AKTUALITET

AKEP do të mbyllë të gjitha web-et që nuk regjistrohen

14:54 - 10.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të gjitha webet apo portalet që funksionojnë në Shqipëri dhe që janë të hapura brenda apo jashtë vendit do të regjistrohen nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike. Në kuadër të paketës antishpifje, qeveria ka parashikuar të bëjë edhe disa ndryshime në ligjin “Për komunikimet elektronike” dhe nëpërmjet të cilave synon të vendosë rregulla për funksionimin e gjithë tregut të mediave online që funksionon në vendin tonë. Ndër ndryshimet që propozohen të bëhen në ligjin në fjalë parashikohet AKEP do jetë institucioni që do të administroi domenet cc.TLD.al, nëndomenet e tyre dhe gjithçka që ka të bëj me veprimtarinë e tyre dhe zbatimin e normave ligjore. Për të arritur këtë qëllim AKEP do të krijojë një regjistër të përditësuar, bazë të dhënash (database) për domain nën “.al” dhe nën domain-et “.com.al, .org.al dhe .net.al” .mil.al, .edu.al për të gjithë poseduesit persona fizikë dhe juridikë, të cilët janë të regjistruar në regjistrat tregtarë dhe çdo regjistër tjetër të shtetit shqiptar.




Gjithashtu AKEP do të krijojë edhe një regjistër të dytë dhe të veçantë, duke krijuar një bazë të dhënash, për domen jo nën.al, për të gjithë poseduesit persona fizikë dhe juridikë, ofrues të shërbimeve të publikimeve elektronike. Pra, bëhet fjalë për ato domene që, pavarësisht se funksionojnë në Shqipëri, nuk janë hapur këtu, por në një vend tjetër. Ndërkohë që të gjitha institucionet, strukturat, organet apo çdo entitet tjetër që administron, mban e menaxhon informacion referuar pikave më sipër në këtë nen, është i detyruar të bashkëpunojë me AKEP për dhënien/marrjen e këtij informacioni të nevojshëm me qëllim mbarëvajtjen me efekasitet të këtij procesi. Ndërkohë që me kërkesë të organeve të tatim taksave, apo të çdo organi tjetër të ngarkuar nga legjislacioni që zbatohet në Shqipëri, AKEP kryen procedurat deri në mbylljen e domeneve, nëse poseduesit e tyre nuk janë të regjistruar sipas ligjit për ushtrimin e veprimtarinë së tyre ekonomike/tregtare që realizojnë përmes domeneve. Një përcaktim ky që detyron që çdo web apo portal që nuk është hapur në Shqipëri, por funksionon brenda vendit, të regjistrohet dhe të zbatojë të gjitha detyrimet ligjore, përfshi këtu edhe ato që kanë të bëjnë me administratën tatimore. Në të kundërt AKEP në bashkëpunim me institucionet e tjera pasi bën verifikimet përkatëse mund ta mbyllë funksionimin e tij. Ndërkohë që të gjithë poseduesit persona fizikë dhe juridikë, për domen nën “.al” dhe nën domenet “.com.al, .org.al dhe .net.al” .mil.al, .edu.al detyrohen të hapin rubrikën e raportimeve/dërgimit të ankesave për çdo subjekt/palë të interesuar. Nga ana e tij AKEP, nëpërmjet një Rregulloreje të veçantë do të përcaktojë rregullat e detajuara për bashkëpunimin dhe komunikimin ndërmjet institucioneve publike, njoftimet dhe zbatimet e vendimeve të KA dhe AMA si dhe në zbatim të parashikimeve specifike të këtij neni.

