AKTUALITET

Bluzat e bardha paralajmërojnë protestën në 20 dhjetor, shkaqet

13:35 - 11.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në 20 dhjetor të këtij viti, bluzat e bardha do të protestojnë për të drejtat e tyre e kushte më të mira në vendin e punës. Ata do të mblidhen para QSUT-së dhe do të marshojnë para Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të denoncuar çdo fenomen që përdhos bluzën e bardhë, për t’u rikthyer vlerat dhe humanizmin profesioneve të shëndetësisë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Elson Jaçaj, kreu i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, njëkohësisht infermier në QSUT tregon të gjitha shkaqet që i shtynë bluzat e bardha në protestë. Ai thekson se do të kërkojnë rritje page, shpërblim çdo fundvit dhe kushte më të mira pune. Jaçaj thekson më tej se do të kërkohet verifikim i diplomave dhe licencave të punonjësve të shëndetësisë, pasi janë evidentuar raste pa licenca e madje edhe pa diplomën përkatëse, 20 prej tyre vetëm në QSUT. Kreu i shoqatës shton se Urdhri i Infermierëve, jo vetëm nuk pranon të bashkëpunojë, por penalizon infermierët.




Pse do të protestojnë bluzat e bardha në 20 dhjetor të këtij viti?
U nis si një nevojë për infermierët, pasi janë kontakti i parë me pacientin dhe kalojnë kohën më të madhe me ta. Është jo vetëm zhgënjyese, por edhe ofenduese që në fundvit të jepet një copë kartolinë shpërblim. E nisëm për një shpërblim të fundvitit, pasi çdokush e meriton.

Cilat janë disa nga kushtet e paplotësuara deri më tani që iu shtynë në protestë?
Vendosëm të kemi pikat dhe kushtet tona, ku theksohet jo vetëm rritje page (premtim vetëm në prag zgjedhjesh), por të ketë rritje page çdo vit, shpërblim për të gjithë çdo vit, siguri në punë e kushte optimale pune. Do të kërkojmë verifikimin e çdo dosjeje të punonjësve pasi ka plot të punësuar pa licenca, por edhe pa diplomën përkatëse për të cilën ushtrojnë profesionin. Do të kërkojmë statusin e punonjësit civil, ku të mos hiqemi më nga puna sa herë u do qejfi apo sa herë ndërrohen pushtetet, si dhe të mos ketë më lëvizje të brendshme të infermierëve që kanë mbi 5 vite pune në një pavion, pasi kjo nuk lejon rritjen profesionale të tyre dhe ul performancën e punës. Kërkojmë rishikimin e posteve të kryeinfermierëve që kanë gjithë jetën aty dhe të ketë konkurrim të drejtë për ta edhe me një mandat 4-5 vjet. Gjithashtu, duhet të paguhen sipas kualifikimit që kanë pasi është premtuar rritje page për ata që janë me master dhe të vlerësohen ndryshe nga të tjerët. Pra, çdokush që kërkon një post drejtues si kryeinfermier apo çdo lloj pozicioni tjetër dhe me drejtimin e UISH duhet të jetë me i kualifikuar, pavarësisht ngjyrimit politik. Kjo, pasi po u kërkohen aq shumë kualifikime infermierëve sot e kur vjen puna i ke të papunë, sërish pasi vendet mbahen vakant për kohën e zgjedhjeve.

Duhet që rritja profesionale e punonjësve të ofrohet nga vetë institucionet ku ata punojnë dhe të jetë falas, pasi ata po e kërkojnë për të mirë të tyre.
Ju keni njoftuar prej disa ditësh që do të organizoni protestë para Ministrisë së Shëndetësisë. A keni marrë ndonjë kërcënim deri më tani?
Që ditën e parë që nxorëm njoftimin, filluan presionet ndaj infermierëve, por morëm zemër kur edhe mjekët e studentët e Mjekësisë dhe Infermierisë shprehën dëshirën për të na u bashkuar, kjo si një kauzë e përbashkët në shëndetësi, pasi shëndetësia është i gjithë personeli e jo një pjesë. Jemi vendi që s’dimë ta vlerësojmë këtë profesion, këtë figurë. Pa infermieri, s’ka mjekësi; pa mjekësi, s’ka shëndet e pa shëndet, s’ka jetë.

