.
Filozofi gjerman, J.G.Herder, ka dhanë një kontribut të madh në studimin e rolit të gjuhës në identitetin e një kombi. Ai me termin Volksgeist paraqit botëkuptimin, frymën, shpirtin e një kombi. Karakteri i një populli, sipas tij, shprehet nëpërmjet kësaj fryme kombëtare. Ajo që i jep unitet dhe vitalitet kulturës së një populli është ruajtja e frymës origjinale dhe traditave kulturore që përbëjnë linfën dhe energjinë jetëdhanëse të tij. Nga kjo linfë burojnë parimet udhëheqëse në jetën e kombit. Mbijetesa dhe forcimi i tij kërkon që ajo linfë dhe parimet që burojnë prej saj të ruhen si të shenjta gjatë evolucionit të kombit e kulturës së tij. Përndryshe ai komb ashtë i destinuar të zhduket. Kjo ide shpjegon pse shovinizmi grek ka dashur të shuajë me dhunë e mjete të tjera shkollën shqipe.

Friedrich Müller, filolog e filozof gjerman, themeluesi i studimeve mbi gjuhët indoeuropiane, gjithashtu, konsideronte gjuhën si element thelbësor për të kuptuar shumë pamje të ekzistencës dhe evolucionit të popujve.
Pra, citova këto figura të mëdha të hulumtimit të natyrës njerëzore dhe të kombeve me qëllim që të mos e konsiderojmë si të tepëruar këmbënguljen e rilindasve për rolin e gjuhës jo vetëm në çlirimin kombëtar, por edhe për jetën dhe ekzistencën e kombit në të ardhmen.
Është gjuha ajo që bën Njeriun. Njeriu, si edhe shtazët, ha e fle, pi e çlodhet. Ajo që e dallon Njeriun është gjuha. Nga kjo vjen komunikimi, arsyetimi dhe, kur janë kushtet, edhe mirëkuptimi. Janë rilindësit ata që i thurën lavde gjuhës shqipe, vargjet e Naimit e të Fishtës, të Mjedës e te Migjenit si dhe bindja e mendimtarëve patriotë të asaj lëvizjeje të madhe filozofike e kulturore.
Çfarë kuptimi mund t’i japim faktit që turku në të gjithë perandorinë ndaloi vetëm hapjen e shkollave të gjuhës shqipeë Nuk e bëri këtë për greqishten dhe as për gjuhët sllave. Pse të ketë ndodhur kjoë
Është e vështirë t’i japim një përgjigje kureshtjes sonë, pra më vjen e natyrshme dëshira të citoj Sami Frashërin: “Sikur elefantin e vrasin për dhëmbët e tij të çmueshëm, guaskën e detit e gjuajnë për margaritarët që kanë e bilbilin e robërojnë për zërin e tij të bukur, kështu edhe njeriun, të shumtën e herës, e rrezikon vlera e tij e lartë.”

Duke analizuar sagën e pafund të hebrenjve, Hermann Hesse shkruan: “Urrejtja kundër çifutëve është kompleks inferioriteti i maskuar.” Kundrejt popullit të lashtë e të urtë të çifutëve, disa shtresa më pak të urta të një race tjetër kanë zilì që lind nga konkurrenca dhe nga një inferioritet përunjës.
E njëjta mërì me sa duket ka shkaktuar dyndjet e panumërta kundër Shqipërisë e shqiptarëve, populli më i vjetër i rajonit dhe folës i gjuhës ma të lashtë të Europës. Rilindësit, veçanërisht Sami Frashëri, Vaso Pasha e më pas Mit’hat Frashëri, Fishta i madh e Mjeda, Noli e Faik Konica, Marin Sirdani e të tjerë u përpoqën të bëjnë të njohur në botë realitetin historik e kulturor të shqiptarëve, gjë që sot politika as e çon ndërmend.

