MILOSAO

A mund të ketë një revoltë të artistëve?!

10:55 - 09.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Çështja e prishjes apo jo të godinës së Teatrit Kombëtar tregoi se mund të ketë protestë të artistëve, shumë konsekuencë të idesë së tyre, por asesi revoltë për të drejtat. Kjo fjalë e fundit në fjalor gjendet me këtë perifrazim: Kundërshtim i një grupi njerëzish, që shpërthen me zemërim e me dhunë kundër pushtetit politik ose kundër rendit në fuqi; kryengritje (zakonisht në vendet me sistem shtypës e shfrytëzues). Shqipëria nuk e ka këtë sistem, por aman ka një drejtim shtetëror që lë shumë për të dëshiruar, sa i përket menaxhimit të problematikave me të cilat hasen fashat shoqërore të ndryshme. Mes tyre janë artistët, që janë nëpërkëmbur shpesh qoftë edhe përmes miklimit të tyre apo më shumë akoma komfortit që i është afruar përfaqësuesve të tyre të ndryshëm. Por larg këtyre, arti shqiptar megjithë arritjet e mëdha është shumë i brishtë dhe i pamundur të provokojë revolta, ku të përfshihen dhe fasha të tjera shoqërore. Shqipëria nuk është se e ka shumë prioritet artin dhe më keq akoma në emër të tij abuzohet nga sharlatanë të ndryshëm.




Protesta e artistëve, në fillim të viteve 2000 me një strukturë qeveritare jo shumë të largët me ditët e sotme (Rama ishte Ministër Kulture dhe ideatori i një reforme që e përçau komunitetin kulturor, kurse Ilir Meta ishte kryeministër i vendit), na mësoi se ky komunitet është i paqartë, lehtësisht i shantazhueshëm dhe shumë gati për flirte. Mësimet e vitit 2018 na e treguan plotësisht këtë. Ashtu si mendohej nga gjykimi i kthjellët edhe ky mandat qeveritar nuk është se tregoi ndryshime të mëdha për komunitetin artistik, ku problematikat më të mprehta mbesin veç atyre të trajtimit dhe ato ligjore. Libri vazhdon të jetë i mbushur nga pesha e taksave, që po e varfëron shumë autorin dhe njerëzit e procesit të bërjes së librit, kurse komuniteti artistik ka mbetur i kapur në një tollovi të frikshme. Pesha kryesore e vlerësimit mbetet te eprorët e institucioneve që tashmë e shprehin cinizmin afër dhe jo shumë larg shprehjes së vetë z.Rama. Nuk ia vlen të flitet për Galerinë e Arteve sepse tashmë mënyra e sjelljes së eprorit të saj e tregon hapur këtë, por shqetësimet reale që ka nxjerrë komuniteti i artistëve të operës, vatrës ku filloi protesta e madhe e artistëve dikur. Ata kërkojnë që rregullorja e brendshme të mos jetë mbi dispozitat ligjore, të vlerësohen në borde dhe në rrogat, por edhe të kenë kontrata kolektive. Duket se vëmendja ndaj e tyre mbetet jashtë interesit të titullarëve kurse propozimi i tyre që bordi artistik të jetë me përfaqësues të barabartë nga institucioni dhe komuniteti artistik, nuk po dëgjohet. Artistët e besojnë mundësinë e kontratës kolektive, pasi në këtë kërkesë përkonte edhe një propozim i njërit nga titullarët e Ministrisë së Kulturës, i cili jo vetëm e ka trajtuar por dhe ka dhënë udhëzim të respektohet kontrata kolektive e punës. Varfëria e vendit, e ardhmja e pasigurt dhe kursi pa logjikë ku po shkon ekonomia e bën shqetësimin e artistëve të jetë real, pasi nuk kanë kontrata në xhep. E fundmit gjë, që u mbetet, është që t’i drejtohen Gjykatës Administrative si sindikatë.

Zhgënjimi i komunitetit të artistëve shtohet edhe për faktin e pagesës së trishtë, por edhe ajo që nuk është bërë gjatë qeverisë socialiste, e cila mëtoi me titullarët e saj dhe grupin drejtues të bënin një fushatë të gjerë për t’i takuar dhe folur nga afër me komunitetet. Por, gati gjashtë vjet më vonë nga mandati socialist, artistët, i frikësohen paq të ardhmes, që lidhet me frikën nga shkurtimet, fakt që i bën ta mendojnë çdo gjë ndryshe. Po a mund t’i bashkohen kësaj revolte, që po nis pak nga pak. Kjo mbetet akoma për t’u parë..


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.