Kryesore

Namik Dokle: “Ditët e lakuriqëve të natës”, kur të ndalojnë të duash

12:27 - 01.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Si jetohet kur të ndalojnë me dhunë të dashurosh? Çfarë ngjyre ka qielli, dielli, yjet dhe lulet? Ç’shije ka ajri, uji, puthja e munguar, përvëlimi i trupit në dëshirë? Ngjyrat dhe shijen e tërbimit – na e thotë Namik Dokle me romanin e tij “Ditët e lakuriqëve të natës”. Studiuesja Anna Kove, e nis me këto pyetje shënimin e saj për romanin më të ri të Namik Dokles, “Ditët e lakuriqëve të natës”. Thotë se subjekti i këtij romani shtillet rreth një fabule mbresëlënëse: sëmundja që po merr jetën e të rinjve nuk është “tërbim” i ardhur nga shkaqe që mund t’i shpjegojë shkenca. “Ajo vjen nga ndalimi që u bëhet të rinjve të mos kenë asnjë mundësi të bëjnë dashuri.




Në fshat mbizotëron një shtetrrethim i frikshëm mbi ndjesitë dhe nevojat shpirtërore dhe fiziologjike të të rinjve. Personazhet kanë veshur, të gjithë, petkat e tyre prej fjalësh të frikura dhe luajnë para syve tanë dramën e tyre, që është njëkohësisht drama e gjithë shoqërisë shqiptare në diktaturë. Heshtja e frikshme mes banorëve për të artikuluar dyshimet, e pengon një profesor shkencëtar të njihet shpejt me të vërtetën”, shënon Kove. Për të, laboratori i tij nuk është thjesht shkencor, por kryesisht njerëzor. Në këtë roman, ashtu si edhe në dy paraardhësit e tij, autori Dokle ka lëmuar mjeshtërisht fjalorin e pasur të zonës; legjendat dhe mitet, realitetet magjike janë sërish pjesë domethënëse e rrëfenjës së autorit, i cili tashmë e ka të shtruar si kalldrëm, me gurët e skalitur, udhën e sigurt drejt lexuesit dhe letërsisë së bukur shqipe.

Për studiuesin Behar Gjoka, “Ditët e lakuriqëve të natës”, krahas dy romaneve të mëparshme, plotëson triptikun romanor të Namik Dokles, shënjon vlerë të letrave shqipe. Gjashtë ditët e kohës letrare, që sipas Gjokës vijnë përmes digresionit, japin shkërmoqjen e ëndrrave. Në fshatin e dashurisë së shprehur me lule, ka rënë tërbimi. Për ta qartësuar mjegullën absurde shkon biologu. Ai vëren se kujtesa e përmbysur e linjave, narrativës dhe simbolikës, së lakuriqëve dhe dhelprave të kuqe, plazmojnë magjikën e tjetërsimit të qenies. Kllapia e zhgjëndrrës, derdhur si “ironi intertekstuale” e Eco-s, është zbulesa e vrasjes së dashurisë, aty ku njeriu i ri, i Partisë dhe i Sigurimit, shkel me këmbë dijetarin, dëshmon rebusin letrar…

Namik Dokle lindi në Durrës, më 11 mars të vitit 1946. U diplomua në Universitetin Bujqësor, dega ekonomi agrare (1965-1970) si dhe në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gazetarisë (1968-1970). Fillimisht punoi si gazetar, por që prej viti 1991 u bë i njohur si politikan në parlamentin shqiptar. Krijimtaria e tij letrare është pasur me tregime, drama, radiodrama, publicistikë dhe së fundi ka lëvruar edhe romanin.