Projektligji

Neni 1
Në nenin 3, pas pikës 23 shtohen pikat 23/1 dhe 23/2 me këtë përmbajtje:
“23/1. Ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike” është personi fizik ose juridik, i regjistruar në regjistrin e ofruesve të publikimeve elektronike, që ofron shërbime të publikimit elektronik.”
23/2 1 “Publikimi elektronik” përfshin por nuk kufizohet në programe/publikime, përmbajtja e të cilave, nëpërmjet internetit, transmetohet/publikohet në mënyrë ditore ose periodike, nga ofruesit e publikimeve elektronike, me qëllim informimin, argëtimin dhe edukimin e publikut.”
Neni 2
Në nenin 8, shkronja k) dhe shkronja rr) ndryshohen si më poshtë vijon:
“k) administron domen cc.TLD.al, nëndomenet e tij, si dhe përcakton me rregullore të posaçme rregulla të hollësishme për metodologjinë, pagesat, procedurën dhe mënyrën e menaxhimit të këtij shërbimi në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare”
rr) merr masat, që sipërmarrësit e rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike të zbatojnë detyrimet, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të vendit, të sigurisë publike edhe në rast lufte apo gjendje të jashtëzakonshme, si dhe të garantojnë të drejtat dhe liritë themelore të individit si dhe çdo detyrim të parashikuar në kuadrin ligjor në fuqi në RSH;
Neni 3
Pas pikës 2 të nenit 12 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:
“3. AKEP-i bashkëpunon me AMA në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe dispozitave të tjera nënligjore si dhe siguron zbatimin e vendimeve të Këshillit të Ankesave dhe organeve të tjera të AMA duke detyruar ofruesit e shërbimeve të aksesit ne internet të zbatojnë aktet/vendimet përkatëse të këtyre autoriteteve sipas afateve dhe procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
 Neni 4
Pas nenit 14 shtohet neni 14/1 me këtë përmbajtje:
1. AKEP administron një regjistër të përditësuar, bazë të dhënash (database) për domen nën “.al” dhe nën domen-et “.com.al, .org.al dhe .net.al” .mil.al, .edu.al për të gjithë poseduesit persona fizikë dhe juridikë, të cilët janë të regjistruar në regjistrat tregtarë dhe çdo regjistër tjetër të shtetit shqiptar
2. AKEP administron një regjistër të përditësuar, bazë të dhënash (database), për domen jo nën.al, për të gjithë poseduesit persona fizikë dhe juridikë, ofrues të shërbimeve të publikimeve elektronike, të cilët janë të regjistruar në regjistrat tregtare dhe çdo regjistër tjetër të shtetit shqiptar.
3. Të gjitha institucionet, strukturat, organet apo çdo entitet tjetër që administron, mban e menaxhon informacion referuar pikave më sipër në këtë nen, është i detyruar të bashkëpunojë me AKEP për dhënien/marrjen e këtij informacioni të nevojshëm me qëllim mbarëvajtjen me efekasitet të këtij procesi.
4. Me kërkesë të organeve të tatim taksave, apo të cdo organi tjetër të ngarkuar nga legjislacioni, AKEP kryen procedurat deri në mbylljen e domaineve, nëse poseduesit e tyre nuk janë të regjistruar sipas ligjit për ushtrimin e veprimtarinë së tyre ekonomike/tregtare që realizojnë përmes domeneve.
5. Të gjithë poseduesit persona fizikë dhe juridikë, për domen nën “.al” dhe nën domen-et “.com.al, .org.al dhe .net.al” .mil.al, .edu.al detyrohen të hapin rubrikën e raportimeve/dërgimit të ankesave për çdo subjekt/palë të interesuar.
6. AKEP, nëpërmjet një Rregulloreje të veçantë vendos rregulla të detajuara për bashkëpunimin dhe komunikimin ndërmjet institucioneve publike, njoftimet dhe zbatimet e vendimeve të KA dhe AMA si dhe në zbatim të parashikimeve specifike të këtij neni.
Neni 5
Në Kreun III, të nenit 137, pas pikës 2, shtohet 2/1 me këtë përmbajtje:
2/1 Nëse ofruesit e shërbimit te? komunikimeve publike nuk zbatojnë urdhrat/vendimet e AKEP që lidhen me zbatimin e akteve/vendimeve të Këshillit të Ankesave dhe të AMA apo të nxjerra nga çdo organ tjetër me kompetenca ligjore në këtë fushë, sipas nenit 4 të këtij ligji.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.