AKTUALITET

“I ngritën kurth”, si u zhduk nipi i ish-shefit të Komisariatit të Dibrës

11:33 - 06.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një 21-vjeçar nga fshati Grezhdan i Dibrës është zhdukur që prej një jave, ndërsa nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Bëhet fjalë për të riun Mateo Aga, nipin e ish-shefit të Komisariatit të Dibrës, Robert Aga (aktualisht shef i Qarkullimit Rrugor në Qarkun e Kukësit). Kanë qenë familjarët, të cilët të alarmuar kanë bërë denoncim në polici. Ata deklaruan dje për “Gazeta Shqiptare”, se dyshojnë që Mateo është rrëmbyer, ndërkohë që kanë treguar lëvizjet e fundit të 21-vjeçarit, përpara se të zhdukej. Prindërit dhe të afërm të të riut pohuan se mbrëmjen e 28 nëntorit Mateo ka qenë në një lokal në pranë rreth rrotullimit në Maqellarë dhe më pas është kthyer në banesë me makinën e një bashkëfshatari. “Mateo nuk kishte telefon me vete kur është larguar nga lokali. Prej më shumë se një muaji ai s’ka folur fare në telefon, pasi nuk ka pasur. Fliste me telefonat e shokëve, pasi të vetin e kishte të thyer. Kemi frikë mos i kanë ngritur shokët kurth”, – thanë familjarët. Gjithashtu, ata pohuan se e kanë kërkuar kudo 21-vjeçarin, por nuk kanë mundur ta gjejnë. Menjëherë, pas denoncimit për zhdukjen e Mateo Agës, policia dhe prokuroria e Dibrës kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Hetuesit e çështjes kanë nisur marrjen në pyetje të të gjithë personave që e njohin të riun dhe ata që e kanë takuar për herë të fundit. Ndërsa, në pikat kufitare me Maqedoninë është shpërndarë fotoja e tij, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë. Ndërkaq, Nexhat Agolli, gjyshi nga nëna i Mateo Agës u shpreh se është i sigurt që nipi është rrëmbyer. Madje, të afërm të të riut të zhdukur dyshojnë se ai mund të jetë vrarë. Nga ana tjetër, ngjarja është e veshur me mister, pasi nuk dihen motivet e rrëmbimit apo të vrasjes së mundshme të 21-vjeçarit.




NGJARJA
Që prej një jave, familja Aga nga fshati Grezhdan është në ankth për fatin e djalit të tyre 21-vjeçar. Mësohet se kjo familje ishte zhvendosur prej disa kohësh në Tiranë, ndërsa kryefamiljari dhe djali i tij, Mateo punonin ende në biznesin e tyre të ngritur në Maqellarë. Më 28 nëntor, i riu ka punuar së bashku me të atin në biznesin e tyre dhe në mbrëmje, rreth orës 20:40 ai ka shkuar në një lokal që ndodhet tek rreth- rrotullimi i Maqellarës. Pasi ka qëndruar për një orë i ulur vetëm në lokal, ai është kthyer në shtëpinë e tij në fshatin Grezhdan me makinën e një bashkëfshatari të tij. Të nesërmen, më 29 nëntor, babai i tij ka pritur që Mateo të shkonte në punë. E ndërsa i biri nuk është paraqitur, i ati dhe të afërm të tij kanë shkuar në banesë.

Aty mësohet se kanë gjetur rrobat e 21-vjeçarit, patentën, kartën e identitetit dhe pasaportën. Nga ajo çfarë kanë parë në shtëpi, familjarët thanë se Mateo sapo është kthyer në shtëpi ka ndezur televizorin (të cilin e ka fikur para se të flinte) dhe ka pirë duhan. Ai nuk ka fjetur te dhoma e gjumit, por në një nga kolltukët në dhomën e ndenjes. Dyshohet se pak pas mesnate, dikush (shok) e ka thirrur Mateon dhe ai ka ndërruar rrobat që kishte veshur dhe mendohet se ka veshur rroba të tjera dhe një xhup ngjyrë ushtarake.

GJYSHI I TË ZHDUKURIT
Pas zhdukjes së 21-vjeçarit, ka reaguar gjyshi i tij, Nexhat Agolli. 70-vjeçari tha për “Gazeta Shqiptare”-në se Mateo është djalë i qetë dhe jo problematik. “Nipi nuk ka pasur probleme me askënd. Jemi shumë të tronditur nga ajo që ka ndodhur. 99 për qind dyshoj se Mateon e kanë rrëmbyer. Nuk e dimë arsyen dhe as dyshime se kush mund ta ketë rrëmbyer Shpresojmë që ai të jetë gjallë”, u shpreh i moshuari. Ndërkaq, Agolli pohoi se Mateon do ta ketë thirrur ndonjë shok apo i njohur dhe më pas ai ka dalë nga banesa dhe nuk është kthyer më. Gjyshi i 21-vjeçarit u bën apel organeve të drejtësisë që të gjejnë nipin dhe ta kthejnë në shtëpi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.