Homo Albanicus

I japim fund turpit, vetëm po na e bënë historinë të huajt!

21:25 - 07.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni




“Milosao” do të botojë shpejt, më saktë pak orë më vonë, një eksperiencë të huaj, që e sjell shumë afër situatës së shkencës së historisë në vendin tonë. Është për të ardhur keq, që sot e kësaj dite, edhe me një grup historianësh shumë patriotë e profesionalë politika nuk e zgjidh me një konsensus ditën e Çlirimit nga pushtuesit anti-fashistë. Ata që janë mëndjehapur dhe vigjilentë të zhvillimeve shqiptare e dinë sesi u transformua kjo datë nga presioni i ashpër i kohës së qeverisë Berisha. U arrit u manipuluan dhe njerëzit që ishin protagonistë të asaj date. Por, nuk është fjala për ta. Po për një përvojë, që Ndrek Gjini, pedagog në një universitet në Irlandë do sjellë në faqet e “Milosao”.

Irlanda është përballur me shumë kundërshti të brendshme për historinë e saj të pasur. Dhe, dihet, se armiqtë e tyre më të mëdhenj janë dhe mbeten…anglezët. Nuk po kalojmë në narracionin e plotë të kësaj urrejtje, por vetëm të kujtohet se pushtimi anglez ka zgjatur deri 700 vjet dhe Irlanda e Veriut është nën Kurorën e Mbretërisë së Bashkuar të kuptosh më thjesht urrejtjen. Mes tyre s’ka thjesht gjak, por urrejtje të rrënjosur në gen. Dhe, deri në vitet ’60 të shekullit të shkuar, Irlandezët mund të quhen pararendësit e shqiptarëve, sa i përket rishikimit të historisë. Pasi çdo parti që vinte në pushtet do të përshtaste dhe historianët e saj, që shikonin ngjarje të ndryshme historike me këndvështrime patetike në interesa të ngushta. Mbase në botim, pedagogu shqiptar do të na e shpjegojë më mirë të gjithë këtë histori të historisë, por nuk kaloi shumë (në fakt 4 dekada) kur erdhi një vendim mëndjehapur i qeverisë irlandeze, që kaloi një ligj, pas të cilit u hap një fond special për rishkrimin e historisë. Dakord. Po kush do ta shkruante?!! Dhe, në fund, kujt iu besua. As më shumë e as më pak, por një universiteti britanik. Dhe, cili ishte ky universitet? Ishte Oxford, kredibilitetin e tij, nuk mund ta vendosë askush në dyshim. Kjo i bëri dhe dyshimtarët në Irlandë të mbyllnin gojën, ose në rastin më të keq të kundërshtonin, por jo më me ofendime dhe klithma historike. Ata që mbrojtën ligjin propozuan Universitetin më prestigjioz sa i përket historisë. Oxford!!! Pra, historia e re në këtë këndvështrim të ri do të mbetesh në kanone profesionistësh dhe në gjykime metodikash nga më të avancuarat, që aplikoheshin në këtë institucion. Rrjedha e kohëve ka treguar se botimet më të mira për Romën, Greqinë e Lashtë dhe të Re, Bizantin, Perandoritë Aziatike, ato të Amerikës i kanë bërë të huajt. Dhe, jo se vendasit nuk mund t’i bënin, por se gjithnjë keqkuptoheshin. Kjo të vjen ndërmend, kur kujton problematikat e mëdha të profesorit të njohur Eqerem Çabej ose argumentat e hapura të z.Xhufi që përplasin gjithnjë kundërshti dhe ngrehin valë ofendimesh. Apo argumentat që mundohet të mbrojë Romeo Gurakuqi, që vazhdimisht përballet po ashtu me kundërshti deri në urrejtje. Etj, etj. Lista s’është aq e gjatë sepse edhe historianët me personalitet janë gjithnjë e më të pakët, po për një gjë bindesh, historia në vendin tonë si institucion vazhdimisht ka treguar se ka probleme metodikash, konceptesh, shqyrtime shkollash, referencash etj.

Shqipëria e bëri një provë shumë kohë para Luftës së Dytë Botërore duke ia besuar përgatitjen e një projekti të historisë, njërit prej dijetarëve më të mëdhenj të kohës, kroatit Milan Shuflaj. Për fat të keq, ai do të ekzekutohej nga një dorë e pabesë, duke lënë në mes jetën e tij të vyer, por edhe në mes projektin tonë kombëtar për një histori të kopsitur. Gjithashtu, edhe Instituti i Shkencave, që u ngrit nga fashistët pati një qasje të tillë, por nuk mund të kishte besueshmërinë e duhur dhe kapacitetin, pikërisht, atë që mendojmë se ka ardhur koha ta marrë një institucion prestigjioz. Mbase rasti i Shqipërisë do jetë shembull dhe për fqinjët tanë që ende dehen me fantazma dhe avuj patriotizmi dhe nacionalizmi fals. Thjesht, nuk është keq, që Shqipëria t’i kërkojë përgatitjen e një historie të tillë një institucioni me prestigj. Të paktën punimet e përgatitura nga Bernd Fischer, Oliver Jens Schmidt dhe punimet albaologjike të shumë të huajve kanë treguar që janë jo thjesht interesante, por vështrime shumë profesionale për shqiptarët, ku pavarësisht pakënaqësive tona, ka shumë profesionalizëm dhe dritë hije, që sido që të gjykohen na tregojnë qytetarë të denjë me një histori vërtetë të lartë dhe madhështore. (Homo Albanicus)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.