AKTUALITET

Eksperti: Ndryshimet në skemën e sigurimit të fermerëve

15:30 - 10.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Numri i personave që sigurohen në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi është më pak se 70 mijë vetë, pra sa 1/6 e atyre që publikon INSTAt-i. Eksperti i sigurimeve shoqërore, Hasan Hoxha tregon për ‘Gazeta Shqiptare’ se skema, sidomos pas vitit 2015, nuk është në funksion të përmbushjes së misionit që ka për shtimin sasior të numrit të kontributpaguesve. Ai më tej shton se kontribut paguesit që përfshihen në skemë, nuk sigurohen aq për të shtuar vitet e tyre kontributive në funksion të pensionit të pleqërisë dhe se skema e të vetëpunësuarve në bujqësi, është e kushtueshme. Hoxha thekson se duhen bërë ndryshime me kritere të plota e të qarta, që sjellin pronësinë reale të tokës; apo për kushte rigoroze për kohën dhe mënyrën e pagesës së kontributeve.




Veç anës legjislative dhe zbatimit të kritereve, a ka të tjera probleme, skema aktuale e të vetëpunësuarve në bujqësi?
Po, problemet e mësipërme nuk janë të vetmet. Aktualisht, skema ka dhe probleme të përmbajtjes apo dhe të funksionimit të brendshëm të saj. Nëse reforma e vitit 2014 e kryer në fushën e pensioneve, sipas logjikës ekonomike dhe sociale, shkon në favor të vlerësimit më të mirë të kontributeve, të plotësimit më shumë të interesave të qytetarëve, shkon në përmbushjen më mirë të misionit të skemës publike aktuale të pensioneve, njëherazi, edhe të misionit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore; duhet pohuar se këto kërkesa nuk kanë gjetur shprehjen e tyre në pjesën e skemës të të vetëpunësuarve në bujqësi. Sidomos vitet e fundit, treguesit kryesorë të kësaj pjese të skemës, janë zhvilluar në të kundërtën e asaj që pohuam më sipër.

Sa është numri i personave të siguruar dhe sa e përmbush misionin e saj kjo skemë?
Skema tani, sidomos pas vitit 2015, nuk është aq në funksion të përmbushjes së misionit që ka, në kuadrin e misionit të përgjithshëm të ISSh-së, për shtimin sasior të numrit të kontributpaguesve. Aktualisht, numri i atyre që sigurohen në skemë, është më pak se 70 mijë vetë, është sa 1/6 e atyre që INSTAT-i llogarit në marrëdhënie pune në bujqësi. Aq më tepër, pas vitit 2015, numri i kontributpaguesve, në tërësi dhe sipas disa grupmoshave, ka ardhur në rënie. Struktura e kontributpaguesve në bujqësi ka pësuar ndryshime të theksuara, aq sa mund të themi se ajo është e deformuar, sa i përket qëllimit kryesor të qenies së saj. Kontributpaguesit që përfshihen në skemë, siç tregojnë të dhënat, nuk sigurohen aq për të shtuar vitet e tyre kontributive në funksion të pensionit të pleqërisë. Për të synuar shtimin e viteve më shumë se 35, për kategorinë që ato i ka plotësuar para reformimit të skemës, apo për të shtuar vitet më shumë se 15, për ata që këtë minimum ligjor e kanë plotësuar, për të qenë përfitues i pensionit të pleqërisë.

Cilat janë përgjithësisht qëllimet e pagesës së kontributeve të fshatit nga vetë individët?
Të dhënat zyrtare, në dy vitet e fundit, tregojnë se kontribuesit e fshatit më shumë paguajnë për të “kapur” disa kushte që atyre u sjellin përfitime me kosto të ulët dhe pothuajse të menjëhershme. Për shembull, për të realizuar minimalisht 15 vite kontributive, që është dhe kushti ligjor për të qenë pjesë e skemës së pensioneve; për të plotësuar 30 vite kontributive, siç është rasti i minatorëve, kur ata i kanë plotësuar dy kushtet e tjera; për të plotësuar 30 vite kontributive grupi i I nënave me shumë fëmijë që ata të marrin të drejtën e pagesës për lejen e lindjes; për të plotësuar kushtin ligjor të përfitimit nga KMCAP-i, që kërkon të paktën, një vit pune ose një vit kontribute në pesë vitet e fundit; për të realizuar kushtin e viteve kontributive që kërkohen për të përfituar pension të reduktuar, si dhe për të tjera benefite.

