SHËNDET

Sabian Memishaj: Si të trajtoni zgjerimin e enës kryesore të gjakut

16:50 - 10.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Duhanpirja dhe kequshqyerja janë disa prej faktorëve të rrezikshëm që mund të shkaktojnë një sërë sëmundjesh në organizmin e njeriut. Me kalimin e moshës, mund të shfaqet zgjerimi i pjesës së poshtme të enës kryesore të gjakut që e shpërndan atë në të gjithë trupin. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’ kardiokirurgu Sabian Memishaj tregon të gjithë shkaqet e sëmundjes që njihet si aneurizëm abdominal dhe pasojat që mund të jenë edhe fatale për jetën. Mjeku më tej sqaron mënyrat e diagnostikimit dhe trajtimin e sëmundjes për të gjithë pacientët e prekur nga sëmundja.




Çfarë është aneurizma e aortës abdominale?
Një aneurizëm abdominal është zgjerimi i pjesës së poshtme të aortës, e cila është ena kryesore e gjakut që e shpërndan atë në të gjithë organizmin. Meqenëse aorta është furnizuesi kryesor i organizmit me gjak, çarja e saj mund të çojë në vdekje të menjëhershme. Mbi bazën e madhësisë së aortës, si dhe mbi bazën e shpejtësisë së rritjes së saj, trajtimi mund të jetë vetëm ndjekje me skaner apo dhe ndërhyrje e menjëhershme kirurgjikale.

Mund të përmendni disa prej shkaqeve kryesore të sëmundjes?
Të qenit mashkull dhe përdorues i duhanit rrit rrezikun për aneurizëm të aortës adnominale. Gjithashtu, ata persona që kanë histori familjare për këtë sëmundje duhet të kryejnë EKO të barkut rreth moshës 60 vjeç. Femrat, të cilat nuk kanë shenja, nuk kanë pirë kurrë duhan dhe nuk kanë histori familjare nuk kanë nevojë të kontrollohen. Duhanpirja rrit rrezikun për aneurizëm të aortës. Duhani dëmton aortën dhe dobëson muret e saj. Arteroskleroza ndodh kur dhjami apo substancat e tjera depozitohen në muret e enëve të gjakut. Kjo situatë mund të rritë rrezikun për zgjerim të aortës. Tensioni i lartë mund të rritë rrezikun për aneurizëm të aortës abdominale pasi ai mund të dëmtojë dhe dobësojë muret e aortës. Aneurizma e aortës mund të shkaktohet nga sëmundje që prekin enët e gjakut dhe që krijojnë inflamacion tek to.
Infeksionet siç janë ata bakterialë ose fungal (myk), mund të shkaktojnë aneurizëm të aortës abdominale, po ashtu sëmundja shkaktohet edhe nga traumat siç janë aksidentet me makinë apo trashëgimia në familje. Aneurizmat mund të krijohen kudo përgjatë aortës. Kur formohen në pjesën e sipërme të aortës, në kraharor, ato quhen aneurizma (zgjerim) të aortës torakale. Kur aneurizmat formohen në pjesën e poshtme të aortës, quhen aneurizma të aortës abdominale.

Cilat janë simptomat e para të aneurizmës së aortës?
Aneurizma e aortës abdominale zakonisht zmadhohet gradualisht dhe pa ankesa dhe kështu është e vështirë të zbulohet. Disa zmadhohen gradualisht ndërsa disa të tjera me shpejtësi. Është e vështirë të parashikohet shpejtësia e zmadhimit të aortës. Kur aneurizma rritet disa njerëz vënë re një ndjesi pulsimi në bark; dhimbje të vazhdueshme në shpinë ose anash barkut.

Cilat janë komplikacionet kryesore të sëmundjes?
Çarja e një ose më shumë shtresave të murit të aortës (diseksion i aortës) ose ruptura (çarja e plotë e murit të aortës) e aneurizmës së aortës janë komplikacionet kryesore të kësaj sëmundjeje. Çarja e aneurizmës së aortës mund të çojë në një gjakrrjedhje të brendshme dhe në një vdekje të papritur. Sa më e madhe të jetë aneurizma aq më shpejt rritet ajo dhe aq më i madh është rreziku i çarjes së saj. Një tjetër komplikacion i aneurizmës është rreziku i formimit të kaogulave (mpiksjeve) të gjakut. Mpiksje të vogla të gjakut formohen në hapësirën e brendshme të formuar nga aneurizma e aortës. Nëse një copë e mpiksur shkëputet nga muri i brendshëm i aneurizmës, ajo mund të futet në gjak dhe të bllokojë arterie të tjera në këmbë në veshka apo në organet e barkut. Kjo mund të shkaktojë infarkt në këto organe me pasoja fatale për jetën.

Po simptomat e çarjes së aortës abdominale cilat janë?
Çarja e aortës abdominale jep dhimbje të forta dhe të menjëhershme të shpinës ose të barkut si një goditje me thikë; dhimbje që përhapen tek këmbët apo në shpinë; djersë; ndjesinë e të ftohtit; marrje mendsh; të vjella; tension i ulët; puls i shpejtë.

Si bëhet diagnostikimi i sëmundjes?
Aneurizma e aortës abdominale zakonisht zbulohet gjatë ekzaminimeve për arsye të tjera. Për të diagnostikuar aneurizmën e aortës abdominale mjeku do ju pyesë për historinë mjekësore tuajën dhe të familjes tuaj dhe do ju bëjë një ekzaminim fizik. Nëse mjeku dyshon për aneurizëm të aortës abdominale, atëherë duhen bërë disa teste për ta konfirmuar. Eko abdominale është testi më i zakonshëm për të diagnostikuar aneurizmën e aortës abdominale. Skaneri me kontrast i aortës abdominale tregon pamje të qarta të aortës dhe mund të zbulojë përmasën dhe formën e aneurizmes. Rezonanca magnetike diagnostikon aneurizmën dhe tregon saktësisht përmasën dhe vendndodhjen e saj.

Cilat janë mënyrat e trajtimit të aneurizmës së aortës abdominale?
Qëllimi i trajtimit është që aneurizma mos të arrijë deri në çarje të aortës. Opsionet janë ose monitorim mjekësor ose kirurgji. Vendimi merret në bazë të përmasës së aneurizmës së aortës dhe se me çfarë shpejtësie po rritet. Nëse aneurizma e aortës abdominale është e vogël dhe nuk shfaqen simptoma, mjeku rekomandon monitorim mjekësor që do të thotë vizita të rregullta tek mjeku për tu siguruar që aneurizma nuk po zmadhohet dhe menaxhim të sëmundjeve të tjera të cilat mund të ndikojnë në zmadhimin e aneurizmës së aortës abdominale. Me shumë mundësi mjeku rekomandon teste të vazhdueshme (MRI, EKO, CT) për të kontrolluar përmasat e aneurizmës. Shpeshtësia e kontrolleve varet nga përmasat e aneurizmës, nëse ka apo jo zmadhim të aneurizmës dhe se me çfarë shpejtësie po zmadhohet aneurizma. Nëse aneurizma e aortës abdominale është 5cm ose më e madhe, rekomandohet kirurgjia e cila gjithashtu rekomandohet në rastet kur shpejtësia e rritjes së aneurizmës është e madhe. Nëse pacienti ka simptoma të tilla si dhimbje stomaku apo ka një aneurizëm që rrjedh apo dhemb, mjeku rekomandon menjëherë trajtimin kirurgjikal. Mundësitë kirurgjikale janë kirurgji e hapur abdominale apo kirurgji endovaskulare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.