Nostalgji

Nostalgji/ Nora Istrefi: Kohët e fundit janë bërë shumë njerëz këngëtarë

16:00 - 13.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Nora Istrefi: Kohët e fundit janë bërë shumë njerëz këngëtarë




Suksesi ka lindur në të njëjtën ditë me të… Që nga dita që shkeli për herë të parë mbi një skenë, këngëtarja simpatike nga Kosova, Nora Istrefi ka provuar vetëm suksese. Këngët e saj kthehen sa hap e mbyll sytë në hite ndërsa vetë ajo, tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e publikut me performancat dhe idetë novatore që sjell në projektet e saj muzikore. Rasti i fundit janë skenat ‘topless’ në klipin “Dy shokë”, të cilat u komentuan gjatë në faqet e shtypit rozë, por Nora sot na jep edhe për to një përgjigje. Aktualisht është duke punuar për albumin e ri, koleget nuk dëshiron t’i shikojë si rivale, nuk është shumë e aftë në kuzhinë, dhe në një të ardhme dëshiron t’i stilojë vetë veshjet e saj. Kjo është Nora Istrefi, këngëtarja e shumë e pëlqyer, e cila vjen në këtë intervistë për “Bluetooth”, me energjinë që nuk i mungon asnjëherë, ndonëse gjatë kësaj vere nuk ka pushuar pothuajse fare…

Në fillim të kësaj vere keni hedhur në treg klipin tuaj “Dy shokë”, i cili nëse i referohemi Shqipërisë ka rezultuar shumë i pëlqyer. Cilat janë komentet që ju keni marrë në lidhje me të?
Kënga “Dy shokë” mund të them me plot gojë se ka pasur mjaft sukses në Kosovë, Shqipëri, e në çdo vend tjetër ku ka shqiptar. Jam tejet e lumtur për brohoritjet e publikut në koncerte, ku të gjithë këndonin me mua, për kërkesat në radio, për klikimet në youtube që kanë arritur shifrën njëmilionëshe… Meritat për këngën i ka autori i saj, Flori Mumajesi dhe gjithashtu “Enter Mendia” për klipin. Kam marrë shumë komplimente si për këngën ashtu edhe për klipin.
U fol në mediat rozë për një censurim të këtij klipi për shkak të skenave “topless” nëse mund t’i quajmë kështu, ju si i gjykoni këto komente? Sa janë të vërteta?
Jo, nuk ka pasur kurrfarë censure. Përkundrazi, klipi është transmetuar dhe vazhdon të transmetohet mjaft në shumë prej televizioneve tona, jo vetëm në ato muzikore, madje në çdo kohë. Pra, siç mund të kuptohet fjalët që dolën për censurë ishin vetëm spekulime.

Nga të lindi ideja për të sjellë këtë risi në videoklipet shqiptare (i referohem skenës “topless”)?
Quaje si të duash, nuk ishte ide e imja. Kuptohet, unë di vetëm të këndoj dhe nuk përzihem në punën profesionale të të tjerëve. Por, për mendimin tim është menduar që përmes përmbajtjes së tekstit në pamjet e klipit të tregohet një thyerje, një ftohtësi shpirtërore, ku unë thosha të mbesim shokë, e realisht ndjeja të kundërtën. Nuk ishte ideja e klipit për diçka provokuese apo diçka të tillë.

Po për bashkëpunimin me TDS, ç’mund të na thoni?
Mund të them vetëm që përmes këtij bashkëpunimi arritëm të sillnim një këngë hit, e cila u përqafua menjëherë nga fansat.

Vera është një stinë ku prodhohen shumë klipe. Sa i trembet konkurrencës Nora?
Konkurrenca është ajo që të shtyn të punosh edhe më shumë. Atë të mirë e ka, por me të vërtetë janë bërë shumë, shumë këngëtarë.

Është albumi në planet e tua?
Po, pa diskutim. Aktualisht jam duke u marrë me disa këngë të reja dhe besoj që shumë shpejt albumi do të jetë gati për t’iu ofruar publikut, të cilin gjej rastin ta falenderoj përzemërsisht për mbështetjen që gjithmonë më ka dhënë.

Cilat janë rivalet e tua në muzikë?
Pothuaj që të gjitha. Por, unë nuk dua t’i shoh si rivale, dua t’i shoh vetëm si kolege dhe mikesha. Mundohem të punoj me tërë përkushtimin tim, për të arritur gjithnjë e më shumë dhe aty ku unë dua.

Kë nga koleget konsideroni mike?
Me shumicën që njihemi kam raporte shumë të mira. Ka dhe prej atyre që shihemi më shpesh për ndonjë kafe, apo diçka të tillë.
Në mediat shqiptare është përfolur gjatë lidhja juaj me Robertin? Herë thuhet se ndaheni herë thuhet se pajtoheni, cila është realisht relata juaj?
Në lidhje me Robertin mund të them se akoma jemi bashkë, asgjë më tepër. Kjo pjesë me përket vetëm mua.

Për ç’arsye do të hiqnit dorë nga muzika?
Për asnjë arsye. Muzikën e dua aq shumë saqë nuk ma zëvendëson asnjë gjë. Ndaj do ta lë vetëm kur ajo të më lërë mua, kur mos të kem më çfarë të jap në muzikë.
Sa i përket lajmit se në një të ardhme do t’i stiloni vetë rrobat tuaja, ç’mund të na tregoni?
Unë tashmë jam një stiliste me diplomë, ndaj dhe kam deklaruar që ndoshta në një të ardhme do t’i stiloj vetë veshjet e mia. Natyrisht që kjo varet më shumë edhe nga koha që do të kem në dispozicion, e cila për hir të së vërtetës nuk është gjithmonë në favorin tim, pasi ftesat për koncerte i kam të shumta, megjithatë mendimi im ka qenë dhe do të jetë gjithmonë prezent kur bëhet fjalë për veshjet në performanca.

Si ju pëlqen ta kaloni kohën e lirë?
Në kohë të lirë kam dëshirë vetëm të qëndroj në shtëpi, të shikoj filma, të dëgjoj muzikë.

A jeni një kuzhiniere e zonja? Cilin ushqim keni si specialitet?
Kam filluar të mësoj më shumë nga kuzhina. Më parë kam ditur të përgatis vetëm ushqime të thjeshta. Keq ë, ç’të bëj (qesh).

Ky shkrim u botua më 11 Shtator 2010

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.