KULTURË

‘Broadway i Tiranës’, si jetohej në rrugën e famshme…

15:45 - 10.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rezarta Delisula – Ajo ishte rruga më e bukur në Tiranë, jo sepse kishte ndonjë objekt historik me shumë vlera, apo vitrina shumëngjyrëshe, por kishte plot të rinj, mbushur me dëshirën për të jetuar mirë, e që njihnin botën përtej Adriatikut mes librave që i kalonin dorazi. Aty lindnin miqësi, dashuritë mes të rinjve, rriteshin shpresat… Po flasim për ‘Brodway’-n e Tiranës, që gazetari e publicisti Bedri Alimehmeti ka sjellë për lexuesit, treguar në një formë të thjeshtë, mbushur me emra e data, personazhe realë të asaj rruge rinore.




Si lindi libri ‘Broadway’ i Tiranës?
Jo e rastësishme qe lindja e tij. Gjithsesi duhet thënë se, fillesa e librit është ajo poezi e shkurtër me titull “Djemtë e Broduejt”, të cilën e kisha shkruar në ato vite të largët dhe që tashmë është në libër. Faktikisht e pata harruar, aq më tepër që në atë kohë ishte e pabotueshme e madje po të të gjendej do kishte pasoja. Kështu kishte mbetur ajo poezi harruar nëpër letrat e mia. Ndërkohë në vitin 1993 në 30-vjetorin e maturës së parë dalë nga gjimnazi “Sami Frashëri”, shokët më ngarkuan të mbaja fjalën e rastit, ku ndër të tjera përmenda ‘Broduejn’, të cilin për shkak të vendndodhjes ne arrinim ta “shkelnim” më shumë. Pas kësaj një ditë teksa sistemoja në tryezën e punës më ranë në dorë letrat e fjalës që kisha mbajtur. E lexova dhe menjëherë u ula në makinën e shkrimit, nga ku u ngrita vetëm pasi kisha përfunduar kapitullin e parë që tashmë është në libër. Po atë ditë e dërgova në një periodik letrar (ishin të shumtë në vitet e parë të pluralizmit), ku të nesërmen u botua. Miq e shokë pasi e lexuan më nxitën të vazhdoja. Dhe unë vijova ta shkruaj “Broduejn e Tiranës”, fragmentet e të cilit i kam botuar herë pas here. Madje në libër kam qartësuar arsyet e vonesës së botimit të librit, që është i 19-ti në radhën e librave që mbajnë firmën time.

Autori Bedri Alimehmeti

Kujt i adresohet ky libër?
Sigurisht i drejtohet djemve dhe vajzave jo vetëm të Tiranës të viteve 60-të të shekullit të kaluar, tashmë në moshë mbi 65 vjeç, disa prej të cilëve nuk janë më, të tjerë kanë emigruar, pa harruar që janë bërë gjyshër e gjyshe. Pa dyshim që u drejtohet edhe të rinjve të sotëm, për të mësuar e ditur më shumë për jetën e prindërve të tyre, që edhe pse në kushtet e të jetuarit e shkollimit në një vend diktatorial, izoluar totalisht nga bota perëndimore, arritën të ia dilnin mbanë, të ecnin në të njëjtin hap me bashkëmoshatarët e tyre në Europë e në SHBA, të cilët guxuan të sfidojnë diktaturën në forma të ndryshme, e deri me emërtimin e rrugës, ku ata kalonin mbrëmjet. Ndaj jo më kot librin ua kam dedikuar dy vajzave të mia Albës dhe Earlës.

