Intervista

Stevenson: Në Iran ka ekzekutime më shumë se në çdo vend tjetër të botës

14:10 - 01.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Erion Kaçorri  – Struan Stevenson është ish-anëtar i Parlamentit Europian dhe kryetar i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Irakun (2009-2014). Ai ishte këtë javë në Tiranë, në kuadër të vizitës së delegacionit të PE, që përbëhej nga Tunne Kelam, anëtar i komitetit të punëve të jashtme dhe nënkryetar i intergrupit “Miqtë e një Irani të Lirë” në PE, Jaromír Štetina, nënkryetar i nënkomitetit të sigurisë dhe mbrojtjes në PE.
Stevenson dha një intervistë të zgjeruar për emisionin “Diplomaticus” në “News 24”.




Zoti Stevenson, Brexit është në etapën e fundit. Britania e Madhe planifikon që të largohet nga Bashkimi Europian më 29 mars 2019. Si anëtar i konservatorëve skocezë, cilat janë pritshmëritë tuaja mbi këtë temë?
Ne kemi zhvilluar negociata dyvjeçare mjaft serioze, por plani aktual që Tereza May po përpiqet të promovojë për të cilën është rënë dakord në mënyrë unanime nga 27 vendet anëtare në Bruksel nuk ka shumicë parlamentare për të në Britaninë e Madhe. Partia Laburiste në opozitë është kundër saj, partia liberale është kundër saj. Të paktën 80 deputetë janë kundër këtij plani. Partia irlandeze tek e cila mbështetet Theresa May, edhe ajo është kundër saj. Gjithashtu, partia nacionaliste skoceze është kundër planit të Theresa May.

Çfarë ndodh atëherë?
Ky plan nuk do të mund të kalojë në parlament. Theresa May i tha popullit britanik se ekzistojnë tri opsione. Ose ecet përpara me marrëveshjen time, ose nuk ka marrëveshje, ose nuk ka Brexit. Personalisht do të preferoja të mos ketë Brexit, sepse Skocia votoi me shumicë të madhe kundër daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian. Uellsi votoi në favor të Brexit. Irlanda e Veriut votoi kundër Brexit. Ka një tregues të qartë në sondazhet e fundit në Britaninë e Madhe se nëse do të kishin një referendum të dytë, do të votonin që të qëndrojnë në Bashkimin Europian. Ka një lëvizje të madhe, më shumë se një milion njerëz që kërkojnë një referendum të dytë. Duke u përballur me një parlament që nuk e mbështet, Theresa May ka opsionin për të kërkuar zgjedhje parlamentare, të cilën ajo nuk do e bëjë, sepse ka frikë se mund të humbasë shumicën përballë Jeremy Corbyn i partisë laburistë, ose të thërrasë një referendum të dytë. Unë mendoj se një referendum i dytë është shumë pranë.

Nëse plani aktual i Brexit realizohet, çfarë ndodh me Skocinë?
Fatmirësisht unë nuk jam nacionalist dhe fatkeqësisht e gjithë kjo zhurmë ka qenë një dhuratë për nacionalistët, të cilët thonë se nëse Skocia do të ishte e pavarur, mund të qëndrojmë në Bashkimin Europian. Por nëse e shikojmë sesa e vështirë është për Britaninë e Madhe që të largohet nga Bashkimi Europian, një klub në të cilin është anëtar prej 45 vitesh, imagjinoni sa e vështirë është për Skocinë që të largohet nga Mbretëria e Bashkuar, ku jemi anëtar prej 300 vjetësh. Do të ishte diçka e tmerrshme. Ne bëjmë pesë herë më shumë tregti me Anglinë sesa me pjesën tjetër të Europës. Nga ana ekonomike do të ishte katastrofike. Nëse Skocia do të bëhej e pavarur, do të kishte një deficit më të madh se Greqia dhe nuk mendoj se Bashkimi Europian do të na mirëpriste ne si anëtar me gjithë këtë deficit.

Por, a parashikohet të ketë një tjetër referendum për pavarësi nga skocezët?
Sigurisht që nacionalistët janë në pushtet në Skoci dhe ata e duan një tjetër referendum. Unë personalisht bëj fushatë kundër tij. Bizneset dhe industria ka nevojë për stabilitet dhe pasiguritë që krijohen nga Brexit janë mjaftueshëm. Kjo do të shkatërronte vendet e punës dhe ekonominë skoceze. Ekonomia skoceze nuk po performon aq mirë sa pjesa tjetër e Britanisë se Madhe, për shkak të kërcënimeve për referendume të tjera mbi pavarësinë.