Te kultivojmë të vërtetën historike
George Orwell, esseist i shquar anglez, shkruan: “Kush kontrollon të kaluarën, ka në dorë edhe të ardhmen.”
Për këto arsye qarqet shoviniste bëjnë të pamundurën për të deformuar të Vërtetën historike, fjala vjen të blejnë eshtra të vdekurish per te fallsifikuar identitetin e disa varreza apo të shtyjnë njeriun të ndrrojë emrin, fakte që opinioni qytetar njeh mire dhe ua di kuptimin.
Këto gjëra rilindësit i njihnin, prandaj kanë shkruar për rreziqet që vijnë nga shovinizmat ballkanike. Urtësia e tyre shprehet në aftësinë për të vepruar në mënyrë racionale, duke njohur diferencën mes të Mirës e të Keqes. Naim Frashëri, me gjenialitetin e artistit dhe të filozofit, jep një kuadër të mahnitshëm të luftës mes gënjeshtrës e të vërtetës dhe na sjell në mendje të keqen që buron nga ky konflikt. Ky ka qenë ngaherë një argument i rrahur në të gjitha kohërat, sepse kur në këtë konflikt mbijeton e Keqja, kjo i hap rrugën padrejtësive, dhunës e genocideve që shqiptarët i njohin mirë.
Urtësinë që na sjellin veprat e mjeshtrave të gjuhës shqipe, nga Naimi deri te Fishta e Mjeda, e gjejmë në ndërgjegjen e në formimin tonë. Atë nuk e djeg flaka e zjarreve mëkatare të andartëve që hiqeshin për grekë dhe as e ngrin acari i erërave të ftohta që depërtonin veriun e trojeve shqiptare në kohë të vështira.
Hannah Arendt në veprën “Banaliteti i të Keqes”, tregon që njerëzit që kryejnë materialisht krime kundër njerëzimit, janë qënie të indoktrinuara nga mjeshtrit e të Keqes, por jo më pak fajtorë se frymëzuesit e veprës kriminale. Përgjithësisht veprat e filosofes gjermane Arendt theksojnë një mesazh të rëndësishëm: të denoncojmë krimin për të evituar përsëritjen e tyre në të ardhmen. Mendoj që kjo vlen shumë edhe për popujt e mesdheut, këtij djepi të qytetërimit perëndimor.
Pra, janë pambarim figurat që kanë rrëmuar në dobësitë e njeriut dhe të shoqërisë njerëzore për të kuptuar si çfaqet e Keqja dhe si kjo shndrrohet në vepra kriminale.

E vërteta historike lidhet shumë me interpretimin e fakteve kulturore që shpesh mund të ndikohet nga interesa apo pseudoafeksione të natyrës nazionaliste, për të mos folur për forma barbare të shovinizmave moderne.

Nga ana tjetër ka edhe një të vërtetë universale që lidhet me ndjenjat njerëzore, me arsyen dhe objektivitetin që karakterizojnë qënien njerëzore. Sokrati, një martir i të vërtetës u flijua për të mos mohuar thelbin e ndjenjave dhe ideve të tija. Ky thelb ishte e vërteta, e bukura dhe mirësia.

Sa ndodhi në vitin 1914 na trondit edhe sot. Por dua të theksoj që andartët që plaçkitën e dogjën jugun e Shqipërisë nuk janë aspak grekë. Ata e kanë tradhtuar botën helene që nuk bëri luftëra pushtuese, por me vlerën e kulturës e të mendimit filozofik u përhap në të gjithë botën mesdhetare pa futur në valle asnjë ushtar. Historianët helenë dëshmojnë madheshtinë e ilirëve, cilësitë karakteriale të tyre.

Në kuadrin e synimeve nacionalshoviniste dhe të një strategjie antinjerëzore, një nga synimet kryesore të andartëve ishte djegia dhe shkatërrimi i qëndrave me tradita patriotike të shquara, mes të cilave printe Frashëri. Po ashtu edhe serbët në vitet ’90: duke bombarduar Prizrenin nuk synuan godinat apo dyqanet, por Shtëpinë Muze të Lidhjes së Prizrenit, simbolin kryesor të një periudhe të rëndësishme historike. Pra, shovinistët kanë synuar ta falsifikojnë historinë.
Më lejoni të shpreh mendimin që në 1914 andartët nuk e kuptuan që Frashërit nuk mundën t’i bëjnë as edhe një gërvishtje. Kënaqësia e tyre ishte e vobekët e mediokre si dhe ata vetë. Pse shpreh këtë bindjeë Frashëri, Prizreni, Shkodra e Korça shihen si vatra të poezisë, gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar. Këto vlera nuk mund të digjeshin dhe as të veniteshin nga barbarizma e andarteve shoviniste. Vepra e Rilindjes ka qenë dhe është në shpirtin dhe mendjen e shqiptareve.

Për trashëgiminë kulturore, filozofike e historike të rilindasve, duhet treguar kujdesi i merituar nga klasa politike dhe te mos dobësohet roli i saj deri dhe në procesin e edukimit në shkollë. Kjo nuk ashte një ide abstrakte, por përbën një problem të madh të kombit. Shpreh bindjen që indiferenca ndaj trashëgimisë rilindase do te kishte pasoja më të hidhura se ato të vitit 1914. Opinioni i botës shkencore e kulturore të shoqërisë duhet të shndërrohet në limfë të veprimit të klasës politike. Ajo me sa duket ende nuk e ka asimiluar plotesisht domethënien dhe rëndësinë jetike të ideve që shprehin identiteti kombëtar dhe universi filozofik e kulturor i Rilindjes sonë.

Kjo, më parë duhet kuptuar e pastaj duhet sendërtuar për të mirën e brezave që do të vijnë dhe për dinjitetin e tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.