OPINION

Jo Pons Pilatin me studentët!

07:40 - 10.12.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një strategji e përbashkët qeveri-studentë në këto momente, në rastin më të mirë është dëshirë për dialog dhe në rastin e më të revoltuarve është sprovë për larje duarsh. Premtime (imzot fjalë, o sa shumë fjalë!) për të kaluar lumin. Kërkesat studentore janë të qarta. Disa të realizueshme, të tjerat duan një hark kohor shumë të gjatë(për shembull, të dyfishosh paratë për arsimin do të thotë që, për shembull, për vitin që po vjen 2019-ën të japësh nga 282 milionë euro që Buxheti i Shtetit ka parashikuar e miratuar, në afro 600 milionë euro!). Me shumë maturi studentët nuk formojnë përfaqësi dhe u bëjnë thirrje intelektualëve të vendit t’i mbushin me argumente bindës kërkesat e tyre. Ata thjesht e ndjejnë se çfarë kërkojnë është e drejtë. Nuk dinë rrugën për t’i realizuar. Mes të drejtës legjitime dhe gati të shenjtë të tyre për një jetë më të mirë në kampuset universitare dhe për arsimim publik të lartë dinjitoz dhe qeverisë, qëndron profesorati gjysmë i korruptuar dhe treçerek abuzues i universiteteve publike. Si dhe trupa menaxhuese krejtësisht e paaftë dhe e papërgjegjshme e këtyre universiteteve. Qeveria ka në dorë një mekanizëm që nuk po funksionon fare, me “qeverinë” e arsimit të lartë te ne(senatet e universiteteve). Deri tani qeveria ka bërë spektatoren. Studentët po i protestojnë te dritarja për të marrë përgjegjësitë e saj. Dhe qeveria duhet të tregohet e përgjegjshme. Nisma e parë e menjëhershme duhet të jetë që të përmirësojë ligjin Nr. 80/2015(për të cilin mburret se është mjaft i arrirë), duke futur në të shërbimet studentore si koncept dhe si program i detyrueshëm për zbatim(ky ligj nuk ka asnjë fjalë për to!).




Shërbimet studentore(kujdesi shëndetësor, këshillat juridike, shërbimet për gjetjen e punëve sezonale gjatë të qenit student, për orientimin në punësim tek ata që përgatiten të diplomohen, etj.etj.) janë lënë në mëshirën e fatit dhe askush nuk përgjigjet as për mungesën e tyre, as, atëhere kur jepen, për cilësinë mjerane dhe papërgjegjshmërinë ekstreme të atyre që e japin. Të themelojë një orë e më parë Akademinë e Shërbimeve Studentore, me një bërthamë 20-25 profesionistësh që trajnohen për më shumë. Të kërkojë ekspertë të fushës së shërbimeve studentore si trajnues për nxënësit e akademisë. Qeveria mund të dyfishojë grantin(pagesën pa kthim nga Buxheti) për kërkimin shkencor nga 366 milionë lekë (2.95 milionë euro) të vitit akademik 2017-2018 në 6 milionë euro për pjesën që ngelet nga ky vit. Dhe të shikojë me kujdes strukturat që do ta përdorin këtë fond, sepse deri tani është keqpërdorur. Kërkimi shkencor i mirëfilltë i aftëson studentët të gjejnë punësim dinjitoz për të ardhmen e tyre. Qeveria ka shumë për të bërë, në rast se kërkon realisht t’i ndihmojë studentët.

Ta nisë me një përgjigje zyrtare shkresore, njëlloj si e kanë kërkuar studentët në shkresën e tyre me shkrim dore, ku të japë një përgjigje të sinqertë e të detajuar për të tetë kërkesat e tyre. Kjo bëhet tani(për shembull, përgjysmimi i tarifave shkollore të tanishme do t’i kushtojë qeverisë vetëm 13 milionë euro grant në vit-duke filluar nga janari 2019- për të 16 universitetet publike, pasi 3.1 miliardë lekë ose 25 milionë euro janë të ardhurat që këto universitete sigurojnë nga vjelja e tarifave). Përmirësimi i kushteve të jetesës në kampuse bëhet tani dhe në vijim. Marrja seriozisht e listës së studentëve me emrat e pedagogëve që marrin rryshfet për provimet, përse jo, duke e zgjeruar atë me denoncime të tjera studentësh e prindërish të tyre, duke ngritur një grup pune të posaçëm(apo nuk i ka qejf kjo qeveri task forcat!) inspektorë të Ministrisë së Arsimit me inspektorë të Drejtorisë së Krimit Ekonomik, duke kallzuar edhe penalisht ata pedagogë, kur prindi dhe studenti bien dakord të hedhin firmën mbi denoncimin e tyre. Ndërkohë, qeveria në po këtë shkresë të shprehet se dyfishimi i parave për arsimin bëhet në një periudhë 8-12 vjeçare dhe kërkon një strategji të qartë e me veprime konkrete se ku do të investohen këto para të shtuara. E kështu me rradhë. Po nuk e bëri këtë, edhe dialogu kryeministror i sotëm me studentët nëpërmjet rrjetit social “Facebook” do t’i ngjajë trukeve të shumta të “dëshirëmirave qeveritare” me të cilat na ka përmbytur kjo qeveri-OJF gati virtuale.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.