Zoti Stevenson, në një kohë kur Britania e Madhe kërkon që të largohet nga Bashkimi Europian, vendet e Ballkanit duan të anëtarësohen në Union. Si e shikoni ju këtë çështje?
Për herë të parë kur erdha në Shqipëri katër vite më parë dhe u takova me ministrin tuaj të Jashtëm, kolegu im, i cili është zëvendëspresident i Parlamentit Evropian u takua me kryeministrin tuaj. U kthyem në Bruksel dhe deklaruam se populli i Shqipërisë ka një zemër të madhe. Ata kanë pranuar refugjatët iranianë që të jetojnë në Shqipëri në një kohë kur asnjë vend i Europës nuk ishte i përgatitur ta bënte këtë. Populli shqiptar dëshiron të bëhet vend anëtar i Bashkimit Europian dhe ne duhet ta vendosim këtë vend në listë, sepse dëshira për anëtarësim atje është e madhe. Ju e keni vendosur veten në hartën ndërkombëtare, duke strehuar disidentët nga Irani.

Duke qenë se e hapët këtë temë, si e shikojnë ndërkombëtaret vendimin e Shqipërisë për të pranuar kaq shumë njerëz nga Irani?
Ne tashmë e dimë se amerikanët kanë ndryshuar tërësisht politikën e tyre ndaj Iranit nën presidencën e Donald Trump dhe sekretarit të shtetit, Mike Pompeo. Ata e kanë grisur marrëveshjen bërthamore, për të cilën kishte punuar fort ish-presidenti Obama. Marrëveshja bërthamore është diçka për të cilën Bashkimi Europian shpreson ende se do të vazhdojë. Arsyeja për këtë është se Europa bën shumë biznes me Iranin. Atyre u pëlqen të nënshkruajnë kontrata fitimprurëse duke mbyllur sytë për shkeljen e të drejtave të njeriut.
Kjo është akuzë e rëndë ndaj BE-së.
Irani ka rekordin më të keq të ekzekutimeve krahasuar me çdo vend tjetër të botës për banor. Në Iran ekzekutohen më shumë njerëz se në çdo vend tjetër të botës. Ata ekzekutojnë më shumë se në Kinë. Ata i burgosin njerëzit vetëm se janë disidentë politikë. Ne kemi fakte, të cilat i posedojnë Kombet e Bashkuara. Që në vitin 1998 ata masakruan 30 mijë muxhahedinë iranianë, të cilët janë disidentë. Ata madje e pranojnë këtë. Ish- ministri iranian i Drejtësisë, Mostafa Pourmohammadi deklaroi se ndihet krenar që i ka vrarë këta njerëz. “Unë po bëja punën e Zotit”, shprehet ai. Njerëz të tillë duhen gjykuar për krime kundër njerëzimit. Kjo është një nga mizoritë më të rënda. Ata vranë 30 mijë disidentë politikë dhe u përpoqën të shfarosin njerëzit që ndodheshin në kampin Ashraf në Irak. Më pas këta njerëz i dërguan në kampin e përqendrimit, i quajtur kampi “Liria” në mënyrë ironike, duke u përballur me sulmet me raketa. 168 prej tyre u vranë dhe më shumë se 1700 u plagosën dhe asnjë vend i Europës nuk pranonte që t’u jepte këtyre njerëzve një strehë të sigurt. Asnjë vend nuk pranoi që t’i ndihmojë përveç Shqipërisë. Shqipëria e dinte se çfarë do thotë të jetosh nën shtypjen e komunizmit për shumë vite. Shqipëria e dinte se çfarë do të thotë të përballesh me tiraninë duke u dhënë këtyre njerëzve një shtëpi. Ju treguat se keni një zemër të madhe. Si skocez, e vlerësoj shumë veprimin tuaj.

