Aktualitet

Taulant Muka: Diplomat e universiteteve publike nuk njihen nga shteti shqiptar

15:30 - 01.12.18 Gazeta Shqiptare

Voltiza Duro  – Shteti shqiptar nuk i njeh diplomat që marrin studentët nga universitetet publike në vend, pasi programet e studimit janë të paakredituara. Denoncimi vjen nga ish- zv.ministri i Arsimit, Taulant Muka, i cili në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon se pavarësisht tarifave të larta, niveli i mësimdhënies dhe infrastrukturës në universitete është i dobët. Muka më tej shton se qeveritë shqiptare historikisht nuk kanë investuar në arsim e madje politika e shikon rininë si militant, dhe jo si potencialin më të madh të vendit. Muka shton se pozicioni i zv/ministrit i ishte dhënë jo për të bërë punë, por për të mbyllur gojën. Sipas tij MASR, nuk ka asnjë funksion ekzekutiv e drejtuesit aktual të ministrisë e shohin arsimin jo si mjetin përmes së cilës ti ndërton të ardhmen e një vendi, por si një mundësi për të thithur elektorat.



Prej disa kohësh ju keni ngritur zërin lidhur me problematikat në arsim. Mund të përmendni më specifikisht se cilat janë ngërçet në arsimin shqiptar?
Qeveritë shqiptare historikisht nuk kanë investuar në arsim, besoj në mënyrë të qëllimtë. Do të sundosh një vend, hiqi dijen! Kjo ka ndodhur dhe po ndodh në vendin tonë. P.sh. buxheti i qeverisë shqiptare që ju shpërndahet universiteteve publike është 40 milionë euro, një shumë e barabartë me 2 kilometra rrugë te Astiri. Pra, përgatitjen e profesionistëve të shëndetit, ekonomisë, inxhinierisë, teknologjisë, shërbyesve socialë etj. qeveria jonë e vlerëson me dy kilometra rrugë. Për këtë arsye, por jo vetëm, universitetet shqiptare kanë shume probleme: në auditore ka lektorë që nuk kanë lidhje më edukimin, madje janë të lidhur me krimin (ju kujtoj rastin e z.Shoraj). Struktura rinore e partisë më të madhe në vend sot numëron mbi 40.000 anëtarë, pothuajse 30% të studentëve aktual të regjistruar në arsimin e lartë! Pra, sot politika e shikon rininë si militant, dhe jo potencialin më të madh të vendit ku ne si vend duhet të investojmë!

Shpeshherë ju keni hedhur akuza mbi persona në poste drejtuese të cilët kanë diploma false. Ku bazoheni dhe a mund të përmendni disa emra?
Shikoni CV-të që paraqesin: një pjesë e mirë nuk përmendin ku kanë mbaruar universitetin, një pjesë deklarojnë shtetin dhe jo universitetin ku supozohet janë diplomuar, disa përmendin vitin kur kanë filluar punë në një organizatë/biznes, por jo vitin e diplomimit. Janë indikator domethënës që ngrenë dyshime për vërtetësinë e diplomave. Ka patur akuza më parë për disa politikanë, si për kryetarin e bashkisë së Tiranës, apo kryetarin e opozitës që nuk kanë diploma. Nëse dikush i ka diplomat, nuk ka frikë t’i nxjerrë kur ka akuza të tilla, dhe për më tepër nëse ka studiuar jashtë. Unë në mënyrë informale kam informacione që vërtetojnë disa nga këto shqetësime. Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe zyrës së kryeministrisë për shembull i kam paraqitur edhe shqetësimin që ish zv/ministri i Arsimit përpara meje mund të mos ketë diplomë masteri siç dhe ai pretendon, dhe kërkova vërtetimin e këtij dyshimi.

Gjatë dy javëve si zv. ministër i Arsimit, cilat ishin disa nga problematikat që arritët të konstatonit brenda kësaj ministrie çka iu bëri dhe të dorëhiqeshit?
Në ministrinë e arsimit mungon praktika e punës. Në këtë institucion flitet shumë, por shumë pak dokumentohet. Për më tepër kuptova që pozicioni i zv/ministrit më ishte dhënë jo për të bërë punë, por për të më mbyllur gojën. Nuk ka asnjë funksion ekzekutiv. Gjithashtu, drejtuesit aktualë të ministrisë e shohin arsimin jo si mjetin përmes së cilës ti ndërton të ardhmen e një vendi, por si një mundësi për të thithur elektorat. Kur propozova 12 emra studiuesish me produkt shkencor për anëtarë të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, në Ministrinë e Arsimit më thanë: “Këta si njeh publiku, nuk sjellin vota!” Arsimi në Shqipëri është i marrë peng nga politika! Etika, morali dhe përgatitja ime profesionale nuk më lejon të punoja në një institucion të tillë, mund të kontribuoj më shumë për vendin tim dhe zhvillimin e arsimit në vend jashtë sistemit.

