OPINION

Pse dhe si fitoi zonja AKK, pasardhësja e Angela Merkel?

07:20 - 09.12.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mbrëmjen e 7 dhjetorit, 1001 delegatët e Kongresit të Partisë Kristian-Demokrate gjermane (CDU) zgjodhën në Hamburg me 51,7 për qind të votave kryetaren e tyre të re, Annegrete Kramp Karrenbauer. Kësisoj, mori fund drejtimi 18-vjeçar i CDU-së nga Kancelarja Merkel, me fjalimin e saj prekës, që u përcoll me ovacione të gjata. Siç dihet, muajt e fundit ato u tronditën deri në kufijtë e mbijetesës politike nga grindjet e brendshme me CSU-në, tatëpjeta e CSU-së “motër”, fuqizimi i të Gjelbërve, e sidomos ekstremistëve të AfD-së, që kulmuan me rënien drastike të CDU-së/CSU në zgjedhjet lokale të tetorit në Bavari dhe në Hessen. Në këtë terren të rënduar rrëshqitës, Merkel tërhoqi rikandidimin e saj si kryetare e CDU-së dhe njoftoi se ky do të jetë mandati i saj i fundit si kancelare deri në vitin 2021. Me këtë akt politik vizionar, ajo i çeli rrugën rinovimit të CDU-së, bashkë me alternativat dhe elementët e rinj.




Fushata njëmujore brenda CDU-së për liderin e ri ishte e gjallë, transparente dhe pa kurrfarë trysnie politike mbi tre kandidatët për kryetar të CDU-së. Ajo qetësoi ndjeshëm situatën brenda CDU-së, e cila shënoi rritje në sondazhe së bashku me forcimin e mazhit dhe të vetë Kancelares Merkel. E përbashkëta e madhe pozitive për të tre kandidaturat ishte mbështetja për Evropën dhe Euro-Atlantizmin, shtimi i rolit ndërkombëtar shumëpalësh gjerman dhe kundërshtimi i ekstrem zmit/populizmit; gjithashtu, të tre premtuan se do ta ngjisin sërish partinë në kuotën e mëparshme të “artë” 40 për qind, nga 27 që është aktualisht. Debatet e shuma publike, partiake dhe mediatike ndërmjet tyre u karakterizuan nga respekti, kultura, toleranca dhe atmosfera konstruktive, një model i vërtetë për partitë e tjera në Evropë; plus që për herë të parë në 80 vitet e fundit gara zhvillohej mes tre kandidatëve. Kësisoj, demokracia e brendshme u bë fituesja e parë.

Që të kuptohen më mirë “pse”-të dhe rëndësia e fitores së zonjës Karrenbauer, brenda dhe jashtë Gjermanisë, le t’i hedhim një vështrim kalimthi profilit dhe karakteristikave kryesore të të tre kandidaturave.

38-vjeçari Jens Spahn, ministër federal i Shëndetësisë është deputeti më i ri i Bundestagut, në moshën 22-vjeçare. Njihet si kritizer i Merkelit qysh kur ishte me Organizatën Rinore të CDU-së. Ai nuk e ka fshehur synimin që të ishte i pari kancelar gjerman, i deklaruar dhe martuar me homoseksual. Në vitin 2008 ai u bë objekt i sulmeve dhe kërcënimeve për shkak të propozimeve aspak favorizuese për pensionistët. Po kështu, ka qenë skeptik dhe kundërshtar i koalicionit me SPD-në. Edhe tezat mbi liberalizmin ekonomik dhe orientimin e CDU-së më djathtas nuk i dhanë rezultat, sepse këtë fushë e dominonte Fridrich Merz me përvojën e tij të gjatë. Ndonëse pretendonte të bëhej kancelar i ri si Sebastien Kurz i Austrisë, i mungonte simpatia publike, duke u cilësuar dhe si “mishërim i padurimit”. Për pasojë, Spahn e kishte pothuajse të humbur garën qysh në fillim dhe asnjëherë nuk shkoi më shumë se 10 për qind, madje as në vendlindjen e tij.