Përmendët kampet e përqendrimit. Na kujton masakrat e Luftës së Dytë Botërore. Si anëtar i Parlamentit Evropian, keni qenë reporter për Irakun. E keni vizituar këtë vend. Çfarë dëshmuat atje në lidhje me anëtarët e opozitës iraniane, që ishin strehuar në Irak?
Në kampin Ashraf, në veri të Irakut ekzistonte një kompleks shumë i madh dhe pasi amerikanët u larguan nga Iraku duke ia dorëzuar sigurinë popullit të këtij vendi, irakianët e rrethuan kampin Ashraf, mbyllën portat dhe nuk lejuan njeri që të largohej prej aty. Ata nuk lejonin hyrjen e mjekëve, nuk lejonin dërgimin e pacientëve nëpër spitale. Muxhahedinët përballeshin me sëmundje të rënda si kanceri, por i linin ata që të vdisnin nëpër kampe. Më pas, ata nisën që të sulmojnë kampin duke dërguar edhe batalione me ushtarë të armatosur rëndë apo tanket kundër njerëzve, burrave dhe grave e duke vrarë njerëz të pafajshëm. Por duke qenë një kamp i madh, shumë nga këta njerëz arritën të fshiheshin duke shpëtuar. Ish-kryeministri Nuri Al Maliki ishte marioneta e qeverisë iraniane, e cila i kërkonte atij që t’i zhvendoste këta njerëz në kampe më të vogla, në kampet e vdekjes për t’i vrarë të gjithë. Pra, duke përdorur kërcënimet dhe shantazhet dhe duke bërë që edhe OKB-ja të ndihmonte për t’i detyruar ata që të largohen nga kampi Ashraf dhe duke vjedhur gjithçka brenda kampit; duke vjedhur ndërtesat e automjetet dhe duke i futur njerëzit në një kamp të vogël pa mbrojtje dhe duke u përballur shumë shpejt me sulmet me raketa.

Zoti Stevenson, si e shikoni të ardhmen e marrëveshjes bërtha-more. Bashkimi Europian dëshiron që të vazhdojë përpara me këtë marrëveshje, Shtetet e Bashkuara nuk e duan?
Marrëveshja bërthamore nuk ishte e mirë. Obama dëshpërimisht kërkonte që të linte shenjën e tij në histori, sepse nuk kishte arritur asgjë në skenën ndërkombëtare pas qëndrimit në detyrë për dy mandate presidenciale. Kështu, ai dërgoi John Kerrin, sekretarin amerikan të shtetit në Vjenë duke i kërkuar që të qëndronte atje për gjashtë muaj deri sa të arrinte nënshkrimin e marrëveshjes. Por, fatkeqësisht përmes marrëveshjes lëvroheshin njëqind e pesëdhjetë miliardë dollarë asete të ngrira, që iu kthyen iranianëve dhe ata i përdoren këto para për të financuar Bashar Al Assadin, për të vazhduar luftën civile atje. I përdoren këto para për të financuar rebelët Huthi në Jemen, për të financuar Hezbollahun në Liban, për të financuar milicët shiite në Irak, kështu që gjithçka që ka arritur marrëveshja bërthamore është përhapja e ndikimit negativ të Iranit në Lindjen e Mesme me më shumë akte dhune.

Zoti Stevenson, muxhahedinëët tashmë jetojnë në Shqipëri dhe ju sapo keni vizituar kompleksin e tyre, që duket se është i fortifikuar. Nuk ka shumë informacion mbi këtë kompleks. Çfarë mund të na tregoni ju për këtë?
Ata janë zhvendosur në këtë ndërtesë nëntorin e kaluar dhe brenda një viti kanë ndërtuar pothuajse një qytet të vogël. Është e pabesueshme.

Ndodhet në Manzë apo jo?
Kanë marrë hua miliona dollarë për të ndërtuar këtë qytet dhe po mbledhin paratë nga mbështetësit e tyre në të gjithë botën për të shlyer borxhet.

Përse duhet të ndërtojnë një qytet?
Sepse janë 2500 njerëz. Ata janë refugjatë dhe nuk kanë se ku tjetër të shkojnë. Ata nuk kanë pasaporta. Nëse do të ktheheshin në Iran, do të ekzekutoheshin. Ata duhet të jetojnë diku. Janë njerëz shumë inteligjentë, janë doktorë shkencash, njerëz shumë të aftë dhe këtë mund ta shikosh me mënyrën si e kanë ndërtuar kompleksin e tyre.

