OPINION

Një lëvizje e re studentore me përgjegjësi historike apo…

07:20 - 10.12.18 Sulejman Mato
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ashtu si rastësisht,  fillimisht me një pretendim të vogël, e më pas me katër pretendime, sërish të vogla, po lind  një lëvizje e re studentore, e shumëpritur nga të gjithë. Kjo gjë ndodh 28 vjet me vonesë. Pas përmbysjes së sistemit  të ashtuquajtur socialist rinisë studentore iu desh të flinte një gjumë për 28 vjet, e qetë e ndrydhur dhe pa asnjë ndjenjë qytetarie. Një pjesë e saj ikën jashtë atdheut, të tjerët shihnin dhe vazhdojnë të shohin se si,  për çdo ditë e për çdo vit rritet gjëma e  shkaktuar nga kaosi i liderëve të rinj dhe ligjeve të reja, të cilët e shkatërruan  këtë vend  e sakatuan jo më pak njeriun që priste  lindjen e demokracisë…




E përshëndes me gjithë zemër këtë rini të re shqiptare dhe këtë nismë të re, e cila fillimisht duket kaotike dhe pa qëllime të larta, pa lider dhe për më tepër, pa vizion… E rëndësishme  është t’ju themi,  në qoftë se kini dalë rastësisht në sheshe, vetëm për të realizuar disa kushte studentore, kthehuni sa më parë në shtëpitë tuaja dhe në kafenetë tuaja të preferuara, pasi, paratë që ju kërkoni për një arsimim falas duhet t’ia kërkoni sistemit të kaluar. Në sistemin e ri demokratik nuk ka studime falas, dhe  as që ka nevojë për një ushtri kuadrosh të ardhshme, por pa vende pune. Imagjinoni dhe ju, janë 160 mijë studentë që studiojnë sot, brenda dhe jashtë vendit, dhe nuk ka asnjë planifikim për punësimin e tyre. Problemi kryesor që ka rinia sot është punësimi pasuniversitar ose largimi përfundimtar nga vendi i tyre.

Problemet e reformës arsimore në vendin tonë  janë të agravuara nga viti në vit, të mëdha dhe të shumëanshme. Ka tre vjet që  nuk reshtin vërejtjet për përmirësimin e jetës studentore, për tekste të dobët, dhe mësimdhënie të dobët

Kështu që, dhe perspektiva e  kërkesave tuaja, të cilat ju sot i quani  të rëndësishme, nuk kanë ndonjë vlerë  për të ardhmen tuaj…Lëvizja studentore është pritur  nga ne si uji i pakët, jo për të ndryshuar jetën studentore, por, për të ndryshuar diçka në këtë vend…

Dhe ja, më së fundi ajo lindi, përmes kaosit dhe përmes disa kërkesave të cilat vijnë gjithmonë në rritje pritet të ndodhë diçka e re.

Dy pyetje të rëndësishme dalin sot përpara kësaj lëvizjeje studentore. E para, gjer ku do të shkoni…dhe sa i gjatë është hapi  juaj? Së dyti, a jini ju vërtetë ata që do t’u ngjani studentëve të dhjetorit të nëntëdhjetës, të cilët sollën ndryshimin? Në se lëvizja juaj do të jetë brenda  kërkesave të një lëvizjeje studentore, fundi i kësaj lëvizjeje duket i shpejtë, fitorja juaj do të ishte vdekja e iluzioneve  për një jetë të re dhe për një të ardhme të re…Në një shkrim në f.b.  lideri i studentëve të dhjetorit nëntëdhjetë, Shenasi Rama, profesor universiteti në Amerikë, shtron para lëvizjes suaj  dhjetë pikëpyetje. Në fund ai thekson: ”Ashtu si të silleni ju (me këtë lëvizje) ashtu do të jetë dhe brezi i ardhshëm nesër”. Shkrimtari i njohur Bedri Zenel Islami  për lëvizjen tuaj studentore nënvizon: ”Nëse kjo lëvizje nuk do të ketë pikësynime afatlargëta dhe e mbështetur nga populli, nuk do të kishte asnjë kuptim.”

Liderët e lëvizjeve dalin në çaste historike, ndaj dhe unë pres me padurim që midis këtyre studentëve dhe studenteve kaq të gjallë ta dalin student idealist, me ide  të qarta, e cila do të shndërrohet në një lëvizje politike me mbështetje nga populli.

Lëvizja juaj  duket  një lëvizje sektare. Mospjesëmarrja  dhe mospranimi i shtresave të gjëra popullore është një gabim i pafalshëm. Përzënia e protestuesve të Unazës së Re të cilët vijnë për t’ju mbështetur  me përgjegjësi qytetare ishte gabimi i parë. Në fund të fundit, siç dhe u shpreh një nga protestuesit e Unazës së re, “ata vijnë tek ju se mbështesim fëmijët e tyre” se dhe vet një nga ata  kishte vajzën student, midis jush.

Një lëvizje serioze me qëllime të caktuara, të lagëta, por me shkëputje nga masat dhe pa solidaritetin e masave  do të ketë një fund të trishtë.

Të dashur studentë, ju jini pjesa e gjallë intelektuale e një populli, ju jini  e vetmja shpresë  për një ndryshim të ri.

Me lëvizjen tuaj rinore, me kërkesa të qarta për ndryshime radikale ju sigurisht do të sillni një frymë të re në politikën 28- vjeçare, e cila i ka sjellë shumë dëme këtij vendi…Në se lëvizja juaj merr karakter politik, madje, nëse ju, ashtu si studentët e dhjetorit të vitit nëntëdhjetë, do të krijoni një parti të re, unë do të jem i pari që do të zbres në mesin tuaj dhe do të marshoj mes jush përpara kryeministrisë, si dikur në dhjetorin e atij viti të stuhishëm.

Tashmë që po shkruaj këto radhë më kujtohet dhjetë dhjetori i vitit 1990. Atë ditë isha dhe unë midis studentëve që brohorisnin, kundërshtonin qeverinë dhe kërkonin të drejta e tyre studentore. Isha dhe unë midis tyre si dëshmitar dhe protagonist si entuziast dhe dyshimtar. Isha dhe unë një ndër ata, firmëtar për krijimin e një partie të re studentore.

Mirëpo, në fytyrat e asaj rinie kishte shumë më tepër flakë zemërimi dhe shumë më tepër idealizëm…Tek shoh këtë rini të re protestuese, edhe pse  më lind dëshira dhe shpresa për ndryshime, vërej një rini ndryshe. Ajo rini e nëntëdhjetës kishte shumë  më tepër arsyeshëm më tepër idealizëm, ishin më të përvuajtur dhe më të bashkuar dhe kishin shumë më tepër motivim për krijimin e një partie të re studentore.

Sipas mendimit tim kjo lëvizje e re studentore do të përfundojë pa rezultate të dukshme, pasi   nuk ka program, as pikësynime afatlargëta   as harmoni midis anëtarëve të saj…Thirrja “Ne jemi të gjithë studentë!” nuk të thotë asgjë. Bashkimi i tyre duket si një bashkim interesash të vogla, të  rastësishme. Kjo lëvizje nuk ka kauzë të vërtetë…Pritet një lëvizje tjetër,  më e pjekur, më idealiste dhe më mbarë popullore.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.