Favoriti 63-vjeçar Friedrich Merz është eksponent i njohur i CDU-së, avokat korporatash financiare, orator dhe polemist “par excellence”. Europarlamentar dhe deputet në Bundesag nga viti 1989-2008. Pati mbështetjen e hapur të Presidentit të Bundestagut, Wolgang Schauble, që mesa duket më shumë u prishi punë të dyve. Por, në këtë fushatë, Merz u ballafaqua me disa disavantazhe. Në vitin 2004, kur ishte kryetar i Grupit Parlamentar të CDU-së, ai u “dorëhoq” përballë kundërshtares së tij, Merkel, në garën për kreun e CDU-së. Në vitin 2008, duke mos u pajtuar me Merkel, ai u largua nga politika aktive. Gjatë 10 viteve të fundit, krahas shumë korporatave dhe fondacioneve financiare, Merz ishte kryetar i bordit të “Blackrock”,  kompania gjigante imobilare dhe u bë multimilioner. Në një intervistë mbi këtë fakt, Merz deklaroi se ai “i përket pjesës së epërme të shtresës së mesme”, që nuk “ngjiti” në publik. Problem tjetër për Merz, veç faktit që nuk ka pasur asnjëherë post qeveritar lokal ose federal ishte se për shkak të kaluarës me Merkel, ardhja e tij si “revanshist” në krye të CDU-së mund të ndikonte në largimin e parakohshëm të saj dhe rënien e  koalicionit qeveritar, duke provokuar zgjedhjet e parakohshme, aspak të dëshiruara për gjermanët. Edhe pse Merz ka pohuar se nuk do ta bënte një gjë të tillë, sërish skepticizmi publik ishte i ndjeshëm. Një deklarim tjetër negativ ishte ai lidhur me rishikimin e së drejtës gjermane të azilit. Reagimet e shumta negative që krijoi e detyruan Merz të mohonte veten qysh të nesërmen, por dëmi tani ishte  bërë. Ndonëse avantazhi i madh krahasues i tij është kompetenca në fushën e liberalizmit konservator ekonomik, kjo nuk ngriti peshë, sepse me gjithë problemet ekzistuese në disa fusha, në nivelin makroekonomik, gjatë qeverisjes Merkel, Gjermania ka njohur lulëzim dhe begati ekonomike, është përgjysmuar papunësia, ekonomia ka vazhduar të rritet në mënyrë të qëndrueshme etj. Së fundi dhe më e rëndësishmja, ndryshe nga Merkel, Merz kërkonte spostimin e CDU-së më djathtas. Mirëpo, me gjithë nevojën për ndryshim, kjo e trembte shumicën e CDU-së. Sepse vërejtjet e tyre ndaj Merkel kishin të bënin kryesisht me qëndrimin e saj ndaj krizës së azilit në vitin 2015, kur ajo lëshoi deklaratën problematike “Ne do t’ia dalim”! (Wir schaffen dass). Ndërsa për ndryshime të tjera, shumica në Gjermani thonë “Nein, danke!” ( jo, faleminderit).

Fituesja  56-vjeçare Annegrete Kramp Karrenbauer, ose zonja AKK, siç i referohen shkurt në media, shkoi në fushatë me shumë avantazhe si në aspektin familjar, edhe politik. E rritur në një familje të madhe, bashkëshorte dhe nënë e tre fëmijëve, katolike e zellshme, mbrojtëse e familjes tradicionale, me këmbë në tokë, ose “njëra nga ne”  sikurse mendon shumica e elektoratit. Me një përvojë qeveritare të pakrahasueshme me dy konkurrentët e tjerë; në periudhën 2000-2011 mbuloi katër portofole ministrore, të punës, familjes, rendit dhe shëndetësisë, ndërsa nga viti 2011 deri sivjet ishte kryeministre e Landit Saarland. Në zgjedhjet e 2017-ës në atë land CDU fitoi 40 për qind ose numrin më të madh të të votave, falë AKK që është “makinë zgjedhore”. Në shkurt të këtij viti, me propozim të Merkel, ajo u zgjodh sekretare e përgjithshme e CDU-së, kësisoj njeh më mirë edhe ingranazhet e makinerisë së CDU-së si në nivel lokal, edhe federal.