A mund të na tregoni për vizitën tuaj atje?
Duhet të kuptoni se nuk bëhet fjalë për një ndërtesë të fortifikuar. Për shkak se janë nën presionin e Ministrisë iraniane të Inteli-gjencës në mënyrë të vazhdue-shme, të cilët gjenden edhe në ambasadën e tyre në Tiranë…

A janë të rrezikuar ata në Tiranë?
Sigurisht që janë të rrezikuar edhe këtu. Kishte një tentativë për bombë kur ata ishin në Tiranë vitin e kaluar. Dy agjentë iranianë u arrestuan pas tentativës së tyre për të shpërthyer një autobombë në vendin ku muxhahedinët iranianë jetonin në Tiranë dhe ata u dëbuan nga qeveria juaj duke i kthyer në Iran. Është për të ardhur keq që nuk morën burgim të përjetshëm. Pra, këta njerëz duhet të kenë siguri. Kampi është i hapur. Njerëzit brenda tij hyjnë dhe dalin për aktivitetet e tyre, për të bërë blerjet e nevojshme në Manzë apo në Tiranë. 700 familje të cilat nuk lejoheshin të vizitonin të afërmit e tyre në Irak për vite me radhë, sot vijnë në Shqipëri për të takuar djemtë dhe vajzat e tyre. Politikanë si unë që na ndalohej t’i vizitonim ata në Irak, sot kemi mundësinë që të vijmë në Shqipëri për t’i takuar. Kam qenë këtu me anëtarët e lartë të delegacionit të Parlamentit Evropian dhe në këtë kamp janë më shumë se 200 shqiptarë, të cilët punojnë çdo ditë dhe kjo ka nxitur ekonominë lokale të zonës. Është diçka e mirë për Shqipërinë dhe siç e thashë, ju shqiptarët keni zemër të madhe duke i mirëpritur këta njerëz. Kjo ka qenë diçka shumë e mirë për reputacionin e Shqipërisë.

Ka kuriozitet nga publiku. Pse kaq shumë mbështetje nga disa politikanë europianë dhe amerikanë për muxhahedinët iranianë?
Sepse ne besojmë në liri, drejtësi dhe e shikojmë se çfarë ndodh në Iran. Regjimi i mullahëve është i korruptuar, një regjim vrasës. I gatshëm për të vrarë sa më shumë kundërshtarë.

A është organizata MEK alternativa e vetme për Iranin?
Ata janë një opozitë shumë efektive e drejtuar nga një grua, nga zonja Marian Razhavi, e cila ka qenë këtu në Shqipëri disa herë. Ajo është një zonjë e jashtëzakonshme. Ajo ka një plan me dhjetë pika për të ardhmen e Iranit, që është përshkruar nga njerëz si Rudy Giuliani, avokati i presidentit Trump, si një plan i tipit Jefferson. Është një manifest që ofron liri dhe drejtësi. Ofron fundin e dënimit me vdekje, ofron fundin e torturave dhe kërcënimeve bërthamore dhe fundin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Të gjithë këtë duan.

Besoni se demokracia mund të ekzistojë në Lindjen e Mesme?
Ka qenë rrugë e vështirë për t’u arritur kjo, por populli në Iran, persët, janë një popull shumë i sofistikuar. Rreth 60 për qind e popullatës prej 80 milionë banorësh në Iran janë nën moshën 30 vjeç dhe shikojnë sesi vendi i tyre është shndërruar në një shtet të përjashtuar për shkak të tiranëve që udhëheqin Iranin dhe ata duan që të bëhen pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Ata duan të jenë një vend normal dhe jo një vend që nxit konflikte, një vend që diskriminon sunitët vetëm sepse shumica është shiite, apo një vend që diskriminon të krishterët vetëm sepse nuk ndjekin rrugën e Sheriatit. Është një regjim vrasës dhe nëse e zhdukim atë dhe vendosim një forcë demokratike të drejtuar nga zonja Maryam Rajavi, do të sjellim paqen jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në botë.

Zoti Stevenson, keni qenë ndonjë herë në Iran?
Nëse do të shkoja në Iran, nuk do të kthehesha dot. Ndodhem në listën e tyre të zezë. Nuk do të isha këtu duke biseduar me ju. Kam qenë disa herë në Lindjen e Mesme, por jam treguar i kujdesshëm për të mos kaluar në pjesën e Iranit, përndryshe gjërat do të ishin ndryshe me mua.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.