Hyrja në rrugën ‘Broadway’

Si u bë kjo rrugë, ‘rruga e rinisë’?
Krejt natyrshëm. Më lart thash që ne ishim maturantët e parë të “Samiut”, tre vitet e parë të gjimnazit i patëm kryer te “10 Korriku” sot “Sinan Tafaj”, përpos që si shumë të tjerë edhe banonim jo shumë larg, pra në mëhallat rrotull saj. Aty mblidheshin miqtë e shokët tanë futbollistët e Tironës, të cilët diku aty te “Vjosa” kishin magazinën e furnizimit me materiale sportive, si dhe pas stërvitjeve mblidheshin te dyqani i profesorit të tyre seleksionerit të njohur Xhavit Demneri, aty afër ishin reklamat e kinemave, teatrit, operës, estradës etj., ishin pastiçeritë, birraritë, MAPO e madhe, pa harruar që ajo rrugë ishte arteria kryesore ku derdheshin djemtë e pashëm e vajzat e bukura nga të katër anët e Tiranës, nga ku nisnin xhiron e famshme tashmë të harruar të Tiranës.

Personazhet në të janë realë e kjo e bën shumë interesant. A kanë nisur komentet e para?
Sigurisht që kanë nisur. Përgëzimet e urimet e parë m’i kanë dhënë shokët e miqtë e mi të atyre viteve të paharruar, të cilët janë personazhe në libër. Dhe domosdo reagimet e tyre më bën të ndihem mirë. Madje, bashkëshortja e njërit prej tyre, që e kishte lexuar librin me një frymë, më tha se gjatë leximit ishte përlotur disa herë. Natyrisht ky fakt më emocionoi jo pak. Ndërkohë dua t’u drejtohem me këtë mesazh lexuesve: MERRENI LIBRIN TIM LEXOJENI, PO NUK JU PËLQEU MA SILLNI UNË JU KTHEJ PARATË DHE JU JAP NJË KAFE.

Djemtë e Broadway në vitet 60 ulur te vitrinat e dyqanit të luleve

Një pjesë e librit i kushtohet vajzave të qytetit. Kush ishin këto që ju i quani miss-e?
Ato ishin të jashtëzakonshme, të shumta, të veçanta në sharmin e në rezëtitjen e yllësisë të bukurisë së tyre. Pa diskutim misse. Dhe mbi gjithçka ishin totalisht bio. Fatkeqësi që në ato vite nuk lejoheshin konkurset e bukurisë. Portretizimin e tyre ekzakt them se e kam thënë në një poezi, që ndodhet në libër.

A lindën dashuri në ‘Broadway’?
Shumë. Përfshi dhe të intervistuarin tuaj me bashkëshorten e tij. Dashuri të mrekullueshme të pashoqe, mveshur me koracën e fshehtësisë çka ia shtonte edhe ca më tepër bukurinë e romantizmin. Të dashuruarit e ‘Broduejt’ kishin këngën, librin dhe filmin e tyre të përbashkët, titujt e të cilëve i dinin vetëm ato, të dashuruarit e ‘Broduejt’. Disa prej tyre i kam përmend në faqet e librit. Siç është rasti i futbollistit të shquar të Tironës legjendarit Fatmir Frashëri me zonjën Mira Përmeti miss i pashpallur i atyre viteve. Apo dy Gitat e Tiranës etj.

Broadway në vitet ‘60

Po revolta?
Kam përmendur diçka në lidhje me “goglat përplasëse”, që u ndaluan nga policia. Por më së shumti broduistët revoltën e tyre e shprehnin në shkallët e stadiumit e të pallatit të sportit kur luante Tirona. Ndonëse jo pak prej tyre edhe janë ndëshkuar. Në ato vite regjimi diktatorial ishte në kulmin e egërsisë së tij.

Si u shpërbë Broadway?
E dhimbshme. Për të ardhur keq. Nuk di ç’të them. Nisi me gropën e famshme, vijoi me rrafshimin e MAPO-s, e me radhë rreth 75 % të ndërtesave në të dy anët e saj nuk janë më. ‘Broduej’ nuk ka më dalje në sheshin “Skënderbej”. Tirana ka humbur një pjesë të rëndësishme madje dukurin vërtet më origjinale në memorien e saj.

Nostalgji apo trishtim për atë çka humbën të rinjtë e aso kohe. Si do e përcaktoni?
Të dyja bashkë. Domosdoshmërish duhet përjetësuar në një obelisk a pllakë përkujtimore

A ka sot një ‘Broadway’ Tirana?
Në Tiranë jo më. Për të ardhur keq. Më dhemb në shpirt


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.