Sa e kushtueshme është skema e të vetëpunësuarve në bujqësi?
Skema e të vetëpunësuarve në bujqësi, për shkak të organizimit të saj, është e kushtueshme, shpenzimet administrative për të, krahasuar me pjesën tjetër të skemës, janë gati dy herë më të larta. Nëse shpenzimet administrative vjetore për krejt skemën e sigurimeve shoqërore janë nën kufirin 2 përqind të tërësisë së shpenzimeve, shpenzimet administrative për pjesën e skemës së të vetëpunësuarve në bujqësi, të rillogaritura, presupozohen të jenë rreth dy herë më të larta. Në strukturë, shumicën dërrmuese të këtyre shpenzimeve e zënë pagat, për shkak të numrit të lartë të inspektorëve që mbulojnë këtë fushë. Më e arsyeshme do të ishte që struktura e inspektorëve të bujkut të riorganizohej, të ishte pjesë e strukturës funksionale të sigurimeve shoqërore, duke e përshtatur me organizimin e sotëm të pushtetit lokal. Për arsyet që nënvizuam më sipër, por dhe të tjera, skema aktuale për të vetëpunësuarit në bujqësi, duket e tejkaluar në kohë, paraqitet e konsumuar madje, dhe jashtë disa parametrave ligjore.

Cilat janë disa prej ndryshimeve që do të bëhen në këtë skemë?
Prej kohësh mendoj unë, është ndjerë nevoja për ndryshime ligjore të saj: për tu njesuar ajo me skemën vullnetare të sigurimeve, apo që kjo skemë të bëhej e detyrueshme, me kritere të plota e të qarta, me të gjitha variantet, ligjore dhe institucionale, që sjellin pronësinë reale të tokës; sikurse e njëjta gjë për shfrytëzimin e tokës për qëllime bujqësore si dhe për dokumentin ligjor që e vërteton këtë; apo për kritere rigoroze për kohën dhe mënyrën e pagesës së kontributeve. Sigurisht që e vlerësoj dhe variantin tjetër që është në proces miratimi, për ta mbajtur skemën kështu siç ajo është, por me kontribute nën pagën minimale ose ndryshe, me kontribute të reduktuara. Veçse, duhet të themi se edhe përfitimet, gjithashtu, do të jenë të reduktuara. Kësisoj, për nga niveli i tyre, pensionet për fermerët në të ardhmen e tyre do të ishin përsëri të kategorizuara në dy grupe: pensione urbane dhe pensione rurale. Me këto dy cilësime, kështu duhen ndërtuar, sipas meje, statistikat, profili i evidencave dhe i analizave periodike.
Sipas jush, cila është pika ku duhet të mëshohet më shumë për përmirësimin e skemës së të vetëpunësuarve në bujqësi?
Nisur nga këndvështrime të tilla, ajo që patjetër duhet konsideruar, është fakti që të fiksohen mirë nivelet e ardhshme të përfitimeve dhe në përputhje me to, edhe niveli i kontributeve, me qëllim që edhe për të vetëpunësuarit në bujqësi, qasja ekonomike të jetë më e madhe sa i përket raporteve të pensionit me kontribute dhe nivelit të pensionit social, pasi ky i fundit, tani për tani, është i barabartë me pensionin minimal të të vetëpunësuarit që sigurohet me 15 vite kontribute. Siç rezulton edhe nga të dhënat e një ankete, niveli i pensionit social ashtu sikurse dhe masa e pensionit minimal të pleqërisë, mënyra si ato sot përfitohen apo llogariten, vitet e fundit, ka qenë një arsye frenuese për pagesën e kontributeve nga ana e të vetëpunësuarve në bujqësi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.