DOSSIER

Kokëqethura, nën tehun e gijotinës

15:45 - 04.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Luan Rama*  – Kokëqethura nën tehun e gijotinës. Viti 1944-1945. Kjo ndodhi në Francë. Kohë më parë kjo kishte ndodhur dhe në Spanjë, në Gjermani, nëpër botë… Lufta sapo kishte mbaruar dhe koka grash qetheshin përmes forcës. Kokëqethurat shtyheshin si bagëtitë dhe zvarriteshin në sheshet publike, nën thirrjet histerike të turmës të dehur nga urrejtja dhe fitorja. Ishin trofetë e fitores, poshtërimit, tjetërsimit, ato që shkuan me pushtuesin… Ato!
Të dashurosh armikun në kohë lufte ndëshkohesh rëndë. Heroina e “Hiroshima mon amour” (Hiroshima dashuria ime) e Marguerite Duras dashuroi një ushtar gjerman në fundin e luftës dhe kokëqethur u mbajt në një bodrum të shtëpisë, në botën e errësirës. Pauline Dubisson, një tjetër vajzë, dhe mijra të tjera si ajo, përjetuan tragjedinë e kohëve modern: 20 mijë koka të qethura brenda disa ditësh. Flokët dalin sërrish por shpirtrat e vrarë do të jetojnë letargjinë e pafund të poshtërimit. Përse vetëm gratë qethen, poshtërohen, përdhunohen?!
Pauline Dubuisson (Polinë Dybyison) të cilës autori i ka kushtuar këtë roman biografik, ka guxuar të ngrihet kundër atij linçimi, si reagim ndaj asaj që i bëri shoqëria në veri të Francës pas luftës së dytë botërore, fill pas çlirimit ku një ” gjueti shtrigash ” u ndërmor kundër atyre femrave që kishin shkuar me gjermanët pushtues apo i kishin dashuruar (të mos harrojmë këtu dhe aktoren Arlety apo të famshmen Edith Piaff, etj.) Eshtë një histori analoge me atë që kemi parë në filmin e Alain Resnais me skenar të shkrimtares së njohur Marguerite Duras, “Hiroshima, dashuria ime ” ku protagonistja, një vajzë e re në thellësi të Francës, në Nevers, në ditën e fundit të luftës, e kishin lënë me ushtarin gjerman të takoheshin dhe të iknin bashkë drejt Gjermanisë. Por kur ajo shkoi në vendin e takimit e gjeti atë të sapo vrarë. Atëherë dhe asaj vajze i qethën flokët në ditët e para të çlirimit. Një qethje në sheshin publik, ashtu siç u qethën mijra të tjera nëpër gjithë Francën brenda disa ditëve. Një spektakël i tmerrshëm për ato që e pësuan dhe ata që e bënë, pasi ata “burra të nderit” duhet ta kenë ndjerë fajin e madh në shkatërrimin e shumë jetëve të pambrojtura. Ky spektakël i mijra kokave të qethura në sheshet publike, në rrugë, nën brohorimat e turmës, në podiume provizore, mbetën stigmate që u ngjizën në shpirtrat dhe jetët e atyre vajzave. Ishte nga shprehjet më të mëdha të intolerancës dhe dhunës mashkullore ndaj gruas. Ishte një “bombë” si ato të Hiroshimës që ra në shpirtrat e tyre duke lënë plagë të hapura e përvëluese apo duke i çuar ato drejt vetvrasjes. Imazhe që menjëherë të çonin në vargun klithës poetik:
Kokëqethura, nën tehun e gijotinës
—————-
Zgjidh i thanë:
përdhunimin ose jetën,
por me rrobat e shqyera
dhe lakuriqësinë e trupit
ajo jetonte në një botë tjetër,
ç’po ndodh kështu Zoti im?
Vallë i kanë harruar motrat e tyre?…
Ishte dita e kalvarit,
paslufta,
një orë, dy, pesë,
turma shfrynte mbi trupin e saj
si një buldozer i hekurt që i thyente kockat
kofshët, gjoksin,
vaginën dhe gojën
me erën e gjakut dhe të spermës
mbi plagët mavi.
Më së fundi ajo ofshau,
i kishte klithur qiellit që ra përmbys,
tokës që u hap greminë,
botës në zinë e madhe,
ulëriu si të ishte dhe ajo një bishë,
një Ceber në rrathët e ferrit,
një bishë më shumë se bisha.
Egërsira u zgjua
dhe ata ikën me vrap
si ti ndiqte demoni,
pastaj ra heshtje,
vetëm dihaste,
plagët blu pikonin
gjysmë-gjallë, gjysmë-vdekur,
qante në heshtje
nën dritën e një hëne të vrarë,
qante mbi tetëmbëdhjetë vjetët e saj,
dhe lulet fillikate që ranë,
qante mbi qumështin dhe frymën.
Ishte fill pas lufte, 1944-1945,
kur mijra vajza e gra i qethnin
në sheshet e harbuara të urrejtjes
pse kishin shkuar me pushtuesin,
mijra koka tullace parakalonin në rrugë
dhe në skenat publike,
i tërhiqnin zvarrë nën brohorima,
duke përdhunuar kështu trofetë e një lufte,
trofetë e fitores,
pa ditur se përdhunonin zemra
dhe thyenin mijra jetë,
një luftë mbaronte
dhe një tjetër do të fillonte
mbi tokat e shkretuara,
mbi hirin dhe lulet që digjnin
duke pritur erën e ngrohtë
dhe kushedi shiun e një dashurie të re…





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.