Show-Bizz

Kevin Kola: Akademia e modës në Belgjikë, bashkëpunimet me të famshmit, ja si e drejtoj

15:53 - 06.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Modelingu është rruga që ndjekin ata që e duan të bukurën dhe që punojnë fort për të arritur objektivat e tyre. Nuk është e lehtë që nga model, të drejtosh e të trajnosh të rinj për t’u bërë pjesë e pasarelave të mëdha, për më tepër përtej kufijve. Asgjë nuk është e pamundur. Në një rrëfim për “Gazeta shqiptare”, Kevin Kola na tregon për pasionin dhe profesionin e tij, eksperiencat më të veçanta që ka përjetuar, akademinë që ka rezultuar e suksesshme në Belgjikë, ku ai drejton dhe trajnon të rinjtë që duan t’i hyjnë botës së modelingut. Ai pohon se vizita e personaliteteve ndërkombëtare të modës dhe masterclasset që ofrojnë për studentët janë ditët më të bukura. Nuk ka ndonjë kriter në përzgjedhjen e modeleve, pasi gjithkush që e do këtë fushë, interesohet që të trokasë aty ku dyert ngelen të hapura dhe ku i ofrohet mundësia për të realizuar ëndrrën. Më tej, Kola foli për ofertën më tunduese që mund t’i vijë një modeli si dhe objektivat që do të realizojë. Ne i urojmë shumë suksese akademisë dhe Kevin Kolës për këtë projekt gjigant, që u vjen në ndihmë të gjithë atyre që e duan modelingun!




Ju keni qenë model. Ka qenë e vështirë të ushtronit profesionin tuaj?
Në Shqipëri po, jashtë Shqipërisë jo. Kërkesa dhe vizioni i “profesionistëve” shqiptarë ndalon te një vajzë dhe një djalë i bukur. Modelingu është shumë më shumë se aq. Duke filluar nga detajet që e bëjnë një model unik, pasioni, karakteri dhe energjia që përcjell me gjuhën e trupit, kreativiteti dhe disiplina janë të gjitha elementë që një model/e i/e vërtetë duhet të ketë. Fatkeqësisht Shqipëria nuk i ka.

Mendoni se diskriminohen djemtë që dalin nëpër pasarela?
Çdo vit më pak se vitin e kaluar. Me kalimin e kohës, dalja në pasarelë e një modeli mashkull nuk është më problem ose tabu. Dikur konsiderohej veprim “gay”, sepse moda është një industri që lindi me tendencë nga gjinia femërore.

Eksperienca më e veçantë që mbani mend?
Ka shumë, por më e veçanta ndodhi së fundmi. Lançimi i akademisë që aq shumë e kam ëndërruar, më në fund u bë.
Tanimë ju drejtoni një akademi modelingu në Belgjikë, ku dhe si do t’i trajnoni të rinjtë që duan t’i hyjnë kësaj rruge. Cila është e veçanta e saj?
Akademia si vendndodhje është në dalje të kryeqytetit belg, në ambientet e AED, studios e cila është një kompani që xhiron dhe prodhon skenat e efekteve speciale dhe televizive për Hollivud dhe shumë televizione europiane. Për shkak të vendndodhjes, të rinjtë kanë shumë hapësirë dhe mundësi të trajnohen dhe mësojnë. Më e veçanta është gjithnjë vizita e personaliteteve ndërkombëtare të modës dhe masterclasset që ata ofrojnë për studentët. Ato ditë janë gjithnjë më të bukurat.

Nga çfarë kriteresh nis përzgjedhja e modelëve?
Akademia ime nuk ka kritere. Me kalimin e viteve pasarelat po lejojnë kalimin e shumë moshave, stileve, masave trupore dhe për ketë arsye, programi im studimor është përshtatur në një kusht të vetëm: pasionin e atij që ndjek mësimin dhe dëshirën për të ecur përpara.

Oferta më tunduese që mund të marri një model?
Personalisht, oferta më tunduese do ishte të dilja në kopertinën e “Vogue”. Nuk ka për të ndodhur, por më lejohet të ëndërroj pak herë pas here (qesh).

Pakti më i rrezikshëm që keni bërë për hir të punës?

Për të hapur akademinë dhe përballuar vështirësinë vura në vijë gjithçka kisha. Një lëvizje e gabuar dhe gjithçka do merrte fund.

Keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga puna juaj?
Shumë herë. Nuk i numëroj dot.

Cilat janë objektivat që doni me doemos t’i realizoni?
Synimi aktual është krijimi i një platforme të rregullt dhe të mirë, ku vajza dhe djem nga Shqipëria mund të shihen dhe vlerësohen më shumë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.