Ajo njihet si mbështetëse e vijës centriste të Merkel, ndaj i referohen si “Mini-Merkel”, “Merkel bis”, “Merkel e Saarland” etj.. Megjithatë, kjo nuk rezultoi ndonjë pengesë apo minus për zonjën AKK, falë dhe fleksibilitetit të saj dhe fushatës pa gabimin më të vogël. Aludimeve si e “përkëdhelura” e Merkel, ajo iu përgjigj qartë se “nuk ka qenë asnjëherë në jetën e saj e përkëdhelura e askujt, madje as e nënës së vet, por dhe se nuk mund të ndahet në mënyrë artificiale nga liderja emblematike e ÇU-së dhe Gjermanisë”. Ndërkohë, pa mohuar vijën merkeliste, zonja AKK bëri disa propozime alternative për shmangien e mungesave dhe mangësive dhe rinovimin e CDU-së, sidomos lidhur me ashpërsimin e masave ndaj azilantëve të paligjshëm. Në debatet e shumta gjatë muajit nëntor në të tetë rajonet mes mijëra delegatëve, ajo kërkoi t’u jepej fund grindjeve të brendshme, CDU-ja të hapej më shumë ndaj diskutimeve në parti dhe të udhëheqin së bashku. Ndërkohë, kërkoi të diskutoheshin tema të reja, me përgjigje të reja dhe jo të mbeteshin në hullitë ku duan populistët dhe ekstremistët. Së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, ndryshe nga 20 vite më parë, kur ishte “parti burrash”, falë kontributit të Merkel, sot CDU-ja dhe lidershipi i saj mbizotërohet nga vajza dhe gra, si  në nivel federal, ashtu edhe lokal. Kjo i shtoi pluset për zonjën AKK, duke krijuar kështu për herë të parë në historinë e asaj partie me Merkel një duo politike të djathtë të spikatur zonjash. Falë këtyre avantazheve, zonja AKK kryesoi vazhdimisht sondazhet, madje me një diferencë mbi 10 për qind ndaj Merz, ndjekësit të saj më të afërt. Kulmin e arriti me fjalën e saj, që ngriti peshë të 1001 delegatët në Hamburg.

Zgjedhja e saj në krye të CDU-së është mirëpritur menjëherë brenda dhe jashtë Gjermanisë. Ajo jep siguri dhe garancitë e duhura për ecurinë e CDU-së si partia më e madhe gjermane që ka udhëhequr proceset historike në qeverisjen e vendit, në skenën ndërkombëtare dhe ribashkimin evropian, duke drejtuar vendin për 50 nga 70 vitet e pasluftës. Ripërtëritja e forumeve drejtuese do të bëjnë që CDU-ja e Adenauer, Kohl dhe Merkel ta rimarrë veten dhe të vazhdojë të mbetet forca drejtuese e qendrës së djathtë në Gjermani dhe në Evropë. Është një ogur i mirë edhe për zgjedhjet e ardhshme evropiane, sfida më serioze për forcat demokratike të moderuara.

Por edhe pas tyre, do të jenë zgjedhjet lokale në tri lande me plot të panjohura, në një kohë kur dhe SPD-ja në tatëpjetën e saj të pandalshme pas këtyre ngjarjeve madhore ka gjasa të dalë nga koalicioni, duke çuar në fundin e mandatit Merkel dhe në zgjedhje të reja të parakohshme. Gjithsesi, edhe në skenarin më të zymtë, CDU-ja gjermane me zonjën AKK në krye nuk do të “vuajë” më për kandidaten e re për kancelare.

Rrjedhojë tjetër pozitive është se koalicioni qeveritar me Merkel në krye mund të vijojë të punojë, ndonëse mes turbullirash politike, ndoshta deri në fund të mandatit në vitin 2021, të paktën i çliruar nga debatet shterpë dhe grindjet e brendshme që kanë çuar ujë në mullirin e populistëve. Kjo është tejet e rëndësishme, sidomos në aspektin ndërkombëtar, ku Gjermania dhe Merkel do të vijojë të luajë rolin e saj me një mbështetje dhe më efikase të lidershipit të CDU-së.

Zgjedhja e zonjës AKK është pritur mirë sidomos Francë, kjo ngaqë veç të tjerash, ajo është frëngjishtfolëse dhe ka qenë për vite në drejtim të forumit franko-gjerman. Vijueshmëria e koalicionit të kryesuar nga Merkel është shumë e dëshiruar dhe për rajonin/vendin tonë, sidomos tani kur përballemi me sfida të mëdha. Ndihma prej 164 milionë euro që qeveria gjermane na akordoi disa ditë më parë është shembulli më i freskët, por jo i fundit i kontributit gjerman.

Po aq e rëndësishme, dueti i ri politik Merkel-AKK shton besimin dhe mundësitë që Procesi i Berlinit, që vetë Merkel inicioi katër vite më parë të vijojë dhe konkretizohet në mbështetje të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe anëtarësimit në BE.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.