KULTURË

Plumb në Galerinë Kombëtare të Arteve, kallëzim penal artistit Armando Lulaj

16:30 - 06.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me datë 3 dhjetor 2018, në Galerinë Kombëtare të Arteve ka ardhur nëpërmjet shërbimit postar një zarf nga qytetari Armando Luaj. Specialistja e protokollit pasi ka hapur zarfin ka identifikuar një objekt në formën e një plumbi të vendosur në një letër transparente. Për këtë arsye, zarfi është mbyllur përsëri, dhe institucioni ka bërë një kallëzim në polici në datën 4 dhjetor. Policia po bën verifikimet përkatëse për çështjen”. Ka qenë kjo përgjigja që zyra e shtypit të Galerisë Kombëtare të Arteve i ka dhënë “Gazetës Shqiptare”, pas i është kërkuar konfirmim për ngjarjen.
Sqarimi nga ana e institucionit ka qenë i shkurtër, megjithatë ata janë përgjigjur për sa më sipër.




NJË JAVË MË PARË
Një letër që në pamje të parë është e tejdukshme dhe një plumb. Nuk është vetëm (as) një vepër arti. Artisti shqiptar Armando Lulaj i ka dërguar një plumb në zarf më 29 nëntor Muzeut të Arteve të Bukura, ose ish-Galerisë së Arteve Kombëtare në Tiranë. Lajmin e ka konfirmuar vetë ai për “Gazeta Shqiptare”. “PLUMB NË ZARF”, 2018 ka edhe shpjegimin e vet. “Si i vetmi institucion i rëndësishëm i artit në vend, Galeria Kombëtare e Arteve, sot Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura, është konsideruar historikisht pikë referimi për artistët vendas, sikundër edhe për publikun. Ndërtesa aktuale, e cila ndodhet në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, u inaugurua më 29 nëntor 1974, në përvjetorin e çlirimit të vendit. Ky është edhe momenti i parë i riorganizimit dhe ristrukturimit të institucionit, falë të cilit misioni dhe veprimtaria artistike e galerisë vazhdoi shtysën drejt vizionit shtetëror për ndërtimin e të ardhmes socialiste”, shënon ai në tekstin që shoqëron imazhet e zarfit në platformën “DebatikCenter”.

Artisti, i njohur për veprat e tij vitet e fundit dhe si përfaqësues i Shqipërisë në Bienalen e Venecias(2015), ka një mesazh që përçon me zarfin e fundit. “Në këtë moment të kohës sonë, kur i gjithë aparati shtetëror aktual shfaqet më se i vendosur, që me çdo mjet të lançojë vendin drejt bashkëkohores, institucioni më i rëndësishëm i artit, si pasojë e transformimit të tij në muze, i është nënshtruar një ristrukturimi dhe rindërtimi të dytë. Qëllimi bashkëkohor i lajmëruar prej qeverisë socialiste që prej vitit 2013 nuk ka shfaqur ende e nuk mund të shfaqë kurrsesi asnjë shpërthim vizionar, asnjë zgjim, e asnjë hapje reale institucionale. Gjurmët që po lënë pas zbulojnë gjithnjë e më shumë drejtimin e kundërt. Institucioni është ngurtësuar e vetëmbyllur, ndërkohë që shpërthimi i vërtetë ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë jashtë tij”, thotë Lulaj. Ai shton se “në këto kohë të demokracisë së paqartë dhe të kontrollit total politik mbi artin, në këtë datë historike të çlirimit të vendit nga nazifashizmi që përkon me përvjetorin e 44-t të inaugurimit të kësaj godine, i dërgova institucionit një copëz të vogël realiteti”. Ai e cilëson “PLUMB NË ZARF”, një dhuratë për Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura. Ky akt u vulos dhe u siglua më dt. 29 Nëntor 2018, në orën 09:20, dhe ju dërgua Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura, ish-Galeria Kombëtare e Arteve, me shërbim ekspres të brendshëm postar me nr. EB756471574AA.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.