DOSSIER

“Fadil Spahiu mbron disertacionin”

15:34 - 03.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në fillimin e muajit, në gazetën “Pravda” të qytetit Gorki u botua njoftimi se më datën 21 dhjetor, në Institutin e Mjekësisë do të zhvillohej mbrojtja e disertacionit për marrjen e gradës shkencore të kandidatit të shkencave mjekësore, Fadil Spahiu. Oponentët zyrtarë të mbrojtjes janë: Mjeshtri i Merituar i Shkencës Profesori E. M. Berezov dhe doktori i Shkencave Mjekësore Profesori B. A. Korolev. Ne na interesoi familja e disertantit Fadil Spahiu. A është vallë ai djaloshi me sy të zi nga Shqipëria, i cili së bashku me grupin e shokëve të tij ka mbaruar studimet në vitin 1953 në Institutin tonë të Mjekësisë? Ne e kemi takuar atë në klinikat mjekësore, në bibliotekat e institutit si dhe në kolektivat e grupeve amatore artistike, ku këngët ruse këndoheshin së bashku me këngët shqiptare. Pardje, ditën kur erdhi Fadili, të gjitha përpjekjet për ta gjetur atë në hotelet e qytetit rezultuan pa sukses. Në Institutin e Mjekësisë na thanë: “E njohim Fadilin, si gjithmonë i palodhshëm. Në qytetin Gorki ai ka shumë miq dhe është vështirë të themi ku është tani”. Në fakt, që nga stacioni i trenit ai shkoi në Institutin e Kirurgjisë. Atje na thanë: “Po, Fadili ishte këtu. Pastaj shkoi në Klinikën e Kirurgjisë të spitalit Nr.5”. Atje e gjetëm më në fund mjekun e ri shqiptar së bashku me një grup shokësh të ngushtë të institutit. Atij i bënin pyetje si është Bajram Preza, ku punon Fiqri Basha.




Fadili tregon se shokët e grupit të tij tani punojnë në Shqipëri: Bajram Preza është neuropatolog, Bashkim Çuberi është ekspert mjekësor në Tiranë, Fiqri Basha është anatomist në Institutin Shqiptar të Mjekësisë.

Duke buzëqeshur, Fadili thotë: “Këtë vit Instituti ynë i Mjekësisë nxjerr nga shtypi numrin e parë të Revistës Shkencore, a e kuptoni, numrin e parë. Ky institut është themeluar me ndihmën e Bashkimit Sovjetik dhe aty japin mësim specialistët tuaj të shkëlqyeshëm”. Biseda vetvetiu kalon në gjendjen e mjekësisë në Republikën Popullore të Shqipërisë. F. Spahiu jo pa mburrje thotë: “Më parë të gjitha shpresat për problemet mjekësore ishin te puna e mjekëve të veçantë. Tani në vendin tonë të vogël, mjekësia është vendosur në baza të shëndosha shkencore, te ne mjekësia është bërë vepër e përgjithshme qeveritare. Në çdo hap ne ndjejmë ndihmën shumë të çmuar të miqve sovjetikë. Për këtë arsye, populli shqiptar ju është shumë mirënjohës”. Të gjithë pjesëmarrësit e bisedës natyrshëm interesohen për ndryshimet e jetës së vetë Fadil Spahiut. “Po çfarë mund të ju them. Ju e kuptoni sa të vështirë e kisha në fillim, nuk dija asnjë fjalë të gjuhës ruse dhe tani – në fytyrën e tij zeshkane përsëri u shfaq buzëqeshja – me ndihmën tuaj, e mësova shumë mirë rusishten. Kur u ktheva në atdhe, punova si kirurg në Tiranë. Gjatë gjithë kohës vazhdova të punoja për temën e disertacionit, të cilën ma pat dhënë N.N. Bllohin-i që kur isha student në Gorki. Është fjala për zëvendësimin e kyçit të bërrylit me material plastik. Ishte një punim i ri, i vështirë, por që unë e pëlqeva. Qeveria jonë më dha mundësinë për të ardhur si punonjës shkencor në Institutin e Patologjisë dhe Terapisë Eksperimentale të Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik. Udhëheqësi im shkencor ishte N. N. Bllohin. Ju e njihni këtë njeri, një shkencëtar i shquar dhe shumë egzigjent. Punimi i disertacionit tim ka përfunduar dhe e kam sjellë atë për vlerësim në qytetin që është bërë tashmë aq i afërt dhe i dashur për mua”. Ne e pyetëm F. Spahiun për planet e tij për të ardhmen.
“Duhet të kaloj disa muaj në Moskë dhe pastaj do të kthehem në atdhe. Në vendim tuaj kam kaluar një shkollë të madhe dhe të bukur. Asnjëherë nuk do ta harrojë atë, asnjëherë”.

* * *
Mbrëmë në Institutin e Mjekësisë u zhvillua mbrojtja e disertacionit të Fadil Spahiut. Në sallë ishin profesorë, pedagogë, mjekë të rinj dhe studentë. Sekretari i Këshillit Shkencor informoi për biografinë e disertantit: ai është 30-vjeçar, është anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë, ish-luftëtar aktiv në repartet partizane dhe është dekoruar me Medaljen e Punës. F. Spahiu ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera studimet në Institutin e Mjekësisë, në Gorki dhe ka kryer dy punime shkencore.

Fjala e disertantit u ndoq me vëmendje të madhe.
Anëtari-korrespondent i Akademisë së Shkencave Mjekësore të Bashkimit Sovjetik, N. N. Bllohin, dëshmoi përkushtimin e tij të madh për punën: “Jemi të gëzuar që në Shqipëri kthehet kirurgu i aftë, i cili tashmë mund të kryejë në mënyrë të pavarur operacione të vështira në çdo pjesë të trupit”.

Oponentët zyrtarë, E. L. Berezov dhe B. A. Korolev dhanë vlerësimin e lartë të punës së F. Spahiut, duke theksuar rëndësinë shumë të madhe të saj. Kryetari i Këshillit Shkencor deklaroi se F. Spahiut në mënyrë unanime i jepet grada shkencore e Kandidatit të Shkencave Mjekësore. Shkencëtarit të ri i shtrënguan dorën dhjetëra veta. Kurse ai, i prekur dhe i entuziazmuar përsëriste vetëm një fjalë që dilte nga zemra e tij: Faleminderit!
A. Litvin


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ka sherbyer si mjek edhe ne Gramsh,me duart e arta te tij jane sheruar shume paciente te rrethit Gramsh dhe te tjere qe vinin nga rrerhet e tjera te vendit! Ai qe fati i ndritur i nje rrethi te vogel si Gramsh te kishte nje specialist me titull shkencor si Z.Fadil Spahiu!Gjithe populli i Gramshit e kujton me respekt te madh e do ngelet i pa harruar ne kujtesen e tij!

    Përgjigju ↓