SHËNDET

Si t’i zgjidhni problemet e pagjumësisë dhe të lodhjes kronike

13:16 - 12.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shumica e njerëzve në kohën e sotme, të cilët kanë fatin të punojnë dhe të kenë të ardhura, nuk flenë sa duhet, kanë treguar disa studime. Sipas këtyre hulumtimeve, vetëm çdo i dhjeti person i hemisferës perëndimore fle sa duhet, ndërsa arsyet për këtë janë të shumta. Si t’i shmangim apo t’i largojmë gjithë ato gjëra që na e pengojnë gjumin dhe në fund të mësojmë të flemë shëndetshëm? Ju sjellim disa këshilla të mira.




Para gjumit
Edhe pse për ndikimin e ushqimit që e konsumojmë para gjumit në peshën trupore ende diskutohet (disa pohojnë që i kontribuon trashjes, të tjerët pohojnë që nuk është ashtu), një gjë është e sigurt – ngrënia e tepërt para shkuarjes në shtrat me siguri nuk do t’i ndihmojë gjumit kualitativ. Mos hani vakte të bollshme të paktën tri orë para se të shkoni në shtrat, e nëse jeni shumë të uritur, hani diçka të shëndetshme, si karota të freskëta. Njëjtë kështu, nuk është nevoja aspak të shpenzohen fjalët për domosdoshmërinë e shmangies së pijeve të ëmbla energjetike, si atyre me kafeinë. Gjithsesi shmangeni dhe alkoolin. Edhe pse konsumimi i tij do të ndihmojë të flini më lehtë, alkooli do të dehidrojë trupin tuaj dhe do të shkatërrojë seriozisht kualitetin e gjumit. Sigurohuni që hapësira në të cilën flini të jetë e ajrosur mirë para gjumit dhe sipas mundësisë pa ndonjë pajisje të ndezur elektronike. Po kështu, do të ishte ideale të flini në errësirë të plotë. Temperatura optimale e dhomës në të cilën flini nuk duhet të kalojë 16 gradë në dimër.

Disponimi i duhur
Arritja e gjendjes adekuate të vetëdijes para gjumit është kyç për gjumin kualitativ. Largoni nga mendja të gjitha brengat që ju shqetësojnë dhe mos e lodhni veten me përpilimin e listës të obligimeve për ditën e ardhshme pasi që jeni shtrirë, transmeton. Nëse nuk mundeni kurrsesi të relaksoheni, zgjatuni mirë dhe bëni një dush të ngrohtë në shoqëri të muzikës relaksuese. Shmangni ushtrimet para shkuarjes në shtrat, pasi që ato do t’ua shtojnë vigjilencën. Nëse nuk arrini të flini, mos e ngarkoni veten me atë gjë – relaksohuni me leximin e librit të preferuar.

Pozicioni i trupit dhe zgjedhja e dyshekut
Sipas hulumtimeve të përmendura më lart për kualitetin e gjumit, madje 40 për qind e personave të rritur kanë probleme me shpinën të shkaktuara nga përzgjedhja e keqe e dyshekut dhe jastëkut si dhe pozita e keqe e trupit gjatë kohës së gjumit. Nëse keni supe të gjera dhe preferoni gjumin në ije apo në krah, zgjidhni jastëk të fortë dhe të përshtatshëm në aspektin anatomik, që qafa juaj të jetë në pozitën më të shëndetshme gjatë kohës së gjumit. Produktet nga shkuma apo sfungjeri memorik po ashtu janë ide e mirë, pasi që do t’i mundësojnë mbështetje shtesë kokës suaj. Përfundimisht, dysheku i fortë ka rëndësi të jashtëzakonshëm për gjumë të shëndetshëm nëse keni ndonjë kilogram të tepërt – fjetja në dyshek të butë mund t’ua lëndojë shpinën për kohë të gjatë. Pozita më e shëndetshme e fjetjes është ajo fetale. Duke fjetur në stomak krijohet presion në pjesën e poshtme të shpinës, që herët a vonë çon deri te dhimbja e sikletshme.

Çarçafët
Çarçafët janë pjesa të cilës nuk i kushtohet shumë kujdesi i njëjtë si dyshekëve dhe jastëkëve, por nuk janë fare më pak të rëndësishëm për gjumin kualitativ. Çarçafët me trashësinë, llojin, materialin dhe mënyrën se si janë punuar duhet t’i përshtaten stinës aktuale. Nëse zgjoheni shpesh të djersitur gjatë natës, zgjidhni ata që reagojnë në temperaturën tuaj trupore. Të tillat janë zakonisht më shtrenjtë, por janë investim i shkëlqyer për gjumë të mirë. Trupi ynë me djersitje mesatarisht humb edhe deri në gjysmë litri ujë gjatë natës, për ç’arsye është jashtëzakonisht e rëndësishme të flini në hapësirën me qarkullim të ajrit të freskët, veçanërisht nëse më shumë ju flihet në dhomë me sipërfaqe më të vogël. Nëse flini edhe me dikë tjetër në shtratin e njëjtë, madhësia e dyshekut le të jetë sa më e madhe që mundet, transmeton. Pavarësisht miteve urbane, dyshekët e mëdhenj do ta ndihmojnë kualitetin e gjumit të partnerit dhe juve, por nuk do ta vrasin romantikën. Në fund, mos harroni të paktën çdo dy javë të lani çarçafët në 60 shkallë për ta larguar problemin e merimangave dhe pluhurit.

Zgjimi!
Zgjimi çdo mëngjes në kohë të njëjtë është mënyrë e shkëlqyeshme të stabilizoni shprehitë tuaja të gjumit dhe bioritmin. Nëse flini shumë pak gjatë ditëve të punës, ndryshojeni orarin tuaj ditor, dhe mos tentoni ta kompensoni gjumin me qëndrimet shumë të gjata në shtrat gjatë vikendit, pasi që ato do ta çrregullojnë edhe më shumë. Nëse jeni një nga ata persona që kanë probleme me zgjimin, shfrytëzojeni më mirë alarmin duke e kurdisur orën ose telefonin kur duhet të ngriheni nga shtrati dhe jo thjesht të shtypni “snooze”. Nëse është e mundshme, menjëherë pas zgjimit ndizni radion ose lajmet në televizor që t’ju zgjohet edhe mendja. Dhe në fund, nëse jashtë ka dritë të ditës, gjithsesi lëreni të depërtojë në dhomë e nëse nuk është e mundshme, ndriçoni dhomën maksimalisht derisa të zgjoheni.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.