Sociale

“Qeveria t’i thërrasë mendjes, kërkojmë të drejtat”

09:06 - 06.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Qindra studentë të uni versiteteve publike në vend kanë protestuar dje kundër tarifës prej 670 lekësh për kredit për provimet e mbartura. Nën sloganet “Anulo vendimin” “Jemi studentë, jo klientë”, “Ne nuk ikim” studentët kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit ku në shenjë revolte kanë hedhur vezë, stilolapsa e letra në drejtim të këtij institucioni. “Po protestojmë kundër vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 288 që nuk është botuar në fletoren zyrtare në maj të këtij viti dhe është miratuar në mënyrë të fshehtë për të na i bërë surprizë në fundvit. Kjo është e padrejtë dhe e paarsyeshme, pasi i gjobit studentët, është një gjobë e pastër, e në vend që ti nxisë studentët të mbarojnë shkollën, i nxit që ta braktisin atë.




Çmimi i kreditit prej 670 lekësh është çmenduri për kushtet ekonomike dhe fuqinë paguese të studentëve. Ministrja që po na rrjep edhe qindarkat e fundit bën mirë ti vejë gishtin kokës sa të mos jetë shumë vonë”,-thotë studenti Klodi Leka. Ditën e sotme studentët do të protestojnë sërish para MASR deri në plotësimin e të gjitha kërkesave “Nesër (sot) në orën 8.00 të mëngjesit studentët e të gjitha universiteteve publike do të bojkotojnë sërish mësimin duke u grumbulluar në oborret e fakulteteve përkatëse për të marshuar drejt Ministrisë së Arsimit. Në orën 10.00 protestojmë përpara ministrisë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave!”,-thonë studentët për “Gazeta Shqiptare“.

KËRKESAT

Përvec anulimit të VKM që i detyron të paguajnë 670 lekë për kredit për çdo provim të mbartur, studentët kanë kërkuar edhe përgjysmim të tarifave në institucionet publike, si dhe përmirësim të kushteve të jetesës në konvikte. Pavarësisht tentativës së zëvendësministres së Arsimit Besa Shahini për të negociuar me studentët, këta të fundit e përzunë nga tubimi duke thënë se nuk bëhen pjesë e shantazheve dhe premtimeve boshe. “Kërkesat tona janë: anulimi i vendimit të këshillit të ministrave nr.288 të miratuar më datë 21.05.2018 sidomos pikës 4 që i vendos një gjobë studentëve për provimet e mbartura; rritjen e buxhetit të shtetit për universitet publike; përgjysmim të të gjitha tarifave universitare. Ndërsa nga autoritetet e drejtuesve kërkojmë: ndarjen e pagesës së tarifës në këste shtyrjen e afatit të pagesës së secilit këst përtej sezonit të provimeve të semestrit të parë”,-thekson një prej studentëve për Gazeta Shqiptare. Lidhur me reagimin e kryeministrit Edi Rama i cili u shpreh se tatimpaguesit nuk duhet të paguajnë për ngelësit, studentët shprehen se kjo ndodh pasi punojnë për të paguar shkollën. “Ne jemi ngelës se ju na keni detyruar të punojmë si qeni për të paguar tarifat e papërballueshme”,-thotë A.Ç njëra prej studenteve. Më tej ata thonë se nuk iu bën përshtypje asnjë reagim i Ramës e se nuk do të ndalen. “Studentët ju përgjigjën Ramës me thirrjet e tyre. Nuk na bëjnë më përshtypje këto reagime të kryeministrit ne do të protestojmë deri sa Qeveria t’i thërrasë mendjes se këto që po kërkojmë janë të drejta dhe jo utopi”,-thotë studentja Arbiona Çibuku për “GSH”.

Kërkesat e studentëve janë:

  1. Anulimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.288 të miratuar më datë 21.05.2018 sidomos pikës 4 që i vendos një gjobë studentëve për provimet e mbartura.
  2. Rritjen e buxhetit të shtetit për universitet publike
  3. Përgjysmim të të gjitha tarifave universitare. Nga autoritetet e drejtuesve kërkojnë: Ndarjen e pagesës së tarifës në këste; Shtyrjen e afatit të pagesës së secilit këst përtej sezonit të provimeve të semestrit të parë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.