A ndihen infermierët të nënvlerësuar në vendin e punës?
Infermierët në fakt në faqen tonë zyrtare të shoqatës dhe në takimet me ne shprehin që ndihen jo vetëm të nënvlerësuar për punën që bëjnë, por edhe të diskriminuar me mënyrën se si trajtohen në punë. S’kanë asnjë të drejtë ankese në asnjë zyrë, në asnjë institucion e përgjigja që u jepet kur kërkojnë një të drejtë është: “Mos u ankoni shumë se është bërë radha e gjatë e atyre që kërkojnë pune”, pra ushtrohet një formë presioni që nëse ankohen apo ngrënë zërin, rrezikojnë vendin e punës. Kjo i ka shtyrë infermierët të ndihen indiferentë ndaj shumë problemeve që kanë dhe mënyra që zgjedhin është heshtja. Prandaj zgjedhin të ikin, pasi jo vetëm marrin një pagë më të lartë, por edhe vlerësohen shumë më shumë se këtu si profesionistë dhe si njerëz.

Sa të kënaqur janë infermierët me pagat që marrin?
Deri sot s’kemi parë ndonjë infermier që me rrogën e tij të arrijë të blejë një makinë të mirë, një shtëpi apo diçka tjetër, ndërsa presidentët e Urdhrit të Infermierit pothuajse të gjithë kanë akses të jenë pedagogë në universitete e fakultete. Këta persona shpesh i kemi parë edhe me klinika private apo bashkëpunojnë dhe me kompani të huaja për punësimin e infermierëve e kjo i bën të heshtin para çdo problematike që kanë infermierët pasi janë të përlyer në shumë gjëra që s’duhet të ishin. E për të mos folur për Ministrinë e Shëndetësisë, e cila në çdo reformë kur është penalizuese prek infermierët e kur është stimuluese i neglizhon ata, duke mos i stimuluar as me trajnime e as me shpërblime.

Pra, sipas jush, Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë ka heshtur ndaj problematikave të infermierëve gjatë gjithë kësaj kohe?
Është për të ardhur keq që institucioni i UISH, që duhet të jetë bashkëpunues me shoqatën, pasi sipas nesh duhet të kemi të njëjtin qëllim: atë të punës dhe figurës së infermierëve bashkë me të mirat e të këqijat që ka. Fatkeqësisht UISH ka qenë në heshtje dhe indiferent ndaj penalizimit që iu bë infermierëve të sistemit të Gjenevës, ku edhe pse ne u kemi bëre shkresa, ’email’-e u kemi kërkuar takime, s’kemi marrë asnjë reagim.

Si është zgjidhur problemi i personave që ishin diplomuar për infermiere/mami, por licencën e merrnin vetëm për mami?
Dua të flas për rastin e mbi 300 mamive që u penalizuan për licencimin dhe punësimin në portal, sepse në diplomë cilësoheshin infermiere/mami dhe në licencë vetëm mami. Kjo i skualifikonte automatikisht jo vetëm këtu, por dhe për t’u punësuar jashtë. Na u desh të bënim takim me këta studentë, t’i bënim shkresë e ta bënim mediatike derisa Urdhri u detyrua të ndryshojë emërtimin nga vetëm mami në infermiere/mami.

Ju pak më lart deklaruat se një prej kërkesave do të jetë verifikimi i diplomave të të punësuarve. Keni konstatuar raste punonjësish pa arsimin përkatës?
Në takimin e fundit (apo debatin e fundit që kishim me UISH) në lidhje me infermierët, pranoi që ka infermierë që ushtrojnë profesionin jo vetëm pa licencë, por edhe pa diploma të profesionit jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe, ku rreth 22 të tillë janë vetëm në QSUT. Në fakt, ne nuk mund të lejojmë më të abuzohet me infermierët dhe së bashku me mbështetësin tonë kryesor për problematikat e infermierëve CRL-AL (Qendra për të drejtat në punë) do të nisim një verifikim për këto raste abuzive. Gjithashtu, do të kërkojmë transparencë mbi zgjedhjet që po manipulon Urdhri dhe ku shkojnë gjithë këto fonde që merren nga infermierët, pasi asnjë nuk është çuar për trajnim jashtë nga UISH dhe pse ka detyrim të çojë infermierët për trajnim jashtë. Gjithashtu, një tjetër problem është mospagesa e praktikave profesionale të infermierëve, pra kur ne marrim studentë në praktika UISH ka detyrim të paguajë infermierin që mëson studentin. Edhe trajnimet apo konferencat që UISH bën me ligj duhet t’ua u ofrojë falas infermierëve, pasi ai është institucioni që kërkon rritjen profesionale të tyre dhe për sa kohë infermierët paguajnë detyrimet ndaj UISH dhe ky i fundit ka detyrim t’u ofrojë shërbim infermierëve. S’e kuptojmë qëllimin e këtij institucioni që jo vetëm nuk pranon të bashkëpunojë, por përkundrazi penalizon infermierët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.