KULTURË

Tole, Qerimaj e Zaganjori tri kompozime për Skënderbeun

18:10 - 12.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministria e Kulturës organizon dhënien e çmimeve të “Konkursit Mbarëkombëtar të Krijimtarisë Muzikore” në zhanret e mëdha të muzikës skenike: opera, balet dhe muzikal. Konkursi u çel në kuadër të vitit 2018, shpallur nga qeveria shqiptare “Viti mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut”, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Veprat dhe kompozitorët konkurrues do të mund të ndiqen në natën e ndarjes së çmimeve në ‘ArTurbina’ në datën 14 dhjetor – ora 19:00.




Vasil S. Tole
Tole merr pjesë në konkurs në zhanrin e muzikës skenike. Vasil S. Tole – Opera Solemne – Skënderbeu Kryezoti i Arbrit me libret të Theofan Stilian Nolit dhe Vasil S. Tole. Tole diplomohet për kompozicion në Fakultetin e Muzikës, pranë Akademisë së Arteve, në Tiranë, më 1987, në klasën e prof. Kozma Larës. Mban titullin profesor dhe akademik pas një sërë studimesh dhe doktoraturash në fushën e etnomuzikologjisë: studime pasuniversitare në kompozicion pranë “Folkwang Hochschule”, Essen-Gjermani, në klasën e prof. Wolfgang Hufschmidit si dhe studime pas doktoratës në Departamentin e Muzikologjisë pranë Universitetit të Athinës, Greqi. Karriera e tij kap një gamë të gjerë të një veprimtarie studimore dhe publicistike, me pjesëmarrje në shumë festivale, konferenca dhe tryeza për muzikën në Shqipëri dhe jashtë saj. Përfaqësues aktiv i brezit të ri të kompozitorëve shqiptarë, Vasil S. Tole është nismëtar i alternativave të reja krijuese dhe si një ndër mbartësit më të vendosur të konceptit të ristrukturimit të lëndës muzikore folklorike shqiptare, në dobi të gjetjes së identitetit dhe risive në muzikën bashkëkohore. Fitues i disa çmimeve të rëndësishme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, fitues i çmimit të parë të kompozimit “Dimitris Mitropoulos”, Athinë 2001, me operën “Eumenidet”. Pas viteve ’90 bëhet nismëtar i themelimit dhe drejtimit të disa organizmave të rëndësishme muzikore, si: ODEA, Akademi e Artit dhe Trashëgimisë. Karriera e tij shënon postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, si dhe ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Në vitin 2005, si ekspert i etnomuzikologjisë përgatiti dosjen e polifonisë me iso të Shqipërisë së Jugut, e cila u shpall nga UNESCO si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”.

JETMIR ZAGANJORI
Zaganjori merr pjesë në konkurs në zhanrin e muzikës skenike me baletin “Ballkan Exspres” me libret të Stefan Çapalikut. Kompozitori ka lindur në Shkodër në vitin 1994. Fillimet e jetës muzikore ishin në instrumentin e pianos në moshën 6-17 vjeçare në Liceun Artistik “Prenkë Jakova”, Shkodër. Në vitin 2012 fillon studimet e larta në Bachelor në Fakultetin e Muzikës pranë Akademisë së Arteve, në klasën e prof. Vasil S. Tole. Në vitin 2014 merr pjesë në dy koncertet e studentëve të kompozicionit, ku paraqitet me variacione për piano me përpunimin e temës popullore “Dashnor t’u bana” dhe “12 variacione”. Në vitin 2015, në koncertin e shkollës paraqitet me veprën korale “T’u qajë nëna me radhë”. Në po të njëjtin vit fillon studimet e masterit me prof. Vasil S. Tole, të cilat i përfundon në vitin 2018. Veprën e tij së bashku me kompozitorët e tjerë konkurrues ju ftojmë t’i ndiqni në natën e madhe të ndarjes së çmimeve në ‘ArTurbina’, në datën 14 dhjetor – ora 19:00.

FATOS QERIMAJ
Qerimaj merr pjesë në konkurs në zhanrin skenik të baletit me pjesën “Jehona e Skënderbeut” me libret të Petrit Rukës. Fatos Qerimaj vjen nga një familje muzikantësh të njohur shqiptarë, që kanë luajtur një rol pozitiv në kultivimin dhe përhapjen e artit dhe kulturës muzikore të Shqipërisë. Qerimaj është diplomuar në klarinetë si dhe ka ndjekur studimet në kompozicion me profesor Çesk Zadeja në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, Shqipëri në vitin 1982. Mban titullin profesor dhe aktualisht punon si pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Fatos Qerimaj ka një karrierë shumë të pasur artistike jo vetëm në koncerte solistike në klarinetë, por edhe si kompozitor. Ka realizuar disa koncerte solistike me orkestrat si Radio Televizioni Shqiptar dhe në Kroaci me Orkestrën Simfonike të Dubrovnikut. Fatos Qerimaj është themelues dhe dirigjent i dy grupeve muzikore në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë: orkestra “In-Sequence” dhe orkestra “Big Band. Qerimaj ka performuar në një numër të konsiderueshëm koncertesh jashtë Shqipërisë, si Greqia, Italia, Franca, Zvicra, Gjermania, Danimarka, Suedia, Austria, Serbia, Anglia, Kina dhe është një i ftuar i shpeshtë në Kroaci. Ka kompozuar disa vepra simfonike, balete dhe vepra të muzikës së dhomës dhe është fitues i disa çmimeve. Në vitin 1991 u nderua me çmimin “Tefta Tashko”, “Vepra më e mirë e vitit” për koncertin e tij fantazi për klarinetë dhe orkestër simfonike. Në vitin 1995, ai fitoi çmimin për “Veprën më të mirë simfonike” të quajtur “Take Vango”. Qerimaj është gjithashtu kompozitor i shumë kolonave zanore në kinematografi dhe teatër. Për virtuozitetin e tij si klarinetist, ai u vlerësua si interpretuesi më i mirë i vitit 2005 në çmimet “Kult” 2005. Ai është drejtor artistik i disa festivaleve në Tiranë; Festivali i Xhazit, Festivali Clarimpro, Festivali Flauti Magjik, si dhe është anëtar i disa organizatave artistike në Shqipëri dhe jashtë saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.