Sa i pranishëm është korrupsioni në universitetet shqiptare? Si mund t’i jepet zgjidhje kësaj situate?
Një studim i kryer nga Qëndresa Qytetare tregoi se mbi 70% e studentëve pohojnë se në universitete ka korrupsion. Blihet nota, shiten libra me detyrim, kërkohen favore seksuale për të marrë një notë më të mire, studenti paguan për një vërtetim të thjeshtë; këto janë disa shqetësime konkrete dhe shume shqetësuese që denigrojnë figurën e universitetit. Është e turpshme ne të flasim për këto probleme në vitin 2018, jemi shekuj mbrapa krahasuar me vendet ku ne duam të aderojmë.

A janë të akredituara programet e studimit në IAL-të publike në vend? Sot, studentët në universitet publike marrin diploma që shteti shqiptar, sipas ligjit të 2015, nuk i njeh, sepse janë programe të pa akredituara! Studentët shqiptarë paguajnë tarifa të larta, gjejnë në universitete infrastrukturë të dobët dhe nivel të ulët mësimdhënie, dhe në fund marrin diploma që jo vetëm nuk kanë vlerë, por dhe nuk njihen nga shteti shqiptar! Pse ministria dhe qeveria kanë lejuar kjo të ndodhë, ndërkohë që universitet private i kanë akredituar programet e tyre? Ky ndoshta është korrupsioni më i madh sot; senatet e universiteteve, dekanët dhe rektorët, dhe vetë ministria, që paguhen nga taksat tona, janë në shkelje të ligjit, dhe sot të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi.

Sa dëgjohet zëri i intelektualëve në Shqipëri?
Intelektuali shqiptar është përndjekur për disa dekada nga çdo pushtet dhe vazhdon të nëpërkëmbet në vendin tonë dhe emigrojë drejt vendeve të tjera! Raporti i publikuar së fundmi nga UNESCO tregon se më shumë se 1 në 4 Shqiptarë me aftësi të lartë (highly skilled- një person i cili është i aftë të punojë në mënyrë efikase dhe të trajnojë me efektshmëri punëtorë të aftë) emigrojnë! Ritmi i emigrimit të njerëzve të edukuar në Shqipëri është i përafërt me vendet si Somalia!

Çfarë do të sjellë gjithë kjo situatë për vendin tonë, cilat do të jenë pasojat sipas jush?
Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama thotë: Nëse mendoni se arsimi kushton, prisni të shikoni sesa injoranca kushton. Shkatërrimi i arsimit ka sjellë që vendi jonë të mos ketë specialistë në shumë fusha, arsim, ekonomi, ndërtim, mjedis, bujqësi etj. Kjo ka sjellë plagë të shumta sociale në vend, dhe dëm të madh ekonomik.

Pse studentët shqiptarë dhe të sapodiplomuarit zgjedhin të largohen nga Shqipëria?
Sot shqiptarët nuk dinë çfarë duan, sepse nuk ka profesionistë që përmes hartimit të politikave të bazuara në evidencë orientojnë tregun dhe zhvillimin social, ekonomik dhe urban. Rinia largohet sepse sistemi shqiptar e vret të aftin, nuk e ndihmon të zhvillojë potencialet e veta dhe ecë përpara. Meritokracia në vendin tonë ngatërrohet me servilizimin dhe partinë politike.

Shfaq Komentet (3)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

  1. Zotri Muka me duket se erdhe ne Shqiperi ose si i porositur ose i motivuar tej mase qe do te thot ne te dya rastet barazimi eshte Zhgenjim.Per te dryshuar gjen me te vogel ne ket Shqiprin ton te dashu.r nuk duhet sapo ke zbritur ne ket vend per te filluar me ndryshime ,Sapo ke zbritur ne ket vend te bukur duhet filluar ta ndryshosh vehtvehten vetem ashtu mundsit jan te shumta per sukses .po se ke ndryshu veht vehten ketu nuk mund te ndryshosh asgje.nese sme ke kuptu , Shkurt: Shqiprin se zbulove ti .

    Përgjigju ↓
    1. Z.Keni me duket se nuk e keni kuptuar intervisten e Z.Muka. Z.Muka po thote peshku qelbet nga koka! Keshtu qe mos thoni qe pse nuk beri gje? Ai beri aq sa mundi sepse ketu asnjeri nuk e njeh kushtetuten e vet! Atij i erdhi turp ku jemi katandisur ne. Pse ndodhin keto gjera sipas jush? Te kete ne 2018 kete mentalitet votash e vjdedhje???
      Meritokracia vjen ne baze te respektit te ndersjellte, barazise dhe sakrificave. Ketu politika na barazon me hajdutet dhe ordineret e fundrrinat !!!

      Përgjigju ↓
      1. Un habitem qe zoti Muka nuk ka pas informacion se kush eshte Rudina dhe Rudinizmi. Vetem mbrojtja qe i beri placentes do te mjaftonte per te kuptu se si funksion ky vend

        Përgjigju ↓