TRI FRAGMENTE NGA LIBRI
Edhe unë jam si këta lakuriqët, jam rrasur në një shtëpi të braktisur dhe akoma nuk di se çfarë bëj, mendoi profesor Reka. Pastaj e pyeti Sejdon pse ishte aty dhe ai i tregoi se donte të shikonte nga afër lakuriqët e ardhur nga miniera e shembur. Të gjitha dhomat pa diell janë plot, i tha, dhe po vijnë edhe të tjerë, disa kanë ngordhur, të tjerë bien në mes të rrugës, pa arritur në strehën e tyre të re. Gjithë shqetësimi i profesorit ishte lloji i lakuriqëve, nëse ishin hematofogë ose jo. Po të ishin “gjakpirës” dhe jo insektengrënës, sqaroi ai, gjithë ajo luzmë qindralakuriqshe do të mjaftonte për të tërbuar jo një, por shtatë apo shtatëdhjetë fshatra. Por shumë shpejt Sejdo e qetësoi. Kishte dy orë që i vëzhgonte dhe nuk kishte parë asnjë lakuriq gjakpirës. Me një shkop të gjatë që e mbante në dorë goditi një nga ata që fluturonin qorrazi rreth tyre dhe e kapi mes duarve, i hapi gojën dhe i tregoi profesorit që lakuriqi nuk i kishte dhëmbët si të vampirit, ky nuk kafshon, ky lloj gëlltit insektet, i tha. “Lëshoje!”, i thirri profesori. “Mund të ketë rrezatim.”
Sejdo e dëgjonte për herë të parë atë fjalë.

* * *
“Çdo popull ka sindromën e vet”, i pat thënë një koleg, me të cilin ishin bashkë në një konferencë shkencore. “Çdo gjë varet nga koha kur kupton atë që ka.” “Kush ia zbulon?”, pati pyetur profesor Reka. “Është e çuditshme”, i tha kolegu, “sikur jemi të vegjël dhe presim dikë tjetër të vijë e të na tregojë. Japonezët e zbulojnë në Francë, francezët në Firence. Rusët as nuk e dinë sindromën e tyre, që e ka zbuluar një japonez, nuk e mbaj mend emrin.”
“Çfarë ka zbuluar ai?”

“Histerinë siberiane, lodhjen dhe frikën nga një pamje, që nuk ndryshon kurrë…”
“Mendo për sindromën tënde!”, u tall me veten dhe nuk dinte ç’të bënte, të futej në rroba si viktimë e tartabiqeve, apo të dremiste mbështetur në karrigen e shtrembër që i kishin sjellë nga zyra e llogaritarit të kooperativës.

* * *
Po kujtonte një këngë që e kishte kënduar ndoshta njëqind apo një milion vjet përpara, për një dashuri fatkeqe a për një nënë kobzezë që gënjeu djalin e vet për nusen e tij të re… sa ishe ti në ato toka të verdha, nusja jote çdo mbrëmje dilte te çezma dhe spërkatej me djemtë e rinj, shkonte në plemat e vejanëve, rrinte natën vonë në dritare. E djali u turbullua dhe nxori thikën, i tërmegji sytë që i lotonin gjak, i preu kokën nuses së vet të re e të bukur si lulja e shegjit, kuqbardha e Shëngjergjit. Koka e prerë e nuses aty në skaj të shtratit i foli dhe i tha: shiko trarët e shtëpisë që janë kalbur nga lotët e mi, të prita e të qava nëntë vjet pa dalë kurrënjëherë, as në dritare, as në plemë dhe as te çezma, pyet motrën tënde, more i miri im! Motra tregoi të vërtetën dhe djali e nguli thikën mu në zemër, ku gjaku i nuses u bashkua me gjakun e tij të përvëluar.

“Nuk deshe të shikosh dy dashuri, shiko tani dy varre mbuluar në zi!”, i tha nënës, ndërsa po i dilte shpirti. Koka e prerë vetëm njëherë mund të flasë dhe vetëm për të treguar dashurinë, mendoi dada Nure dhe ndjeu gjakun t’i gjallërohej, këmbët të lëviznin dhe shkopin të fliste me gurët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.