Rajoni

Hahn: BE e zhgënjyer me tarifat doganore të Kosovës ndaj Serbisë

18:56 - 03.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
Bashkimi Evropian ishte i befasuar dhe zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifave doganore, ka deklaruar komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn.

Këto komente, Hahn i bëri gjatë një konference në Prishtinë pas takimeve që zhvilloi me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.




Ai tha se heqja e barrierave tregtare është një nga qëllimet e BE-së. Hahn lavdëroi angazhimin e Kosovës në këtë drejtim ndër vite, por jo edhe vendosjen e taksës doganore.

“Ne të gjithë kemi qenë të befasuar dhe të zhgënjyer kur u vendos tarifa prej 100 për qind. Jam në dijeni dhe të gjithë në BE jemi për vështirësitë aktuale për Kosovën. Ka nevojë që të dyja palët të adresojnë këto çështje”, tha Hahn.

Hahn, tha se pasoja nga vendimi për taksën mund të jenë në radhe të parë me tregun dhe për atë, siç tha ai, “se si do të përgjigjet tregu me këto tarifa”.

“Ne të gjithë kemi për synim perspektivën evropian për të gjitha vendet e rajonit dhe një nga elementet këtu është që të mos ketë taksa doganore dhe tarifa, për ta pasur një treg të vetëm. Kjo ka të bëjë me përgatitjen e vendeve për ketë treg. Nëse tash një vend vendos taksa është në kontradiktë me vetveten sa i përket perspektivës evropiane”, tha Hahn.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka sqaruar se nuk do të tërhiqet nga vendimi për tarifën e vendosur ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja. Ai ka thënë se ka shumë arsye që Qeveria e Kosovës është detyruar të vendosë këtë taksë, duke veçuar politikat e Serbisë karshi shtetit të Kosovës. Andaj, sipas Haradinajt, taksa doganore 100 për qind do të shfuqizohet në momentin kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn, gjatë vizitës në Prishtinë u takua me kryeministrin Ramush Haradinaj. Më pas, komisioneri Hahn ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe si dhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërkohë, edhe deputetët serbë, që përfaqësohen përmes Listës Serbe, që nga e diela janë mbyllur në Kuvend me kërkesën që ta takojnë komisionarin Hahn dhe t’i shpjegojnë atij qëndrimin dhe shqetësimet në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën doganore prej 100 për qind për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilat importohen në Kosovë. REL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.